Këshilla/Blog

Pasojat psikologjike tek fëmijët  gjatë pandemisë së CoVid-19.

Nga Ermal Azisllari 
Psikolog Klinik, Psikoterapist


Më kujtohet që një nga gjërat që më frikësonte në fëmijëri, por besoj dhe shumë të tjerë si unë, ishte “gogoli”. Askush nuk e dinte se ç’ishte e çfarë pamje kishte e megjithatë, sa herë që thuhej “do vijë gogoli, një ndjesi frike e parehatie më përshkonte trupin. Dukej sikur të gjitha frikërat nga e panjohura, bashkë me kërcënimet e të rriturve, kur fëmijët nuk i dëgjonin, mblidhnin fuqinë e tyre në këtë fjalë.

E nisa me këtë frikë nga një personazh imagjinar i fëmijërisë për t’ju qasur përjetimeve të fëmijëve përgjatë pandemisë. Coronavirusi dhe Covid-19 për një pjesë të madhe të fëmijëve (por edhe të rriturve) është diçka e padukshme, e pakuptueshme apo imagjinueshme, e cila arrin të aktivizojë tek ata frikën bazë nga e panjohura.


Fëmijët mësojnë të reagojnë me frikë e ankth kur shohin që prindërit, gjyshërit e persona të tjerë të rëndësishëm afër tyre përjetojnë dhe shprehin këto reagime. Fëmijët mund të përjetojnë ankth, stres dhe frikë të ngjashme me frikërat e të rriturve, si frikë nga vdekja – e tyre apo e një të afërmi, frikë nga të sëmururit dhe trajtimet mjekësore.


Ata (fëmijët) operojnë përmes parimit të pasqyrës – perceptojnë reagimet emocioale dhe sjellore, si dhe verifikojnë e testojnë përjetimet e tyre përmes reagimeve të të tjerëve të rëndësishëm. Sidomos kjo është e vërtetë kur bëhet fjalë për reagime ndaj situatave të pasigurta, të cilat shoqërohen me ankth dhe stres.

Bombardimi me informacione të tepërta e të pafiltruara gjatë gjithë kohës (TV, biseda, celular, bashkëmoshatarët) si dhe pësimi i kufizimeve të ndryshme e ndryshimi i rutinave (pastrimi i shpeshtë, mbajtja e distancës, izolimi, mbajtja e maskës) ndikojnë tek fëmijët (tek disa më shumë se të tjerët) në perceptimin e tyre mbi realitetin, sigurinë dhe pritshmërinë mbi atë që mund të ndodhë. Fëmijët shpesh kërkojnë informacion shtesë, arsye përse duhet të bëjnë këtë e nuk duhet të bëjnë atë, refuzojnë të binden etj; në të gjitha këto reagime të fëmijës, pjesa më e rëndësishme është se si kundër-reagojnë prindërit dhe të rriturit e tjerë të rëndësishëm, se sa ata janë të gatshëm t’i dëgjojnë, mirëkuptojnë e bashkëndajnë me ta këto përjetime, për të mos i bërë të ndjehen të çuditshëm, të paaftë apo “jo në lartësinë e duhur”.


Nga një studim paraprak i kryer në Provincën Shanxi, Kinë, në muajin shkurt 2020, simptomat kryesore të vërejtura tek fëmijët ishin ngjitja fizike pas kujdestarit dhe problemet me ankthin e ndarjes, shpërqëdrimi, irritueshmëria, dhe frika për të pyetur rreth epidemisë, frika për shëndetin e të afërmve, probleme me gjumin përfshirë ëndërrat e këqija, oreks i ulur, parehati fizike, irritim dhe pavëmendje.
Një rezultat tjetër i pandemisë, për shkak të mbylljes së shkollave, ka qenë dhe humbja e strukturës që shkolla përfaqëson (struktura fizike, ndarja kohore, struktura mendore shoqëruese, shoqëria e klasës, emocionet e shoqëruara me prezencën në shkollë), rënia e interesit dhe motivimit për të mësuar, mungesa e shpjegimit dhe ndërveprimit me mësuesit dhe shokët, mungesa e mbështetjes emocionale e marrë nga marrëdhëniet e ndërtuara në shkollë, etj.
Në një pjesë të familjeve, të cilat mund të quhen jo-funksionale, pandemia ka rritur nivelin e stresit si dhe të dhunës e abuzimit në të gjitha format e tij (fizik, emocional, psikologjik dhe seksual). Fëmijët në këto familje mund ta pësojnë këtë abuzim në mënyrë të drejtpërdrejtë (ushtruar tek ata) apo të tërthortë (janë të pranishëm ndërkohë që abuzimi ndodh). Vështirësimi i komunikimit dhe përshkallëzimi në dhunë dhe abuzim bëjnë që shtëpia dhe familja të kthehet në një ambjent të pasigurtë ku fëmija ndjehet vazhdimisht i kërcënuar dhe nuk sheh alternativë të sigurtë apo mundësi për të parashikuar dhe për t’u mbrojtur.
Po çfarë mund të bëhet për tu ardhur në ndihmë fëmijëve në këto kushte, kur pandemia nuk dihet se kur do të mbarojë?
Nuk besoj se ka një formulë magjike apo një zgjidhje për të gjitha problemet. Fëmijët kanë probleme, frikëra e vështirësi edhe jashtë pandemisë, dhe tentativat për t’i ndihmuar shpesh varen mga rrethana individuale ku përfshihen karakteristikat e fëmijës, situata në familje, niveli i komunikimit mes prindërve dhe prind-fëmijë. Gjithsesi, do përpiqem të jap disa këshilla e sugjerime, bazuar në vështirësitë që listuam më sipër: Shpesh u them prindërve në praktikën time klinike, që puna me fëmijët fillon me vetë ata, pra me prindërit. Që një fëmijë të ndjehet më i sigurtë, së pari është e nevojshme që prindi të punojë me mënyrën si e përjeton dhe si e shfaq ankthin dhe stresin e tij/saj. Nëse prindi bëhët më i vetëdijshëm për gjendjen e vet emocionale, arrin ta emërtojë atë (sot ndjehem i/e stresuar, në ankth, e/e mërzitur sepse….), dhe ta ndajë me fëmijën, i jep mundësinë fëmijës që të kuptojë, emërtojë dhe komunikojë emocionet e veta. Ky është një proces, dhe efektet më të mira i kanë ato familje që e kanë bërë zakon para pandemisë këtë mënyrë komunikimi. Por asnjëherë nuk është vonë për të vendosur ura të shëndetshme komunikimi.

Besimi që një pjesë e prindërve kanë, se fëmijët nuk kuptojnë, se nuk duhet folur në syrin e tyre, është jo vetëm i gabuar, por edhe i dëmshëm. Fëmijët kuptojnë dhe ndjejnë që diçka nuk shkon nga reagimet verbale dhe jo-verbale të prindërve/të rriturve, dhe kanë nevojë për komunikim të hapur dhe të përshtatur me moshën për t’i dhënë kuptimin e duhur. Në rast të kundërt, fantazia e nxitur nga frika punon në kahun negativ, dhe fëmija frikësohet e stresohet edhe më shumë.


Nëse prindërit nuk janë të sigurtë për atë që dinë, ndjejnë, apo për çfarë do ndodhë në të ardhmen, është më mirë të thuhet ashtu siç është, që nuk janë të sigurtë, por që do përpiqen të bëjnë më të mirën dhe që do jenë aty, për t’i ndihmuar fëmijët , sido që të shkojë. Fëmijët kanë nevojë të ndjehen normalë e jo në faj edhe kur nuk i dinë gjërat dhe janë prindërit që mund ta mundësojnë këtë duke ndarë edhe mosdijen e tyre, sepse është OK të mos i dimë të gjitha.

Shkëputja nga shkolla dhe qëndrimi në shtëpi i fëmijëve, përveç pasojave negative, u shfrytëzua pozitivish nga një pjesë e familjeve si një moment rinjohje. Organizimi i lojrave e aktiviteteve të përbashkëta u shërbeu një pjese të prindërve për të forcuar lidhjen me fëmijët. Në kushtet kur pandemia vazhdon, dhe nuk dihet si do shkojë edhe viti i ri shkollor, është e rëndësishme që prindërit të jenë mirëkuptues me vështirësitë e fëmijëve nga mësimi online, dhe nga ana tjetër ta shfrytëzojnë si mundësi për të fuqizuar marrëdhënien me fëmijët por dhe fëmijët përmes modelimit të sjelljeve të shëndetëshme. Më tepër se për moralizim dhe kritika, fëmijët kanë nevojë dhe mësojnë nga shëmbulli personal. Zhvillimi i aktiviteteve së bashku ku të gjithë zbaviten por dhe mësojnë të respektojnë kufijtë dhe njëritjetrin është mënyra më e mirë. 


Sa u takon familjeve jo-funksionale, pandemia vetëm sa ka nxjerrë më në pah dhe ka përkeqësuar problemet e mbartura të tyre, të cilat fatkeqësisht janë në themel të (keq)funksionimit të këtyre familjeve, dhe fëmijët viktima pa zë të tyre. Mekanizmat publike të mbrojtjes së fëmijëve, megjithëse zyrtarisht funksionale, shpesh gjenden të pa informuara apo të pafuqishme për të reaguar në mënyrë proaktive, duke u mjaftuar me rastet ku njëri prej prindërve (kryesisht nëna) merr iniciativën për të shtyrë procesin para ligjërisht. 

Në këto familje fatkeqësisht, “gogoli” është brenda, dhe nevojitet ndihmë nga jashtë për t’i dhënë fëmijës sadopak siguri.

Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC

NJV