Dea 23.08.2020
përshëndetje stafi, jam nje nene e re me dy fëmijë, 6 edhe 2 vjec fëmijët i kam shëndoshë e mire çdo gje e kam ne rregull ama une jam shuume konfuze me vete time, me duket përgjegjësi shume e madhe them sdo ja dal dot me femite ti edukoj ashtu sic dua, kam frike se di pse me duket vetja sikur sjam e gatshme per kete përgjegjësi kaqbte madhe edhe pse jane dhurata me bukur qe Zoti te fal, kujdesem jashtë zakonisht shumë po kam. frike brenda vetes time, nuk është e di nese jam e qarte ne ate çka dua te shpreh,nuk i humbas dot femite nga syte për asnjë min edhe kur luajne përjashta me fëmijët e tjerë si le dot vetëm kam frike se mos me vriten, dua ti kem gjithmone nenkontoll kam frike ti jap ate lirinë edhe pse vajza me thote gjithmone pse nk me le te dal vetëm ,, nje këshille doja nga juve ju lutem shuume faleminderit ????
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Më vjen mirë që fëmijët e tu janë shëndoshë e mirë dhe uroj t’i kesh me jetë të gjatë!
Është normale ta përjetosh prindërimin me disa frikëra, në njëfarë mase. Pasiguria për të
ardhmen apo nevoja për të pasur kontroll varion deri diku te shumica e prindërve që njoh.
Mirëpo kur këto frikëra e pasiguri dhe kur nevoja për kontroll bëhen bllokuese (për ty dhe
fëmijët) dhe kur e ulin cilësinë e jetës, duke ndërhyrë vazhdimisht në jetën tuaj të përditshme dhe në marrëdhënien me fëmijët, atëherë duhen adresuar.
Një nga gjërat kryesore që mund të të ndihmojë për t’u qetësuar pak dhe për të fituar siguri në vetvete si nënë është të kërkosh mbështetje: nga bashkëshorti/ babai i fëmijëve, duke biseduar me të për frikërat dhe pasigurinë, për situatat e vështira që po përjeton, për gjithçka që lidhet me fëmijët dhe mirëqenien e tyre dhe për të ndarë ngarkesën në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Ti nuk je vetëm, ju jeni dy dhe e mira është që të bashkëpunoni gjatë të gjitha fazave të rritjes së tyre. Përveç babait, ka edhe persona të tjerë të rëndësishëm që mund të përfshihen, përmes këshillave, sugjerimeve dhe ofrimit të kujdesit hera-herës për fëmijët: gjyshërit, tezet, hallat dhe persona të tjerë të familjes. Gjithashtu, fëmijën më të vogël mund ta shpiesh disa orë në ditë në çerdhe dhe më pas në kopsht ndërsa fëmijën më të madh në qendra ku mund të mësojë apo të argëtohet (të gjitha këto në funksion të rritjes dhe edukimit të shëndetshëm). Përveç ndarjes me të tjerët të ngarkesës, unë sugjeroj që ti të lexosh dhe të informohesh për këtë grupmoshë. Ka plot materiale në internet ose libra që mund të shfletosh, për prindërimin, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Duke lexuar dhe duke u informuar rregullisht, besoj do të shohësh që rritja e mirë e fëmijëve kalon në disa shtigje të studiuara prej kohësh: është shkencë (sepse bazohet në disa praktika të mira të kujdesit) por edhe art (sepse kërkon kreativitet, lojëra dhe energji pozitive). Do të shohësh se edhe prindër të tjerë kanë plot dilema kur vjen puna te rritja e fëmijëve dhe ata ndajnë eksperiencat e tyre sesi kanë vepruar. Do të shohësh se ka dështime dhe suksese, mjafton vullneti dhe dëshira për t’i përballuar vështirësitë.
Duke marrë parasysh këto sugjerime, duke biseduar edhe më nëna të reja për të ndarë
eksperiencat, për të marrë këshilla dhe modele, ndihu e lirë dhe kreative për të bërë gjëra të reja dhe të kënaqshme me fëmijët gjatë ditës. Ata janë në një moshë të rëndësishme dhe kanë nevojë për durim, punë dhe shumë aktivitete, për t’u zhvilluar.
Së fundi, por me shumë rëndësi je ti, vetja jote. Kujdesu për veten dhe mundohu të jesh në
kontakt me nevojat e tua. Nëse frika dhe kontrolli për fëmijët bëhen të papërballueshe, të
sugjeroj të flasësh më gjatë me një psikolog. Shpresoj të gjesh mënyra për t’u kujdesur për veten dhe për ta, sepse të dyja këto shkojnë paralel. Nëse do kesh nevojë për këshilla të mëtejshme profesionale, mund të na shkruash përsëri.
Uroj më të mirën për Ju!
Të përshëndes,
Lediona Braho
Psikologe Klinike
Prsh e nderuar psikologe, dikur nje mësuesi im është thoshte, sot ka ardhur koha edhe ta paguash nje person ste jep përkrahje, faleminderit qe ekzistoni qe na gjendeni prane ne cdo dilema qe kemi ne jete, na jepni nje dore atehere kur ne kemi nevoje shuume faleminderit ❤️❤️??