Ndjekese 19.03.2024
Po bëj dy vjet në lidhje me një djalë. Me të njihesha përpara se të emigronte në Europë. Më pas ruajtēm kontakt, u afruam më shumë dhe vendosëm që hap pas hapi të jetonim bashkë. Kemi vuajtur tê dy, largësia ka sjellë shumë gjëra. Unë pêrfundova studimet, u mora me gjuhën e vendit, por dallgët e jetës më sillnin shpërqendrim. Vinte nga meraku për të gjetur një punê, shpenzimet për tê shkuar për t’ u takuar me të….Tani kam frikë se do vuaj për të marrë provimin. Prandaj, jam e pasigurtë për fejesë. Pas ngritjes time nga luhatjet e humorit, ndiej se nuk ështê e lehtë të vendos. Nuk mund të iki në një vend tê huaj pa biseduar qartë për punën e mundshme ku tê angazhohem dhe çështjen e dokumentacionit. E kam provuar, sa herë kam ikur ta takoj, mezi kam pritur ditën të kthehem në shtëpi. Nuk e di sa do duroj. As me bisedat me psikologun nuk gjej dot derman. Ndonëse ai ka cilësi
pozitive, më ndikon negativisht jetesa e tij e mbyllur, problemet e tija ekonomike dhe shumë problematika në familjen e tij, të cilat i kam përtypur deri më sot. Nuk po di si t’i zgjidh. Nga ana tjetër, ndihem e pasigurtë. Nuk besoj se do më dojë dikusb kur unë jam kaq delikate.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje , shiko ndaji gjerat nese vertet e do djalin , ndiqe ku do te jete ai keto qe ti mendon jane detaje te parendesishme, normalisht qe do kesh veshtiresi muajt e pare sepse po shkon ne nje vend qe do fillosh cdo gje nga A , eshte si te rilindesh je si nje bebe qe vetem di te flasi dhe te eci , do fillosh te pershtatesh me kalimin e kohes , ca rendesia ka puna qe do t besh ?? dhe ne atdhe ku je sa her ndrron punen ke probleme me pershtatjen , eshte dicka qe ndodh ne cdo lloj gjeje te mundshme, problemet ekonomike te djali? seriozisht e ke qe permend dicka te till?? ”problemet e tij ekonomike” a nuk e quan veten pjese te tij akoma saqe e perkufizion ”e tij” cfare rendesie kan keto , juve bashk do krijoni ekonomine tuaj ,Te kerkoj ndjese qe po pershihem ne kete lloj forme , por kam vuajtur dhe vete problmet e distances , dhe kemi arritur te ndahemi ,sepse distanca kete sjell ftohjen e mardhenies. Nese vertet e do djalin te gjitha gjerat qe ke permendur jan detaje te parendesishme , nese nuk je e sigurt athere shkruan keto gjera qe ke shkruar ….Keshilla ime eshte vepro me tru dhe me zemer cdo besh , cdo lloj gjeje ndonjer eshte vetem ne tru ne kuadrin e mendimit , jane thjesht mendimet pengesat qe ja vendosim vetes , mos e shiko vuajtje , shikoje sakrifice me te fejuarin tend qe do ti kaloni te gjitha, asgje nuk eshte perfekte ne kete bote, mos prit ti kesh gjerat gati asnjher. Te pershendes
Përshëndetje e dashur! Të falenderoj që ke shkruar në faqe.
Tek lexoj letrën tënde më duken kaq shumë gjëra për të cilat ndjehesh e pasigurtë, që nga njëra
anë janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën, por edhe secila një problem më vete e me peshë.
Kuptoj se sa konfuze dhe e lodhshme duhet të jetë për ty të përpiqesh ta zgjidhësh këtë lëmsh.
Gjithashtu frika nga jeta e re dhe e panjohur në një shtet tjetër shton edhe më tepër stres e
pavendosmëri, që duket sikur do që ta zgjidhësh duke vënë kriter një kontroll më të madh mbi
këto situata të reja si psh që të mos ikësh pa patur një punë, ku të jesh e angazhuar.
Për të fituar më tepër qartësi ndoshta duhet të thellohesh më tepër për të gjetur përgjigjen brenda
vetes: a dëshiron vërtet që të fejohesh me të dashurin? E mbyll letrën tënde me një pikëpyetje se
a do të dojë dikush kur je kaq delikate? E ke fjalën këtu, që a do të dojë partneri yt? Apo shprehja
nënkupton – a do më dojë dikush tjetër nëse unë ndahem nga i dashuri?
Në jetë hasim shpesh situata, ndaj të cilave ndjehemi jo krejt të sigurtë. Në një moment të
caktuar duhet të marrim një drejtim bazuar mbi kuptueshmërinë dhe ndjenjat që kemi dhe atë
çfarë mendojmë më të mirën e mundshme për momentin. Dhe prandaj është e nevojshme që të
kuptosh sa më mirë mendimet e ndjenjat e tua drejt marrëdhënies suaj dhe fazës tjetër që ju pret,
së bashku – fejesës. Ndoshta pasi të fitosh më shumë qartësi në këtë pjesë, do fitosh siguri edhe
në lidhje me çështjet e tjera.
Shprehesh se bisedat deri tani me psikologun nuk kanë qenë aq frytdhënëse sa do dëshiroje.
Procesi terapeutik ka nevojë për kohën e vet, por edhe për nje nivel të mirë sinqeriteti. Ndoshta
vjen në ndihmë që këtë ndjesi t’ja referosh psikologut tënd, në kohën kur ta ndjesh të
përshtatshme këtë gjë dhe që aty mund të jetë një pikënisje e mirë për të bërë edhe më tepër
progres.
Uroj që të gjesh zgjidhjen më të mirë për veten!
Aida