Martin Camaj 08.10.2019
Doktoreshë,
Uroj të jeni mirë. Cfarë më rekomandoni të bëj me ankthin ekzistencial në moshën time? T’a konsideroj një fazë kalimtare, apo të ndjek impulset e brendshme për të ndryshuar jetën time kryekëput në përgjigje të lirisë së rigjetur?
Martini
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Martin!
Uroj të jesh mirë. Shoh që pyetja që më drejton nuk është e hapur. Duket se je i qartë me mundësitë, por jo dhe aq për zgjedhjen. Ti po më pyet çfarë të rekomandoj, unë të pyes cfarë do ti të bësh me ankthin tënd?
Por, po them dhe nja dy gjera nëse më lejon.
Ankthi ekzistencial, i quajtur kështu, njërin nga burimet themelore ka frikën nga vdekja.Ti përmend impulset e brendshme dhe mua më kujtohet se si instikti i vdekjes kërkon vdekjen, e frika nga vdekja kërkon ta shmangë atë. Ti si shkrimtar që je, Martin, besoj se e përjeton mendjen me shtresa. Nëse supozojmë ekzistencën e një instinkti vdekje, mund të hamendësojmë gjithashtu se në shtresat më të thella të mendjes ka një përgjigje ndaj këtij instinkti në formën e frikës nga asgjësimi i jetës.
Më duket tepër kurjoze që JU MBANI EMRIN E DIKUJT Që KA VDEKUR! Po të dyshoja për vërtetësinë e tij (të emrit tënd) do të thoja se mendja, pa e kuptuar ti, po të bën një rreng!
Do të të thoja: Duket sikur për të ngushëlluar veten dëshiron të ringjallësh të vdekurin.
E ti, ndofta, do të thoje: “është thjesht një emer.”
Une do t’ju ktheja: : “Po më thua se nuk e pranon vdekjen?”
Por, të kthehemi te pyetja që ti ke për mua.
Ne fjalorin e gjuhës shqipe ndajfolja kryekëput shpjegohet kështu:
KRYEKËPUT ndajf.
Në mënyrë të plotë, tërësisht, krejt. Ka ndryshuar kryekëput. Është dhënë kryekëput pas punës (pas familjes).
Me siguri ti si njeri i letrave e di “këtë gjë”. Fjala, sërish, ka një ngjyrim të fuqishëm që me kujton terma që në teori janë parë të lidhura me ankthin. Të tilla si, pafuqia fizike, humbja, ndarja. E ndjekur kjo ndajfolje me togfjalëshin “liri e rigjetur” më bën të pyes veten: çka ndodhur në jetën tënde së fundmi?
Martin po të sjell dhe njëherë në fillimin e përgjigjes së kësaj letre:
Uroj të jesh mirë. Shoh që pyetja që më drejton nuk është e hapur. Duket se je i qartë me mundësitë por jo dhe aq për zgjedhjen. Ti po më pyet çfarë të rekomandoj, unë të pyes cfarë do ti të bësh me ankthin tënd? Ky është rekomandimi im: Bëj c’të dëshirosh.
Të përshëndes,
Klodjana