14.12.2018
pershendetje jam 17 vjeq dhe nje shoqe e imja gjat tere kohes thot se po pret momentin te bej vetvrasje. ne fillim me dukej se po tallej por tani kjo po behet shum e zakonshme. gjithmon e pyes pse qfar ke qfar te shqetson por thjesht thot me eshte merzitur jeta. ju lutem me ndihemoni si ta parandaloj.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
E dashur letërshkruese,
E kuptoj shqetësimin tënd dhe më vjen keq që gjendesh në këtë situatë e vetme. Të jetuarit pranë personave të cilët mendojnë për vetëvrasje, apo forma të tjera të lëndimit të vetes na ngarkon me një përgjegjësi të madhe, më të madhe se shpatullat tona, veçanërisht kur gjendemi vetem. Për këtë arsye, të sugjeroj të flasësh me të afërmit e shoqes tënde, ndoshta personin më të afërt për të nga familja e saj.
Bëje me dije shoqen tënde për shqetësimin tënd dhe sugjeroji që të konsultohet me një profesionist të fushës, qoftë mjek psikiatër, apo psikoterapist të kualifikuar. Gjithashtu, nëse ti vetë vendos të flasësh me një nga anëtarët e familjes së saj, informoje shoqen tënde për këtë gjë përmes një bisede të kujdesshme, ku ti i shpreh shqetësimin tënd për të dhe për veten tënde për faktin që nuk di si ta ndihmosh atë. Mos komuniko me familjen e saj, pa e informuar shoqen tënde, pasi rrezikon që ajo të humbasë besimin tek ti dhe të përfundojë të ndihet edhe më e vetmuar se më parë.
Ka mundësi që shoqja jote të kundërshtojë idenë e të informuarit të familjes së saj. Në këtë rast, bëja me dije shoqes tënde që ti NUK tërhiqesh nga ky vendim, pikërisht ngaqë të intereson shoqja jote dhe mirëqenia e saj, por mund ta ftosh shoqen të diskutoni bashkë dhe të merrni një vendim se cilit person ajo do të pranonte ti drejtoheshe dhe se në ç’mënyrë do të dëshironte shoqja jote që ti ta informoje familjarin e saj. Një gjë e tillë kërkon vendosmëri nga ana jote, por ka avantazhin që e bën shoqen tënde pjesëmarrse në procesin e të kërkuarit ndihmë dhe i shton rrethin e mbështetjes në vend që t’ja kufizojë.
E dashur letërshkruese, jeta dhe mirëqenia e shoqes tënde nuk janë përgjegjësi vetëm të tuat dhe as nuk mundesh ti e vetme ta ndihmosh shoqen tënde. Për këtë arsye, kërko të bisedosh me shoqen tënde dhe me familjarë të saj dhe ofroji ndihmë për të gjetur ndihmë profesionale.
Të uroj gjithë të mirat,
Blerta