Këshilla/Blog

19.02.2018

Pershnetje jam nje djal 23 vjec vuaj nga ankthi ne lidhje me shndetin tim dhe me duhet shume ndihma juaj para 5 ditesh dhurova gjak per here te pare per humanizem dhe ketu filloi ankthi im pasi kur shkova aty per dhurim ata nuk me kontrodhuan tensionin apo presionin e gjakut dhe me more gjak nga krau i majte gjithsesi para dhe pas dhurimint nuk pata problem por me filluan shqetsime se mos me demtohet zemra dhe pesoi nje infarkt te mundeshem dhe hyra ne internet dhe fillova ne dukte bere kerkime ne lidhje me kete gje dhe aty rash ndesh me nje raste te nje vdekje jashte shteti nga dhurimi gjakut thuesh se personit i kishte rene infarkt dhe kishte nderuar jet po ate dite te dhurimit .Dhe ketu filluan shqetsime e mia se mos dhe mua me ndodhte dicka e till me filluan dhimjet e kokes ndiesha i lodhur me shterngonte zemra ankthi me nisi shume nuk dija cte beja ishte dita e dyte mbas dhurimit nuk durova dote shkova ne urgjence per nje vizit per merak por doktori me tha se nuk kisha gje per tu stresuar eshte psikologjike me tha jam bere plote 5 dite tani dhe ankthet e nje infarkti te mundshem akoma vazdoin ne mendjen time dhe nuk ikin edhe pse thelle ne mendjen time e di qe nuk do ndoll dhe kam folur dhe me nje mikun tim te familjes doktor anglez dhe nuk ndolle gje mos ta vras mendjen por situata me del jashte kontrollit te lutem doktor me ndimo nuk di cte bej keto mendime nuk po ke lene rehat madje edhe mendimet e humbjes se jetes duke menduar se ajo ndoshta to te ndolle nga i faktore qe siperpermenda

Me shume respekt jam ne pritje te ndihme ne lidhje me kete faleminderit

  1. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje
    Faleminderit që na ke shkruar për atë cfarë po të shqetëson.
    Me sa kuptoj nga letra jote duket që ndodhesh në një situatë që është e vështirë për ty ku i menduari negativ apo i keqpërshtatur ndaj një ngjarje në jetën tënde, ka prodhur një cikël motorik të mendimeve, shqetësimeve e ndjesive të amplifikura deri në të menduarin e një infarkti a situatë fatale.

    Në radhë të parë të përgëzoj për faktin që ke dhuruar gjak. Mund ta kuptoj se cfarë ndjesish ke patur dhe më lejo të ndaj edhe që ka qenë një eksperiencë që e kam provuar personalisht.
    Ndoshta të ka shoqëruar edhe një siklet “i fjetur’ lidhur me të, faktin që mund të ndodhte dicka e gjithsesi normalisht që ndihesh pak më i dobët fizikisht, pas momentit të dhurimit.
    Mendoj që është gjithashtu e rëndësishme që ta mendosh si një akt pozitiv e human (sic është me të drejtë) pasi duket që deri tani e asocion me mendime e ndjesi negative.

    Gjëja tjetër e rëndësishme është që ti je vizituar dhe je konsultuar nga ekspertë të shëndetit dhe nuk raportohet që të ketë dicka për tu shqetësuar në trupin tënd dhe kjo është gjë shumë e rëndësishme, që kërkohet t’ja kujtosh vetes vazhdimisht në momentin që të pushtojnë mendimet e ndjesitë që ke.

    Tani, cështja është që sic e përmenda pak më lart është krijuar një situatë ku si zinxhir disa mendime kanë prodhuar të tjera dhe duket se ti edhe e ke orientuar veten për të gjetur e “konfirmuar” informacione lidhur me këtë gjë. Mendimet negative krijojnë ndjenja e ndjesi negative e këto si një cikël shkak-pasojë vetëm tentojnë të rriten.
    E kuptoj që ti tashmë po përballesh me këtë gjë, por mendoj që është e rëndësishme të kuptosh se si ky “mekanizëm” që krijohet apo krijojmë në një moment ushqen e riprodhon të njëjtën skemë ankthi.
    Shumë prej nesh mund ta bëjnë këtë gjë, lidhur me situata nga më të ndryshme në jetën tonë.

    Në këtë moment, kërkohet që të thyhet kjo “skemë” mendimesh e ndjesish duke i zëvendësuar ato me mendime e ndjesi më pozitive. Ndoshta nuk e lehtë që të ndodh menjëherë si ndryshim.
    Në momentin që nuk ndihesh mirë, përpiqu që fillimisht të relaksohesh nëpërmjet një frymarrje të qetë e të plotë dhe qetësimi të trupit, muskujve etj. Përpiqu ta lokalizosh vendin në trupin tënd që mbledh ankthin apo ndjesinë negative e nëpërmjet frymarrjes, mendimit pozitiv të përpiqesh ta relaksosh.

    Duke qenë që mund të kapesh nga mendime negative, e para është të disiplinojmë mendjen nëpërmjet “stop të menduarit”, mbase edhe duke ja thënë vetes me zë apo pa zë “Stop”. E tjetra është të përpiqesh ti zëvendësosh mendimet negative me argumentat e kundërt lidhur me atë që po provon. Këto argumenta dhe fakte duhet ti kërkosh vetë e tja pohosh vetes fort (gjithsesi njëri është madhor sepse realisht ti je vizituar dhe nuk ka dicka shqëtesuese me shëndetin).
    Gjithashtu në rast se ke persona përreth të cilët mund të të ndihmojnë në këto momente specifike me këshillat, prezencën apo fjalët e tyre dhe e kuptojnë drejt situatën tënde, do të ishte shumë mirë për ty.

    Mund të provosh edhe një mënyrë/teknikë tjetër, që në këto momente ankthi, ti ftosh të gjitha mendimet e tua e ndjesitë negative të vijnë te ty, të rrinë aty me ty, mos ti shmangësh, por ti pranosh edhe ti sfidosh duke i lenë të jenë aty si “armiqtë e tu që do ti bësh miq” të lesh të ndodhin. Mbase kjo mund të krijojë ndjesi të forta për momentin por ndërkohë mund ti verifikosh vetes që mund të jetë vetem një situatë momentale që largohet, pa krijuar as infarkt, asgjë tjetër shqetësuese. Kjo mund të jetë pak më e fortë si mënyrë dhe në rast se ta rrit ankthin shumë dhe pa kontroll, atëherë mirë është të bëhet stop.
    Por unë do të ftoja të përqëndroheshe në fakt në mënyrat që përmenda pak më lart.

    Më sipër u përmendën disa teknika për të marr në kontroll mendimet e ndjenjat e tua dhe për ti zëvendsuar apo balancuar ato dhe këtë duhet ta bësh vazhdimisht, por në rast se këto bëhen shumë dominuese e shqetësuese gjatë ditës e interferojnë me aktivetetet e jetës së përditshme, atëherë mund të kërkosh edhe takim me një ekspert psikolog që mund të ndihmojë nëpërmjet takimeve përballë se si të adresosh mendimet e ndjesitë që ke.

    Shpresoj që gjithashtu jeta jote të jetë e mbushur me aktivitete të tjera që shërbejnë për të shkarkuar ankthin, na largojnë nga i menduari i vazhdueshëm nga dicka prej së cilës duket se momentalisht nuk shkëputemi dot.

    Uroj që përgjigja të të ketë ndihmuar,
    Gjithë të mirat më tej,
    Me respekt,
    Almandina

  2. MSc. Sonila Mecaj says:

    Pershendetje,
    Une qe po shkruaj jam psikologe dhe psikoterapiste, pasi ashtu si e thua edhe ti vete eshte e qarte qe nuk ke asnje arsye te jesh i shqetesuar per shendetin fizik, pervecse per ate psikologjik. Fillimisht kerkoj ndjese qe kjo pergjigje u vonua pak, pasi e kuptoj shume mire se c’do te thote te jesh ne ankth te vazhdueshem dhe te presesh nje pergjigje per problemin tend. Nga ana tjeter, besoj dhe ti vete e kupton qe mendimi yt se dicka e keqe mund te te ndodhe pasi ke dhene gjak para disa ditesh eshte mjaft i ekzagjeruar dhe disi absurd. Eshte e vertete qe ne Shqiperi mund te ndodhe qe procedura te caktuara standard te anashkalohen, dhe kjo mund te behet shkak per te patur dyshime si ato qe te linden ty ate dite qe dhurove gjak, pasi ne pergjithesi ne te gjithe kemi pak besim te sherbimi shendetesor i yni dhe sapo verejme qe dicka nuk behet ashtu si do te duhej, lindin shqetesime te ndryshme. Ajo qe ka ndodhur me ty eshte nje forme somatizimi i shqetesimit mendor qe do te thote se mendimi/frika se dicka e keqe mund te te ndodhte prodhon shqetesime fizike si shtrengimi i zemres, dhimbja e kokes, etj. te cilat te japin ty nje arsye reale per tu shqetesuar per shendetin tend.
    Pra e gjitha ndodh ne nje forme rrethi te mbyllur (vicioz):
    • Ti mendon “po sikur stafi i marrjes se gjakut te kete bere nje gabim fatal qe mund te te shkaktoje vdekjen?”.
    • Ky mendim te shkakton shume frike.
    • Mendimi frikesues ben qe truri te prodhoje disa reagime tipike ndaj frikes, sic jane frymemarrje me e shpeshte, ndryshime te rrahjeve te zemres, kontraktim i muskujve, qe jep shtrengim ne zemer apo dhimbje koke.
    • Pasi ndien keto lloj shqetesimesh, ti fillon te mendosh se vertete ka dicka qe nuk shkon me trupin tend, ndonje semundje, ndonje gje e shkaktuar pas dhenies se gjakut.
    • Keshtu mbyllet rrethi te mendimi fillestar.

    Kur perfshihesh ne nje menyre te tille te menduari, behet e veshtire qe te arsyetosh drejt dhe realisht, por nese mban parasysh faktin qe eshte nje hipoteze (pra nje dyshim, nje ide dhe jo nje fakt) ajo nga nis gjithcka, mund t’ia dalesh ta prishesh ciklin e mbyllur.

    Njekohesisht eshte mjaft e rendesishme te theksoj se dita qe ti vendose te dhuroje gjak eshte vecse ‘ngjarja qe u be sebep’ qe ty te te niste ankthi dhe shqetesim per shendetin. Origjina e vertete me siguri eshte diku tjeter, por per kete une nuk mund te them asgje pasi nuk e njoh historine tende, te jetes tende, historine shendetesore. Per shembull, ke patur here te tjera kontakt me spitale apo qendra shendetesore dhe, nese po, si je ndier? Ke patur me pare frike nga semundjet apo vdekja? A ke njeri te aferm qe ka vuajtur ose vuan nga ndonje semundje, apo crregullime te ankthit? A ke patur dhe me pare raste qe te kapur ankthi per ndonje shkak te caktuar? A je I shqetesuar per dicka konkrete ne jeten tende ne kete periudhe?

    Te gjitha keto pyetje dhe te tjera si keto jane shume te rendesishme per ta pare problemin tend ne nje kendveshtrim me te gjere dhe jo vetem ne lidhje me ndodhine e dhurimit te gjakut. Te gjithe njerezit qe preken nga ankthi dhe shqetesimet obsesive (te perseritura dhe fikse) ne lidhje me shendetin, iu behet sebep dicka, nje ngjarje rastesore, por arsyet e verteta jane gjithmone me te thella.
    Uroj qe kjo pergjigje te te kete ndihmuar sadopak per te kuptuar qe nuk ke asnje problem fizik per tu shqetesuar, pork e probleme psikologjike te cilat nuk duhet t’i lesh pas dore. Shkruaj perseri per tu ndihmuar me tej, ose kerko nje psikolog qe mund ta takosh per te folur me shume ne lidhje me veten.

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV