Këshilla/Blog

Ana 02.02.2022

Pershendetje,
Fillimisht ju falenderoj per kohen qe jeni duke i dedikuar shkrimit tim!
Une jam nje vajze 22-vjecare qe dyshoj se vuaj prej A. Social dhe/ose Generalized. Tashme, ka arritur nje stad qe po me pengon te jetoj jeten. Ndihem si Rapunzel brenda ne kulle, e mbyllur dhe e vetmuar. Si nje nxenese dhe studente e shkelqyer, plot ambicie dhe endrra, prisja nje te ardhme ndryshe per veten. Ne vitin 2021 u diplomova, dhe prisja qe rrugetimi im te fillonte. Por tashme jam duke kaluar nder periudhat me te erreta te jetes sime. Per prinderit e mi jam dembele dhe nuk pelqej te punoj(Nuk e di si mund te mendojne kete gje per nje njeri qe ka punuar kaq fort sa une). E verteta eshte se vetem ideja e te shkuarit ne interviste “in person” me bllokon ne ankth. Nuk mundem te shkoj te paraqitem. Nuk kam arsye te dal nga shtepia, te socializohem, te njoh miq te rinj dhe te perjetoj nje romance. Duket se jeta ime nuk ka kuptim, perpjekjet e mia kane qene te kota.
Sigurisht, nuk dua vetem te ankohen, por kam nevoje per nje zgjidhje konkrete. Jam lodhur me leximet, me fjalet motivuese se si duhet te guxosh dhe te veprosh. Per mua eshte teper e veshtire.
Deshiroj nje terapist te mire, me eksperience ne trajtimin e ketij crregullimi.
Gjithashtu dhe nje mjek per t’u diagnostikuar, emra dhe sugjerime konkrete. Nuk deshiroj te shkoj te mjekja e lagjes. Ate opsion e di. Eshte nje beteje qe duhet ta ndermarr vetem fatkeqesisht.

Faleminderit edhe nje here! Gjithe te mirat!

  1. MSc. Lediona Braho - Psikologe klinike says:

    Përshëndetje Ana,

    Më vjen mirë që lexoj një letër kaq të sinqertë dhe të orientuar drejt gjetjes së zgjidhjes.

    Nga ana tjetër, më vjen keq që po përjeton një periudhë të vështirë ankthi. E di sa e vështirë mund të jetë kur ankthi të pengon realizimin e dëshirave dhe ëndrrave, realizimin e vetes.

    Gjithashtu, më vjen keq që po ndihesh e pavlerësuar nga prindërit, pasi mendoj që do ishte tepër e nevojshme dhe e drejtë që ata të të vlerësonin për gjithë punën disavjeçare që ti ke bërë për të qenë një nxënësve e shkëlqyer.

    Ndonjëherë, jeta mund të bëhet e vështirë dhe gjërat nuk dalin siç mund t’i kesh parashikuar. Ankthi godet dhe të bllokon së realizuari veten. Ndoshta, bëhet fjalë për situata ankthi të akumuluara të cilat po shfaqen fuqishëm tani. Ankthi duhet trajtuar. Ndaj, një proces terapie mund të të vlente shumë për të kuptuar më mirë veten, për të gjetur mënyra për ta zhbllokuar ankthin dhe për të çliruar potencialet e tua.

    Në faqen tonë nukjevetem.al mund të referohesh për psikologë/ psikoterapistë/ mjekë, të cilët punojnë vullnetarisht në faqe, një pjesë e të cilëve punojnë në shërbimin e chat-it të faqes, pa pagesë (në orare të caktuar), si dhe ofrojnë shërbim online apo ballë për ballë në praktikat e tyre private. Ndihu e lirë që t’i shohësh dhe të zgjedhësh atë që ty mund të të duket më i përshtatshëm/ e përshtatshme për nevojat e tua. Të inkurajoj që ta bësh vetë zgjedhjen!

    Gjithashtu, të inkurajoj që të përpiqesh aq sa të mundesh, të tregohesh e butë me veten, të përpiqesh t’i japësh vetes atë që të tjerët nuk po ta japin dot (vlerësimin, dashurinë, pranimin e vetes pa kushte) dhe të gjesh forma nga më të ndryshmet për t’u lidhur me veten, me nevojat e tua, me dëshirat e tua, për t’i dhënë vetes një lloj “frymëmarrjeje” nga shumë gjëra që po të lodhin.

    Shpresoj të të kem ndihmuar sadopak dhe uroj që të gjesh burimin më të mirë të ndihmës për veten tënde!

    Përzemërisht,

    Lediona Braho

    Psikologe

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV