Si ndikon infektimi me koronavirus dhe situata e pandemisë në shëndetin mendor të individëve
Ndërkohë që pandemia e koronavirusit vazhdon udhëtimin e saj në glob, ajo po instalon një sasi të konsiderueshme frike, shqetësimi dhe nervozizmi si për popullatën e përgjithshme por sidomos për grupe të caktuara të popullatës në veçanti si të moshuarit, punonjësit shëndetësorë dhe individët me probleme të mëparshme shëndetësore.
Nga këndëvështrimi i shëndetit mendor publik, ndikimi kryesor psikologjik është një shtim shqetësues i stresit dhe ankthit. Gjithashtu me shpërfaqjen e masave të ndryshme dhe të ndyshueshme, veçanërisht karantina me efektet e saj në aktivitetet e zakonshme të popullatës, rutinës së tyre, cilësisë së jetës – vetmisë, ndyshimeve të humorit, përdorimin e pazakontë të alkoolit dhe drogave, vetë-dëmtimi apo sjelljet vetëvrasëse të cilat janë rritur dhe priten të rriten në periudhën që pason.
Përveç frikës së infektimit me korona-virus, në një pandemi si kjo e COVID-19, kanë ndodhur edhe shumë ndryshime të rëndësishme në të përditshmen tonë që përbëjnë një grup faktorësh aktivizues së predispozitës individuale për të shfaqur probleme të shëndetit mendor. Kufizimi i lëvizjes, mungesa e kontaktit fizik me të dashurit tanë, të punuarit nga shtëpia, papunësia minimalisht e përkohëshme, shkollimi në shtëpi i fëmijëve janë të gjitha prishje të një rutine të instaluar prej një kohe të gjatë e cila ka mundur të vendosë më parë ekuilibra të cilat tashmë janë prishur.
Në ato zona që janë prekur në mënyrë të theksuar nga pandemia, aksesi i popullatës në shërbime dhe vazhdimësia e trajtimit të shqetësimeve të reja apo ekzistuese të shëndetit mendor është kthyer në një problem që ka nevojë për adresim të menjëherëshëm dhe kreativ pa përmendur edhe çështjen emergjente të adresimit të nevojave për shërbime të shëndetit mendor të punonjësve shëndetësor të linjës së parë të përfshirë në trajtimin e rasteve me COVID-19.
Të gjithë këto fakte e bëjnë të domosdoshme rritjen e vëmendjes në nivele të ndryshme (individual, familjar, shoqëror, institucional) të nevojës për përshtatje të shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë. Sipas një vlerësimi të shpejtë[1]të situatës, në shumë vende të botës, shërbimet po i përgjigjen kësaj situate duke gjetur mënyra inovative për të rritur aksesin përfshirë tele-mjekësisë, terapisë online, linjave të gjelbërta, trajnimeve të posaçme për personelin shëndetsor, etj. Sipas këtij vlerësimi, vihen re ndryshime të konsiderueshme në këtë përgjigje në vendet me të ardhura të larta në krahasim me vendet me të ardhura të ulta. Në Shqipëri, nukjevetem.al do të përbënte një prej këtyre shërbimeve i cili i bazuar mbi inovacion, ishte tashmë i gatshëm t’i përgjigjej situatës së krijuar.
Pasojat e pandemisë në shëndetin mendor të popullatës mendohen të jenë si të menjëhershme, gjë që mbështet nga të dhënat në të gjithë botën por edhe nga të dhënat e pakta të disponueshme në Shqipëri. Një nga treguesit jo të drejtpërdrejtë të shtesës së problematikës në shëndetin mendor është përdorimi i shtuar i psikotropëve që për periudhën Janar – Korrik 2020 pati një rritje prej gati 10% (sipas informacioneve nga FSKSH). Megjithatë është mëse e nevojshme të ndërmirret një studim i hollësishëm mbi gjendjen e shëndetit mendor të popullatës në vend si dhe për problematikat e ofrimit të shërbimeve.
Gjithsesi duke u nisur nga të dhënat ndërkombëtare, problemet kryesore që janë vënë re por edhe që priten të jenë të pranishme për muajt dhe vitet në vijim, kanë dhe do të kenë një rol të rëndësishëm në jetët e individëve, familjeve dhe shoqërive në mbarë botën.
Edhe në situata normale, një shëndet mendor i mirë është një faktor themelor për funksionimin e një shoqërie. Gjithsesi në situatën e pamendemisë, shëndeti mendor mund të ndikojë në mënyrën se si ne i përgjigjemi kësaj situate. Punonjësit shëndetësorë në këtë situatë janë shumë të rëndësishëm por për shkak të problemeve në rritje të stresit të vazhdueshëm, ata mund të bëhen përkohësisht të padisponueshëm në qoftë se nuk mbrohet shëndeti i tyre mendor. Një shëndet mendor me probleme mund të ndikojë gjithashtu edhe në gadishmërinë e individëve për të marrë vaksinën, ndjekjen e udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore dhe të rrisë në tërësi vulnerabilitetin ndaj infeksionit apo mundësinë e përhapjes së virusit.
Eksperiencat e mëparshme në lidhje me efektet e pandemive apo emergjencave të ndryshme në shëndetin mendor kanë treguar se efektet afatgjata të pritshme janë të shumta dhe duhen adresuar sa më parë. Kështu shpërthimi global i SARS në 2003 u shoqërua me një rritje prej 30% të vetëvrasjeve në moshat mbi 65 vjeç. Karantinimi, që është një strategji e nevojshme për të minimizuar përhapjen e virusit, ka efektet e veta negative psikologjike siç mund të jenë: stresi pas traumës, depresioni apo pagjumësia. Problemet ekonomike dhe papunësia gjithashtu do kenë impaktin e tyre në shëndetin mendor.
Të gjitha të dhënat nga historia e pasojave të emergjencave të ndryshme na japin informacion të mjaftueshëm për pasojat afatgjata por njëkohësisht edhe ndërgjegjësimin e nevojshëm mbi domosdoshmërinë e shtimit të burimeve financiare, njerëzore dhe transformim të shërbimeve në mënyrë inovative.
[1] https://www.who.int/docs/default-source/mental-health/who-covid19-mental-health-rapid-assessment-october-2020.pdf
—
Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.