Paemer 27.08.2021
Pershendetje,kam nje ankese qe disa muaj po kam probleme me ankthin sikur po me zinet fryma ,jam duke vozitur me duket se kam me vdeke me kap njefar shtrengimi siper gjoksit sikur nuk po mundem te ngihem fryme ,jam duket perdore nje terapi a ka ndonje rast te njejte ju lutem me tregoni!
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Ankthi është një gjendje fiziologjike dhe emocionale në të cilën truri dhe trupi duket se janë në një gjendje “alarmi”. Kjo gjendje mund të jetë mësuar në një situatë specifike ose në një periudhë të caktuar në të kaluarën dhe vazhdon edhe në të tashmen. Është një reagim automatik dhe trupi “e mban mend” dhe e aktivizon në situata ose momente të caktuara (të ditë ose të natës). Ankthi kanalizohet në trup duke të dhënë simptoma të ndryshme si mbajtja e frymës, shtrëngimi në gjoks etj.
Më vjen mirë që po bën terapi, besoj dhe shpresoj që të të ndihmojë për të gjetur mënyra për ta përballuar ankthin dhe për ta trajtuar atë. Në raste të caktuara, nëse ankthi bëhet i fortë mund të jetë e nevojshme një konsultë me një mjek për të vlerësuar nëse do nevojitet ndonjë mjekim mbështetës për uljen e nivelit të ankthit.
Në terapi (por edhe duke kërkuar vetë në mënyrë të pavarur) mund të mësosh teknika relaksimi për menaxhimin e ankthit: frymëmarrja, relaksimi i muskujve, meditimi, joga dhe forma të tjera.
Uroj që të marrësh ndihmën për të cilën ke nevojë në terapi dhe të gjesh mënyrat e përshtatshme të përballimit në jetën e përditshme, në mënyrë që pak nga pak, të kesh një sens më të madh kontrolli dhe të fuqizohesh.
Të përshëndes,
Lediona Braho
Psikologe