Gjysmenjeriu 15.10.2019
Pershendetje. Jam nje vajze 32 vjece, prej kohesh vuaj prej ankthit, qe ne vogeli, ndoshta kam lindur ee tille. Vetem me kohe kjo ka ardhur duke u shtuar. Tani ndihem e paralizuar. Nuk besoj te vetja, ndihem e paafte dhe e pavlere. Mendoj qe ankthi im ka me teper nje natyre sociale.Ai behet me keq ne situata apo njerez te rinj, qofshin keta figura autoritare ose jo . Nuk me lejon te arrije synimet apo deshirat e mia profesionale po ashtu
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Ti mendon, epso mos te mendosh sa me lart dhe pozitiv per veten. Ka njerez me kurajo te madhe edhe kur skan asgje, por ti pse mos tia dalesh? Jepi guxim vetes ti je e forte, e bukur, dhe shijo cdo moment sikur te jete i fundit, veri qellime vetes qofte nga ana personale qofte profesionale dhe cfo dite puni pak per to. Te uroj fat dhe te uroj te gjesh veten tende.
Përshëndetje e dashur,
Mendo sa i madh është ankthi, sa ke zgjedhur ta quash veten “gjysmënjeriu”. E besoj që ndihesh gjysmënjeri, pasi ankthi ndonjëherë bëhet aq bllokues, saqë nuk arrin të jesh në kontakt me veten, të ndjehesh rehat në trupin dhe në mendjen tënde dhe të bësh gjërat që dëshiron.
Thua që vuan prej ankthit që në vogëli. Sa herët ka nisur? Dhe ku mendon se e ka burimin? Ankthi lind qëkur ne vijmë në jetë, qëkur dalim nga rehatia e mitrës dhe vijmë në botën plot stimuj. Gradualisht, na duhet të përshtatemi me mjedisin e ri dhe ajo që na e lehtëson këtë përshtatje është nëna dhe marrëdhënia e ngushtë me të. Patjetër edhe babai. Edhe kujdestarët e tjerë. Sa më e sigurt të jetë kjo marrëdhënie në vitin e parë të jetës, aq më i sigurt do jetë fëmija për të njohur veten dhe botën përreth. Mendon se ankthi yt mund të vijë nga ndonjë pasiguri kaq e hershme?
Nëse është kështu, të inkurajoj që të mendosh se asgjë nuk është e pakthyeshme. Me mbështetjen e duhur emocionale, idealisht brenda një konteksti terapeutik, të karakterizuar nga një marrëdhënie e shëndetshme, pranuese dhe pozitive, që inkurajon pranimin e vetes dhe rritjen personale, ti do të mund të fillosh ta “ushqesh” veten tënde në mënyrën sesi do të kishe nevojë të të “ushqenin” kur ishe e vogël. Ndoshta u bëra pak teorike, por synimi im është të të inkurajoj shumë që të punosh me veten tënde, me ndihmën e një profesionisti (psikolog ose psikoterapist). E shkuara mund të ndryshojë, sado e dhimbshme të jetë.
Sot mund të fillosh ta rishkruash jetën tënde dhe të punosh me ankthin e madh që ke, për ta zvogëluar atë. Ankthi lind nga nevoja të papërmbushura, lind nga boshllëqe që mendja dhe trupi i kanë ndjerë herët në jetë, kur kanë qenë “të uritur” për dashuri. Ama kjo dashuri mund të ripërjetohet sot dhe gjatë gjithë jetës, mjafton ta kërkosh atë. Shpresoj shumë që të fillosh të kujdesesh TI dhe SOT për veten tënde, sepse askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë se ti. Këtu në faqe ke një listë profesionistësh që do të të ndihmojnë për të qetësuar ankthin dhe për të fituar qetësinë që meriton të kesh.
Përzemërsisht,
Lediona