Këshilla/Blog

M 11.12.2023

Pershendetje! Shpresoj qe ta lexoni mesazhin tim. Une per nje kohe te gjate kam ikje te mendimeve sa here qe me duhet te flas ne publik para njerezve ose ne klase cdo gje me iken nga mendja dhe mendja ime papritmas eshte bosh. Ky eshte nje problem shume i madh per mua pasi une gjithmone kam qene nje person qe mendon jashtezakonisht shume dhe nuk dua qe mendja ime te jete bosh. Shpresoj te jeni duke me kuptuar çfare dua te them. Kjo situate me ka merzitur shume, madje ky ndryshim ka ndikuar shume dhe tek une me ka bere te jem nje person qe vetem flet dhe nuk e kontrolloj dot te foluren time dhe as emocionet, me ka bere te jem me euforik dhe ndonjehere flas dhe pa menduar vetem flas dhe e urrej se si jam bere i tille. Une gjithmone kam qene nje femije i qete dhe jo shume i lumtur dhe i urrej keto ndryshime qe po ndodhin. Mua nuk me pelqen fare ndryshimi dhe jam shume i rregullt ne cdo gje, por kjo situate me ka bere te ndihem akoma dhe me keq. Nuk dua qe kjo te vazhdoj me. Dua te jem serish vetja ime e meparshme. Une nuk i di me saktesi crregullimet e shendetit mendor qe mund te kem , por mendoj se kjo mund te jete pjese e çrregullimit bipolar ose dhe ndoshta ADHD, por nuk mundem ta diagnostifikoj veten veten. Une nuk mundem te flas me dike per kete problem dhe as nuk mund te konsultohem me nje psikolog/psikiater. Ju lutem me ktheni nje pergjigje, do te me ndihmonit jashtezakonisht shume. Faleminderit!

  1. Aida Yzeiri says:

    Përshëndetje i dashur M, të falenderoj që i je drejtuar faqes.
    E lexova me kujdes letrën tënde dhe mund ta kuptoj shqetësimin dhe frikën ndaj këtyre ndryshimeve dhe reagimeve, që po të ndodhin. Me sa shkruan në letër shqetësimi kryesor është bllokimi apo kjo zbrazëtia në të menduar, në rastet kur je në klasë apo para një publiku. Nëqoftëse do mund të ktheheshe me mend të kujtosh, se kur mund të ketë ndodhur për herë të parë kjo gjë, çfarë situate ka qënë? Si je ndjerë? A të ndodh të kesh këtë bllokim të mendimeve edhe në raste të tjera, përveçse kur je para të tjerëve?
    Si fillim do të thoja, që para se të rendësh për t’i vënë një epitet apo “diagnozë” shqetësimeve që ke, t’i dedikosh më tepër mundësi vetes, për ta kuptuar më mirë.
    Nuk është e pazakontë tek nxënësit, që të përjetojnë bllokime të tilla duke pasur frikë, se do japin shpjegime të gabuara, se nuk do flasin saktë apo se mund të tallen nga të tjerët, pas atyre që do thonë.
    Dhe shpeshherë pas këtyre episodeve mund të krijohet nxitja për të rekuperuar, duke bërë të kundërtën- që vjen me impulsin për të folur më shumë… siç të ka ndodhur edhe ty.
    Gjithashtu në moshën e adoleshencës, ndodhin ndryshime si në trup, në emocione dhe mënyrën e të menduarit, gjë që në fillim nuk është e lehtë për t’u pranuar apo për t’u ndjerë rehat. Ndoshta po të flasësh me shokë apo shoqe, që i ke persona të besuar do kuptosh që edhe ata mund të jenë duke kaluar ndjesi të ngjashme ndaj ndryshimeve, që po i ndodhin,
    E kuptoj edhe vështirësinë dhe hezitimin, që ka çdokush për t’ju drejtuar psikologut, megjithatë ti tashmë e ke bërë hapin e parë duke shkruar këtu. Të përgëzoj, qe e ke gjetur guximin. Unë do të sugjeroja që ndoshta mund t’i drejtohesh edhe psikologut/es së shkollës pasi mund të të japi këshilla për disa teknika sesi mund të kalosh këtë bllokimin/frikën nga të folurit para klasës apo gjithashtu të kontaktosh një psikolog këshillues,i cili mund të mbështesë që të kuptosh më mirë veten dhe në gjetjen e mënyrave më të mira përballuese ndaj shqetësimeve, që po kalon.
    Uroj që të kem ardhur sadopak në ndihmë.
    Gjithë të mirat!

  2. M says:

    Ju falenderoj shume per pergjigjen tuaj! Me keni bere te ndihem pak me mire duke me kuptuar, ju falenderoj! Do perpiqem te bej gjithcka qe me keni sugjeruar sepse ndoshta mund te ndihem dhe pak me mire.

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV