Ankthi 20.10.2021
pershendetje, kam par me mijra komente mbi ankthin , un kam pothuajse 2 vite qe vuaj nga ankthi dhe kam perjetuar ndjenja nga me te ndryshmet , shpeshhere behem kokforte dhe i largoj mendimet negative dhe ndjenjat e kqia por disa her nuk ndihem mir perseri dhe pse e kaloj kte faze gjithmone , Pyetja ime eshte a i bejm ne vetes dem me keto mendime dhe ndjenja , sa do zgjasin , largohen ndonjehere?
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Më vjen mirë që ke kërkuar ndihmë.
Kuptoj që ke arritur t’i largosh mendimet dhe ndjenjat negative, edhe pse ato janë “rikthyer”. Ankthi është një ndjenjë që përjetohet nga të gjithë njerëzit, por kur ankthi bëhet i fortë ai ka nevojë të trajtohet. Besoj dhe shpresoj që të kesh folur me një psikolog ose terapist për ndjenjat dhe mendimet negative, përveç përballjes vetë me to.
Përsa i përket pyetjes që ke bërë në fund, është e rëndësishme të kuptosh që mendimet dhe ndjenjat janë pjesë e natyrës njerëzore dhe ato na ndihmojnë të kuptojmë dhe të njohim më mirë veten. Kur ndjenjat dhe mendimet negative bëhen shumë të forta, ato duhet të shprehen me një profesionist, për të gjetur mënyra shprehjeje dhe kanalizimi. Nuk janë ndjenjat dhe mendimet “të këqija” por ajo që bëjmë me to: nëse do gjesh mënyra të përshtatshme për t’i shprehur dhe për t’i përpunuar, atëherë këto mendime dhe ndjenja, sado negative të të duken, do të zbuten dhe do të transformohen në mendime dhe ndjenja më pozitive dhe të përshtatshme, pa të ndikuar më negativisht me të njëjtën forcë si më parë. Kohëzgjatja e mendimeve dhe ndjenjave negative, të cilat mesa kuptoj, nuk mund t’i kontrollosh dot, varet se çfarë bën me to. Nëse kërkon ndihmë te një psikolog dhe punon për t’i trajtuar shqetësimet, edhe mendimet e ndjenjat negative do të ulen.
Uroj të gjesh forcë dhe të kesh durim për të punuar me ndihmën e një psikologu për t’u përballur me mendimet dhe ndjenjat e tua dhe për t’i ndryshuar ato.
Të përshëndes,
Lediona Braho
Psikologe