Këshilla/Blog

23.11.2017

ckemi. jam nje vajz 17 vjecare. prej disa vitesh e di se jam fizikisht dhe ne cdo lloj aspekti tjeter e terhequr ndaj femrave. e di qe keto lloj subjektesh jane taboo ne shqiperi. problemi eshte me familjen pasi mamaja me ka kercenuar te me vras nqs ”kthehem ne lezbike” kurse per babain nuk e di. kam disa familjar dhe shoqeri qe e dine dhe jane mbeshtetes. ju lutem me thoni cduhet te bej lidhur me prinderit e mi

  1. Anonymous says:

    Shiko.Nese ti ndihesh mir per ate cka je dhe si ndihesh thjesht vashdo . Eshte jeta jote dhe do besh cfare te duash . Prinderve shpjegoua qe kjo esht jeta jote dhe ata duhet te te pranojn si ti je.

  2. Dr. Blerta Bodinaku says:

    Përshendetje e dashur letërshkruese,

    Më vjen mirë që së pari ke mundur ti pranosh vetes orientimin tënd seksual. Shumica e personave gay dhe lezbike vuajnë shumë dhe përjetojnë vështirësi të mëdha për të pranuar ketë fakt. Mund përpiqen shumë ta mohojnë, apo “korrigjojnë” duke “punuar” me pseudoprofesionistë. Kjo gjë nënkupton se ata e trajtojnë të qenit homoseksual si një sëmundje apo devijim që duhet shëruar. Kjo NUK është aspak e vërtëtë dhe më vjen mjaft mirë që ti, e dashur letërshkruese, e ke pranuar këtë gjë me veten tënde dhe je e gatshme ta pranosh edhe publikisht.

    E dashur letërshkruese, nga letra jot ndjej që e ke marrë tashmë vendimin për të dalë hapur në lidhje me orientimin tënd seksual. Besoj se është gjëja e duhur, sepse pasi pranon veten, është tepër e vështirë të pranosh të jetosh në gënjeshtër dhe duke u fshehur. Të jetosh në gënjeshtër, do të thotë të pranosh të jetosh përgjysëm, pa gjallëri dhe pa kuptim për jetën. Nga ana tjetër, kjo gjë nënkupton që në këtë proces, edhe mund të lëndohesh, apo të ndihesh e refuzuar.

    Problemi me pranimin publik qëndron në faktin që komuniteti dhe të afërmit jo gjithmonë janë të gatshëm të pranojnë dhe kuptojnë realitetet e ndryshme nga të tyret. Kjo gjë mund të të lëndojë ty. Kjo duket së po ndodh me mamin tënd. Më vjen shumë keq që ajo është kaq refuzuese ndaj orientimit tënd seksual dhe e trajton atë si një zgjedhje. Besoj se kjo gjë ndodh pasi shumë njerëz nuk kanë informacionin e mjaftueshëm dhe çështjet e homoseksualitetit janë ende të panjohura dhe tabu për ta. Mendoj që edhe në rastin e mamit tënd është e njejta gjë, që do të thotë se ndoshta ajo ka nevojë për kohë dhe më shumë informacion deri sa të pranojë realitetin tënd.

    Sipas mundësive dhe gradualisht, mund ta ndihmosh duke i ofruar informacion të thjeshtë e të kuptueshëm, ose duke e inkurajuar të flasë me nonjë profesionist. Jepi kohë asaj dhe vetes tënde. Mos prit një pranim të menjëhershëm, por ec gradualisht në këtë proces. Ke gjithë kohën dhe besimin në vetvete në krahun tënd, pasi unë besoj që pavarësisht vështirësive me të cilat do të hasësh, në momentin që ke pranuar veten, do të jetë çështje kohe deri sa edhe të tjerë njerëz të rëndësishëm pranë teje të të pranojnë.

    Të uroj gjithë të mirat,
    Blerta

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV