Nga Dr. Elinda Gjata, mjeke osbstetër-gjinekologe
Pandemia nga virusi Sars-Cov-19 është një realitet i ri i përbotshëm tashmë. Të jetosh në një kohë largësie fizike e sociale, ku sfidave të globalizmit i shtohen dhe vështirësitë dhe ndryshimet shumëplanëshe që imponon ky realitet i ri, e bën më të rëndë të ndërmarrësh përgjegjësinë e një pritjeje të një jete të re.
Si mjeke obstetër-gjinekologe, jam gjendur në një situatë të vështirë për të shpjeguar dhe qetësuar pacientët që prisnin të lindnin, ato që duhet të bënin kontrollet periodike dhe nuk mund të lëviznin për shkak të karantinës, apo ato që sapo konfirmonin lajmin e fillimit të një shtatzanie të re. Në mars, ne ende nuk e kishim të qartë me çfarë kishim të bënim. Lajmet ishin kontradiktore dhe kjo e vështirësonte edhe më shumë terrenin psikologjik. Sot pas kaq muajsh, në këtë moment që po shkruaj, ka 67114 studime për Covid-19, ku 1259 prej tyre janë të lidhura me shtatzaninë. Rastet tashmë kanë shtuar zerot, po ashtu kanë filluar të detajohen dhe problematikat.
Nga eksperienca personale, mund të them se perballja me këtë virus nuk është e lehtë, psikologjikisht më shumë se fizikisht. Stresi i skenarëve të mundshëm, frika për familjarët e tu, përgjegjësia e zgjedhjes së terapisë për shkak të qëndrimeve të ndryshme mjekësore, e rëndojnë situatën, kryesisht ditët e para. Por ne patëm fatin që ta kalojme në një formë të lehtë e pa komplikacione. Gjithsesi, kjo më bën që të jem edhe më e kujdesshme për të qetësuar, mbështetur dhe ndihmuar pacientet që, përveç të gjitha këtyre, kanë edhe një krijesë tjetër brenda vetes për të cilën ndjehen totalisht përgjegjëse.
Tashmë të gjithë i kanë të qarta shenjat dhe ankesat e kësaj viroze, ku mbizotëron temperatura, vështirësia në frymëmarrje, kolla, lodhja, dhimbja trupore, humbja e shijes, dhimbja e fytit, etj, e me rallë dhe shenjat gastrointestinale, si diarreja dhe të vjellat. Duke qenë që gratë shtatzëna shpesh ankojne dobësi, lodhje, këputje, të vjella etj, kollitja më e vogël apo dhimbja e fytit apo temperatura ishin sinjale alarmi për to dhe familjarët e tyre (jam e bindur që një numër i madh telefonatash drejt 127 kanë qenë pikërisht këto raste që insistonin të bënin tamponin).
A rrezikohen veçanërisht shtatzënat?
Studimet kanë treguar që shtatzënat kanë pak a shumë të njëjtën mundësi të marrjes së infeksionit sa dhe popullata jo shtatzënë, por një studim ka theksuar se ato mund të paraqesin forma më të rënda të semundjes dhe se rreth 7% e tyre mund të kenë nevojë për trajtim në repartin e kujdesit intensiv. Megjithatë, shumica prej tyre janë shëruar para lindjes dhe nuk kanë patur nevojë të rrinë gjatë në spital dhe nuk kanë një risk më të lartë për të vdekur nga Covid-19 se personat e të njëjtës moshë.
Nga ana tjetër, është vënë re rritja e riskut të lindjes premature te këto nëna, duke rritur sëmundshmërinë foshnjore pas lindjes. Shume pak raste jane raportuar me koagulopatine bashkeshoqeruese te Covid-19 te grate shtatzena, qe raportohet dendur ne popullaten jo shtatzene.
Rastet e transmetimit te i porsalinduri jane evidentuar, por nuk është ende e qartë nëse transmetimi është vertikal dhe ndodh gjatë barrës apo nëna ia transmeton gjatë lindjes. Sidoqoftë, të porsalindurit e infektuar nuk kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes dhe vdekshmëria foshnjore nuk ka ndryshuar. Ende nuk ka dëshmi që virusi transmetohet përmes qumeshtit të gjirit, kështu që ushqyerja me gji rekomandohet, por me veshje dhe mbrojtje specifike tek nenat mbartëse.
Disa rekomandime
Këshillimit rutinë të pacienteve shtatzëna, i është theksuar shumë roli i higjenës dhe rritja e imunitetit përmes stilit të jetesës së kujdeseshme, ushqyerja e shëndetshme, respektimi i orareve të pushimit dhe gjumit, si dhe vitaminoterapia.
Shmangia e qëndrimit në kontakt me personat e dyshuar, shmangia e vizitave të panevojshme në spitale e klinika apo rekomandimi i këshillimit më parë përmes telefonit me mjekun, për të ulur mundësinë e kontaminimit, duhet realizuar duke grupuar disa egzaminime në të njëjtën ditë (ekografi, analiza, vizitë, etj).
Pacientet duhet të mësohen që të jenë të pashoqëruara me partnerin apo familjarët, qoftë në kontrolle, qoftë të përgatiten që kjo mund të ndodhë edhe në lindje (siç ndodhi gjatë karantinës, ku nuk u lejuan të futen në spital familjarët dhe kjo solli ngarkesë emocionele negative të shtuar për nënat e reja, që donin të ndanin gëzimin apo shqetësimin me njerëzit e tyre). Siguria vjen para kenaqësisë. Nga ana tjetër, edhe ditëqëndrimi pas lindjes është shkurtuar, gjë që është referuar edhe në studime të huaja gjatë kësaj kohe, sigurisht në ato raste që shihet e mundshme nga mjekët.
Një nga rekomadimet e fundit është vaksinimi i shtatzënave ndaj gripit stinor në hyrje të vjeshtës, duke menduar që të jenë më të mbrojtura për sezonin vjeshtë-dimër. Parashikimet nuk duken entuziaste, virozat stinore do të mbivendosen dhe niveli i stresit do jetë më i lartë. Por edhe kujdesi duhet të jetë më i shtuar.
E gjithë kjo situatë do kalojë, shumë nga këto paciente do kenë se çfarë t’i tregojnë fëmijëve të tyre për rrethanat në të cilat lindën, veçantinë dhe vështirësinë e tyre, por dhe sa të lumtura ishin ato kur i morën në krahë për herë të parë dhe sa trime dhe të zonjat u ndjenë që ia dolën. Jeta do gjejë rrjedhën e saj edhe në këto kohë pandemie.
—
Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC