4000 persona, shumica e të cilëve të rinj, vetëm në vitin 2020, kërkuan ndihmë për Shëndetin Mendor dhe Psikologjik nga www.nukjevetem.al.
Shërbimi është krijuar në vitin 2015 si platformë këshillimi në internet dhe operohet nga Fondacioni Together Albania (FTA) me mbështetjen e UNICEF. Që nga themelimi i saj, më shumë se 10.000 njerëz u ndihmuan drejtpërdrejt nga një grup psikologësh dhe psikiatrish të shquar shqiptarë, të cilët janë bashkuar rreth FTA në këtë nismë tepër të rëndësishme dhe duke vepruar mbi baza vullnetare.
Në vitin 2020, shërbimet morën ndihmë shtesë duke lejuar që të mbulojnë më shumë përfitues dhe të përqendrohen më mirë tek njerëzit në rrezik ose të prekur tashmë nga shfrytëzimi, abuzimi dhe trafikimi.
Tryeza e rrumbullakët online e organizuar më datë 28 Janar bashkoi një gamë të gjerë të palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare në përpjekjen për të rritur vëmendjen ndaj Shëndetit Mendor dhe për të siguruar mbështetjen e Shtetit për shërbime të tilla si www.nukjevetem.al.
Në event morën pjesë Dr. Roberto De Bernardi Përfaqësues i UNICEF Albania, Znj. Harriet Morgan nga Ambasada Britanike në Tiranë, Znj. Nina Guga, Zëvendës Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z. Albert Nikolla, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përfaqësues nga bota akademike, shoqatat profesionale dhe organizatat lokale dhe ndërkombëtare.
Dr. Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri në fjalën e tij tha se “Investimi ynë disa vjet më parë, në themelimin e platformës nukjevetem.al të disponueshme dhe të arritshme për të gjithë, u kthye shumëfish në kohë krizash. Dhe të gjithë duhet të nxjerrim një mësim të jashtëzakonshëm që: Shëndeti Mendor është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e mirëqenies sonë; Nuk mund të injorohet, etiketohet, stigmatizohet ose mbahet në heshtje; Ne duhet të investojmë tani, për të shpëtuar brezat që do të vijnë “.
“Për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, çështjet që kanë të bëjnë me Shëndetin Mendor janë të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe ne jemi të lumtur që mbështesim një shërbim të tillë “, tha znj. Harriet Morgan nga Ambasada Britanike në Tiranë.
.