Këshilla/Blog

Pandemia e krijuar nga COVID – 19 është një fenomen i panjohur dhe i paprecedentë që ka shkaktuar ankth, stres, pasiguri, frustracion dhe emocione të tjera negative dhe të vështira për t’u përballuar. E teksa kanë kaluar disa muaj nga fillimi i pandemisë, izolimi dhe ri – hapja e ngadaltë e vendit,  situata vazhdon të jetë e paqartë, duke shtuar kështu frikërat dhe ankthin.

Rreziqet që ka sjellë pandemia janë të shumta si në aspektin individual ashtu dhe në atë shoqëror dhe ekonomik. Izolimi i gjatë në shtëpi, shoqëruar me mbylljen e shkollave për fëmijët, rrezikun për të humbur punën ose humbjen e vërtetë të saj dhe një stres i papërjetuar më parë kanë krijuar një terren të favorshëm për rritjen e dhunës në familje, sidomos dhunën ndaj grave, aq më tepër atyre që vijnë nga grupet më vulnerable.

Studimet tregojnë se vajzat dhe gratë do vuajnë më shumë pasojat e pandemisë në disa drejtime.  Edhe pse në Shqipëri të dhënat zyrtare të raportuara nga policia e shtetit tregojnë se ka një rënie të numrit të raportimeve të rasteve të dhunës në familje krahasuar me një vit më përpara, telefonatat e organizatave që mbrojnë të drejtat e grave janë trefishuar. Kështu, shifrat e publikuara nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruar në Shqipëri tregojnë se Linja Kombëtare për Gratë dhe Vajzat 116117 ka marrë rreth 2000 telefonata gjatë periudhës së izolimit 10 Mars – 18 Maj 2020, një shifër tre herë më e lartë se ajo e një viti të mëparshëm. Faqja “nukjevetëm” ka patur një rritje prej 50% të pyetjeve/kërkesave për mbështetje gjatë kësaj kohe.Gjithashtu, rastet që janë bërë mediatike tregojnë se dhuna me bazë gjinorë, një fenomen prezent në familjet dhe shoqërinë shqiptare, ka marrë tashmë përmasa më të mëdha, padyshm nga efekti i izolimit dhe pasojat e COVID – 19 në ekonominë e vendit dhe në shëndetin mendor në njerëzve.

Ulja e denoncimeve zyrtare në policinë e shtetit nuk tregon medoemos ulje të dhunës në familje. Përkundrazi, shkaku mund të jetë frika më e madhe e grave për të denoncuar për shkak të rritjes së pasigurisë nga e ardhmja, në një periudhë të pasigurt për të gjithë. Një raport i UN Women tregon se ishin burrat ata që humbën më shumë punën në raport me gratë gjatë kësaj kohe (17% burra dhe 12% gra nga pjesëmarrësit e studimit). Megjithatë, gratë janë shpesh të punësuara në sektorin informal të ekonomisë, diçka që nuk raportohet dhe nuk i jep mundësinë të kenë mbështetje të mëtejshme (si p.sh. “paga e luftës”).

Por çfarë do të thotë në praktikë humbje e punës për burrin dhe për gruan në këtë kohë dhe si lidhet me dhunën në familje? Kur një burrë dhunues qendron më gjatë në shtëpi me gruan dhe fëmijët e tij, është më i ngarkuar emocionalisht për shkak të humbjes së punës dhe izolimit, kështu që mundësia që të humbasë kontrollin dhe të bëhet më dhunues është e madhe. Përsa i përket gruas që dhunohet nga partneri, në momentin që ajo humbet punën e saj, e ardhmja bëhet me e errët dhe e pasigurt. Qendrueshmëria e të ardhurave është një faktor kyç për të marrë vendimin e denoncimit të dhunës në familje, sidomos kur ka dhe fëmijë në mes. Kështu, në një kohë ku frika e humbjes së punës është më reale së kurrë dhe abuzuesit kanë më shumë kontroll ndaj viktimave të tyre për shkak të kufizimeve të pandemisë, vendimi për denoncim të dhunës bëhet më i vështirë.

Në këtë pikë kritike, është e rëndësishme që të strukturat dhe shërbimet për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës në familje të funksionojnë në mënyrë optimale. Vitet e fundit Shqipëria ka përmirësuar në nivel të konsiderueshëm kuadrin ligjor për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje me miratimin dhe azhornimin e ligjit për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare. Gjithashtu, ekziston struktura e ekspertit të dhunës me bazë gjinore dhe mekanizmi i referimit të dhunës në nivel vendor. Sipas raportit kombëtar “Dhuna ndaj grave dhe vajzave” këto struktura ekzistojnë në vetëm 39 Bashki nga 61. Këta punonjës hasen me shumë vështirësi për të realizuar punën e tyre, kryesisht për shkak të mungesës së shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës në familje. Numri shumë i ulët i strehëzave publike dhe mungesa e shërbimeve të emergjencës për trajtimin e rasteve emergjente të dhunës në familje cenojnë menaxhimin e mirëfilltë të këtyre rasteve. Një problematikë tjetër është mbështetja afatgjatë e të mbijetuarave të dhunës në familje për t’u fuqizuar dhe jetuar një jetesë të pavarur dhe larg dhunës. Prej vitesh gratë e mbijetuara nga dhuna në familje, ishin të detyruara të largoheshin nga shtëpia për t’i shpëtuar dhunës, pasi shpeshherë ajo ishte në pronësinë e bashkëshortit dhunues dhe ato nuk mund të prisnin vendimin e gjykatës. Në 18 Nëntor 2020 hyjnë në fuqi disa ndryshime në ligjin nr. 9669 dt. 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhënie familjare” të ndryshuar, ku parashikohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga shtëpia vetëm me ndërhyrjen e policisë së shtetit. Mbetet për t’u parë zbatueshmëria e këtij ndryshimi ligjor.

Gjatë kësaj periudhe është miratuar protokolli i punës për “Funksionimin e qendrave rezidenciale publike dhe jo – publike, që ofrojnë shërbime të strehimit tek viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore gjatë pandemisë COVID – 19”. Megjithatë, duke qenë se situata e pandemisë mund të shkaktojë rritje të nevojës për këto shërbime emergjente, strehëza dhe shërbime mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës në familje është e rëndësishme që këto të krijohen sa më shpejt dhe të shtohen në numër për të mbuluar zona të ndryshme në Shqipëri.

Këto kohëra sfiduese që kanë prekur çdo cep të jetës tonë duhet të na nxisin për të reflektuar si shoqëri për qasjen që do kemi ndaj problemit të dhunës në familje: sa do punojmë për parandalimin dhe ndërgjegjësimin dhe akoma më shumë sa do bëhemi aktivë tani e në vazhdim për eliminimin e këtij fenomeni. Së paku, kjo pandemi mund të shërbejë për të vendosur familjen në qendër dhe për të forcuar themelet e shoqërisë për ta mbrojtur atë.

Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC

NJV