Leni 22.10.2019
Pershendetje!shpresoj te artikuloj siq duhet gjithcka qe e ka bere boten time te brendshme kaq te zymte,dhe pa ngjyra! Le te themi qe kohet e fundit jeta nuk eshte treguar shume bujare me mua,perveqse me eshte dashur te kaloj sfida nga me te veshtirat,kuptohet qe secila prej tyre ka lene gjurme te un,dhe ka krijuar brenda meje trauma. Ne kte bisede dua te flas per ate cfare po perballem momentalisht.I fejuari im me te cilin kam nje lidhje prej 5 vitesh,3 muajt e fundit po ushtron dhune fizike dhe psikologjike ndaj meje.eshte tjetersuar ne menyre te frikshme dhe per cdo gje me fajson mua! Me thote qe nuk bej mjaftushem,etj etj dhe ne momentet qe eshte afer shperthen ne dhune.pastaj pas 10 minutash pendohet dhe kerkon falje.por e ka riperseritur dhe un sigurisht qe e kam mbyllur.un nuk i besoj me,me ngjall frike,por e di dhe ate qe nuk eshte njeri i keq por nuk kontrollon dot vehten.I them qe eshte njeri i dhunshem e qe duhet tkerkoj ndihme nga nje psikolog por eshte e pamundur ta bindesh.ndihem e pafuqishme. Jam larguar nga ai dhe sdua ta shoh me por gjithcka me ka ndodhur kohet e fundit me kan bere tmos kem me deshire per asgje.jam e zhytur ne errsire dhe jeta me duket shume bosh.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur Leni,
E lexova letrën tënde me shumë vëmendje dhe kam shumë pak fjalë për të shprehur keqardhjen që ndjej kur lexoj histori të tilla dhune. Dua të të them se më vjen shumë keq që je përballuar me një situatë të tillë të vështirë e të dhimbshme në marrëdhënien që ke qenë. Asnjë grua apo vajzë nuk meriton të dhunohet nga askush! Nga ana tjetër, ndihem e lumtur dhe krenare tek lexoj në fund të letrës që nuk je më në këtë marrëdhënie dhe po përpiqesh t`i rikthehesh normalitetit tënd, sado e vështirë kjo mund të të duket.
Më lejo të të them sa e fortë je dhe sa e guximshme je që i ke dhënë fund një marrëdhënieje të tillë, ndonëse ka qenë e rëndësishme për ty.
Fatkeqësisht, eksperienca ka treguar se kur partnerët I drejtohen dhunës si zgjidhje të konflikteve në çift, marrëdhënia ka marrë fund dhe çdo “përpjekje” për ta rikthyer në çfarë ka qenë më pare do të jetë e dështuar dhe me dhimbje edhe më të forta se ç`ke kaluar deri tani. Për mua është shumë e rëndësishme që ti të kuptosh se zgjedhja për tu ndarë nga një njeri që është I dhunshëm është gjëja më e mirë që mund të bësh për veten tënde, por dhe për të. Nëse do të vijonit këtë fejesë, ti do të vijoje të ishe viktimë e dhunës së tij dhe ai do të vijonte të përsëriste ciklin e të qënit dhunuesi yt. E kështu do të ishit të ngecur në nje cikël vicioz dhune që do të thellonte traumat e tua.
Individët që dhunohen, shpesh, në përpjekje për t`I mbijetuar asaj çfarë po u ndodh, vendosin në përdorim mekanizma mbrojtës, të cilët nëse mbipërdoren, rezultojnë të jenë edhe më të dëmshëm për ta. Në kushte dhune, kjo është diçka që ndodh në funksion të vetëmbrojtjes, por kur situata kërcënuese ka mbaruar dhe vijojmë të përdorim këto mekanizma, atëherë përjetojmë simptoma të tjera, sikurse janë dhe gjendja jote e zymtë dhe boshllëku që ndjen. Por, nëse I drejtohesh një profesionisti të shëndetit mendor, një psikologu ose psikoterapisti sa më parë mendoj se do të të ndihmonte të procesoje dhimbjen që ke kaluar dhe po kalon, në mënyrë të thellë. Kështu do të mund të kapërcesh traumat në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurtë.
Jam e bindur që me ndihmë profesionale do të mund të arrish gjithçka që dëshiron për të qenë e qetë dhe në paqe me jetën tënde.
Mos hezito të shkruash sërish për çdo nevojë që mund të kesh,
Të uroj më të mirat,
Gresa.