AMR 25.10.2019
Jam e lodhur. e lodhur nga perpjekjet, e lodhur nga puna, nga jeta, nga cdo gje. une qe per kete profesion qe kam mund te rrija me dite te tera me 2-3 ore gjume dhe te shkoja e lumtur ne pune, tanime nuk gjej forcen as per te bere dush ne mengjes. Stresohem per gjene me te vogel, dhe me duket vetja bosh. nese ankohem te ndonje mik a i aferm, marr vetem kritika, me te drejte, sepse kam nje pune shume te mire, kam bere karriere me shume perpjekje dhe kam nje bashkeshort qe me adhuron dhe e adhuroj, por prape me duket sikur nuk me mjafton. ndjej sikur duhet te ndryshoj dicka ne rrugetimin tim, por nuk e di cfare. kjo lloj zbazetie po me penalizon shume kudo, nuk jam e fokusuar, kam rezultate shume te keqija kohet e fundit, dhe po bej gabime fillestaresh qe sbejne gje tjeter vecse me shtojne stresin. kam nevoje per ndihme, po dorezohem, dhe nuk dua te perpiqem me te vras veten…
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje,
Ndoshta ti ke nevoje te shprehesh me dike ,te te degjoje dhe te te kuptoje.
Ndonjehere stresi dhe ankthi jane ato qe na zoterojne por duhet te jemi mjaftueshem pozitive qe ti mposhtim.
Ne te tilla raste miku me i mire i njeriut eshte libri.Une pas pune shkoj ne biblioteken qendrore te lexoj pak dhe zhytem ne boten e librave dhe ndjehem me mire.
Nese deshiron te vish dhe ti ne biblioteke,te diskutojme mbi librat ose dhe mbi boshllekun qe ndjen ose dhe mbi karrieren,me thuaj.
Përshëndetje dhe të falenderoj që na je drejtuar tek nukjevetëm.
Ndonjëherë, brengat që mbajmë brenda vetes, nuk kanë ndonjë shpjegim të kuptueshëm, pra nuk kanë ndonjë arsye objektive, prandaj reagimi i zakonshëm i njerëzve që na rrethojnë mund të jetë kritikues. Fundja, ti i ke gjithë të mirat. Ke një karrierë të konsoliduar, një marrëdhënie bashkëshortore të bazuar tek adhurimi reciprok, etj… Ajo që të mungon, burimi i pakënaqësisë nuk është i dukshëm dhe për këtë arsye ndjen se po dorëzohesh pasi sido që të përpiqesh të gjesh përgjigje apo lehtësim në lidhje me boshllëkun që ndjen, aq më shumë e lodhur ndihesh kur nuk i jep dot kuptim dhimbjes tënde.
Ti ndihesh sikur gjërat që ke arritur nuk i shijon dot dhe se vëmendja jote shkon drejt diçkaje brenda teje. Kam përshtypjen që ka ardhur koha të kërkosh për mbështetje psikologjike, një proces i cili edhe pse mund të dojë kohë dhe përkushtim nga ana jote, do të të ndihmojë t’i japësh zë, fjalë dhe kuptim gjendjes së cilës ti po kalon.
Gjithë të mirat
Enkeli