Këshilla/Blog

A 12.10.2019

pershendetje!
Doja te ndaja kete shqetesim me ju pasi para 2 vitesh e gjysem motra ime u nda nga jeta dhe vdiq ne duart e mia.
Dhe qe nga ajo dite kam shum frik erresiren
nuk fle kurr me drit fikur por prap se prap kam frik dhe pse kam persona afer meje.
Ndonjehere gjat dites me bllokohet fryma dhe kjo me ka ndaluar aktivitetet pasi kam frik te dal se me bllokohet fryma.
Ju lutem me ktheni nje pergjigje.

  1. Dtt says:

    Cka i ka ndodh motres tende

  2. MSc. Lediona Braho - Psikologe klinike says:

    Përshëndetje e dashur,
    Më vjen shumë keq për humbjen e motrës në një mënyrë kaq të papritur. Besoj kujtimi i atij momenti është ende tepër i gjallë brenda teje dhe si i tillë, nuk mund të “harrohet” kollaj. E di se, që nga ajo ditë, gjithë jeta jote ka ndryshuar dhe gjërat nuk janë si më parë. Pas një ngjarjeje kaq të hidhur, mendja dhe zemra copëtohen dhe rimëkëmbja e rikthimi në një gjendje ekuilibri është një proces i gjatë dhe i vështirë. Vdekja është një traumë e madhe dhe truri do kohë ta pranojë.
    Besoj brenda teje strehohen ndjenja të shumta faji, pasi ende mund të mendosh sesi nuk arrite dot ta shpëtoje motrën. E ndiej që kjo peshon shumë, por mendo: çfarë mund të bëje në atë rast? Çfarë mund të bëje ti për ta shpëtuar? E di që do doje të kishe bërë gjithçka, por ndonjëherë pafuqia për të reaguar është aq e madhe, saqë besoj se nuk ke ditur sesi të reagosh; dhe kjo jo për fajin tënd, por për shkak të situatës së papritur.
    Duket qartë që simptomat shprehin dhimbjen e mbledhur në kraharor: bllokimi i frymës dhe vështirësia për të dalë nga shtëpia. Këto simptoma janë përgjigjet që mendja dhe trupi yt po i japin asaj ngjarjeje traumatike që të ka ndodhur. Janë simptoma të pritshme. Thjesht, ti duhet të merresh me to, duke i vlerësuar si të tilla dhe duke kërkuar ndihmë. Është shumë e rëndësishme për shëndetin tënd, që të bësh paqe me faktin që motra ka ikur, ta ruash motrën brenda zemrës tënde si një njeri tepër i shtrenjtë, të ruash kujtimet më të bukura nga motra jote dhe ta përjetësosh atë në zemër. Për ta arritur këtë, natyrisht nevojitet kohë, shumë mbështetje dhe ndoshta, ndihmë profesionale për njëfarë kohe, për t’u rimëkëmbur.
    Shpresoj të fillosh të kujdesesh për veten që sot. Besoj se këtë gjë do ta dëshironte shumë edhe motra jote. Uroj që motra të prehet në paqe dhe që shpirti yt të gjejë qetësi dhe forcë.
    Përzemërsisht,
    Lediona

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV