Këshilla/Blog

Xhensila 05.06.2023

Pershendetje! Jam natyre shume e ndjeshme dhe mbimendoj gjerat. Per shume gjera qe kam deshire ti bej, pasi ti bej ato pendohem. Mallkoj veten pse i hap kot probleme dhe pendesa me merakos aq shume sa me pritet oreksi dhe kam te perziera. Kam deshire te bej ndryshime, por kur i bej dhe nuk shkojne sic duhet pendohem pa fund. Fiksohem dhe e mbimendoj situaten, pse e bera, cfare mu desh ta beja, isha mire etj. Cfare mund te bej per ti lehtesuar keto ndjenja pasi po me mbysin. Fajsoj dhe denoj veten qe sdi ti bej gjerat sic duhet dhe me ecin gjithmone ters. Faleminderit!

  1. Bylyre Serjanaj says:

    Përshëndetje Xhensila,

    Besoj se është shumë e vështirë të bësh një jetë me pendesa, kritika, dhe ndjenja kaq të forta faji. Më vjen keq për këtë. Ndoshta e gjithë kjo formë se si sillesh me veten mund ta ketë burimin diku tjetër. Ndjenjat e tua të fajit mund të jenë të hershme dhe siç mund të të kenë fajsuar dhe ndëshkuar, ashtu ke filluar të vetëfajsohesh apo vetëndëshkohesh. Përpiqu të kuptosh se pse gjithë kjo pendesë apo ndjenja faji.
    Për çfarë të shërben të pendohesh apo të fajsosh veten vazhdimisht? Si të hynë në punë ky kriticizëm ndaj vetes?
    Do doje të ndaje me ne një situatë më konkrete? Në letër shpreh se gjëra të ecin gjithmonë ters, duket sikur ka edhe ndjenja zhgënjimi.
    Më vjen keq që të duhet të përjetosh gjithë këto ndjenja dhe mendime të vështira për t’u menaxhuar. Të sugjeroj që sa herë ta kapësh veten në këtë cikël mendimesh, shkruaji diku dhe vendosi pak në pikëpyetje. A janë vërtetë aq të kqija gjërat që ti bën? Cilat janë pasojat negative të asaj që ti bën? A janë afatgjate këto pasoja? Po pasojat pozitive? A ia vlen fakti që ti e provon diçka dhe kupton nëse të pëlqen ose jo, nëse të leverdis ose jo, apo nëse dëshiron ta bësh prapë ose jo? A je vërtetë duke bërë faje kaq të mëdhaja sa po vuan? E kuptoj, që do ishte perfekte të bënim vetëm gjëra saktë, të lavdëroheshim gjithmonë nga të tjerët, por kjo nuk ndodh gjithmonë.
    Njeriu është qenie kurioze, provon dhe eksploron. Nga këto, kupton se çfarë pëlqen apo nuk pëlqen, çfarë e bën të ndihet mirë apo keq, çfarë i leverdis ose jo.
    Është e pamundur të dish të gjitha këto nëse nuk gabon në disa zgjedhje që bën. Përpiqu të marrësh pak kohë dhe të reflektosh mbi pyetjet më lartë dhe ndihu e lirë të më rishkruash.

    Gjithë të mirat,
    Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.