26.11.2018
Jam nje vajze 22 vjeqe dhe jam studente .
Mirepo nganjehere me humb motivi totalisht.
Me humb motivi per mesime,qofte per te jetuar thjesht jam e lodhur per cdo gje pavaresisht sa e vogel eshte.
Desha te ju pyes per menyrat qe te jem sa me pozitive dhe energjike.
Ju faleminderit shume ne qofte gjeni kohe te pergjigjeni !
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Më vjen keq që ndoshta do të të zhgënjej duke të thënë që unë nuk zotëroj teknika apo mënyra që rrisin motivimin dhe energjinë pozitive në distancë. Ka disa autorë të huaj dhe libra të tyre të përkthyer edhe në shqip që flasin pikërisht se si mund të ndihesh më mirë duke u përpjekur t’í bësh gjërat në një mënyrë të caktuar apo duke ndryshuar disa zakone e sjellje të jetës së përditshme. Sërish, leximi i tyre nuk garanton plotësisht zgjidhjen e problemit në fjalë. Për disa njerëz këshilla e teknika të tilla funksionojnë, për disa të tjerë nuk kanë asnjë vlerë ose efekt.
Bazuar në përvojën time si psikologe dhe psikoterapiste, kur ti thua që të humbet motivi për të jetuar, do të thotë që kemi të bëjmë me një humor (gjendje humori) të ulët ose që luhatet shpejt e shpesh. Dhe kaq nuk mjafton, madje është shumë pak, për të të dhënë një ide apo ndihmë. Humori dhe bashkë me të motivimi, niveli i dëshirës për të bërë gjëra e për të shijuar jetën janë një nga treguesit kryesore të gjendjes depresive. Me këtë nuk dua të them që bëhet fjalë për depresion në rastin tënd, por që mund të jesh duke reaguar në mënyrë depresive ndaj diçkaje që mund të ketë ndodhur së fundmi ose dhe më parë në jetën tënde.
Mund të jetë një periudhë pak e vështirë ose e ngarkuar emocionalisht, mund të jesh duke bërë gjëra që nuk do t’í bësh në të vërtetë, mund të jesh zhgënjyer nga diçka ose dikush, mund të ndihesh vetëm, mund të kesh pësuar një humbje fizike ose emocionale, mund të jesh lodhur dhe konsumuar fizikisht ose emocionalisht, etj. Po kështu, mund të jetë një mënyrë si ti reagon ndaj njerëzve ose ndaj vetes kur mërzitesh, ose kur nuk ia del dot me bërjen e diçkaje. A ka gjëra të tjera përveç humbjes së motivimit që të shqetësojnë në këtë periudhë apo gjithçka tjetër është në rregull? Unë besoj që problemi i motivimit nuk është i vetmi që ti ke, nëse shikon më hollësisht jetën tënde në këtë periudhë, por sigurisht që të takon ty ta vlerësosh këtë gjë më mirë.
E vetmja gjë që mund të them me kaq shume pak informacion që ti ndan është që të përpiqesh të flasësh për mënyrën si ndihesh me njerëz të afërm ose njerëz që ti ndihesh mirë kur flet apo iu beson, apo edhe këtu në këtë faqe. Është shumë e rëndësishme të kuptosh veten përpara se të fillosh ta ndryshosh dhe duke folur e duke ndarë shqetësime me të tjerët është një mënyrë për ta kuptuar atë.