Këshilla/Blog

Doni 21.01.2022

Përshendetje.U bëne ca kohe që po kaloj gjendje të keqe shpirterore do thoja depresive,e cila besoj se ka të bëjë me punën që bëj,e cila nuk i përshtatet profesionit dhe punës që kam berë më parë,kjo.Nga kjo gjëndje kam filluar të konsumoj shumë alkool,dhe po më duket sikur po krijoj vartësi.A mos do ishte zgjidhja lënia e punës? Po e diskutoj dhe me familjarët të cilët janë kunder lënies se punës. Po filloj të humbas besimin tek vetja, dhe çdo gjë po më duket e errët.Një këshillë nga ju besoj se do më ndihmonte.Faleminderit

  1. MSc. Lediona Braho - Psikologe klinike says:

    Përshëndetje Doni,

    Më vjen keq që po kalon një gjendje të vështirë, e di sa e mundishme mund të jetë të shkosh në një punë që nuk i përshtatet profesionit dhe preferencave të tua. Stresi dhe ngarkesa shpirtërore, të lidhura me punën, janë një faktor serioz që mund të shpjerë në shqetësime emocionale dhe të shëndetit mendor. Gjithashtu, siç të ka ndodhur edhe ty, mund të shpien në konsumim të alkoolit apo edhe substancave të tjera, çka e bën edhe më të vështirë përballimin e situatës. Duke përdorur alkool, duket sikur ke gjetur një mënyrë përballimi, por që në thelb, është e pashëndetshme, e dëmshme dhe e kushtueshme në të gjitha drejtimet.

    Sugjerimi im është që të kërkosh për një punë që i përshtatet profesionist dhe dëshirave të tua dhe të përpiqesh fort në këtë drejtim. Mirëpo, nëse gjendja jote shpirtërore është “depresive” siç ke shkruajtur, e marr me mend që ky kërkim ndoshta nuk është aq i thjeshtë në këtë periudhë.

    Për mendimin tim, është më urgjente një konsultë psikologjike, për të bërë një takim me një psikolog apo një profesionist tjetër të shëndetit mendor. Ndoshta ke nevojë për një proces terapie që do të të ndihmojë të qetësohesh, të vendosësh prioritetet dhe të marrësh një vendim më të drejtë për ty në lidhje me punën dhe jetën tënde.
    Merre ndihmën sa më herët dhe do të ndihesh më i çliruar dhe pamja do duket më e qartë. E rëndësishme është ta marrësh ti vendimin, jo familjarët.

    Të përshëndes,
    Lediona Braho
    Psikologe

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.