i 20.05.2021
Pershendetje jam nje vajz 17 vjeqe dhe tani jam duke perfunduar gjimanzin problemi im eshte me te foluren
Kur dal para klases qe te prezantoj ndodnje projekt ose kur pyten para profesoreve me mirret goja shum madjee dhe emrin tim spo mundem me than kur po ka shum njerz dhe ne shtepi belbezoj shpesh por qka me vjen qudi qe kur jam vetem ne dhom ose kur jam e qet e lumtur nuk belbezoj fare madje mund te flas shum shpejt pa ndonje problem
A eshte pershkak te stresit dhe a duhet te konsultohem me ndonje psikolog apo logoped
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje e dashur, perderisa ndodh vetem ne vende publike ku ka njerez, ke emocione dhe normal te cdokush ndikon mirpo ka njerez qe e menaxhojne mire, ka edhe qe nuk munden. Mirpo ti duhet te jesh e lire dhe mos e mba mendjen aty, clirohu sepse edhe nese gabon nuk eshte fundi i botes, cdo njeri i gjall gabon, dhe prej gabimit mesojme. Behu e forte dhe beso ne veten tende, mirpo nese e ndjen te nevojshme mund te shkosh te vizitosh nje psikolog! Shum dashuri❤️
E dashur letërshkruese,
Po, sigurisht stresi mund të shkaktoj probleme tek mënyra se si ne e shprehim veten tonë.
Shpesh në rrethana dhe ambiente të ndryshme ne mund të ndiejm nervozitet dhe stres. Të folurit dhe të performuarit në praninë e të tjerëve, bisedat me njerëz të rinj ose të qenurit i pranishëm në një ambient që ndiejmë parehati janë ndër situatat ku ne mund të përjetojmë stres në nivele të ndryshme. Rrethana të tilla na nxisin për të treguar dhe për të shfaqur veten tonë. Natyrisht kur gjendemi përballë situatave vlerësuese ku ne do vlerësohemi nga të tjerët, si në ambientin shkollor kur prezantojmë ndonjë projekt etj., është e pashmangshme dhe e zakonshme që të ndihemi në presion për të kontrolluar se si e shfaqim dhe e shprehim veten.
Në letrën tende je shprehur se je në vitin e fundit në gjimnaz. Përfundimi i gjimnazit është një fazë e rëndësishme e jetës tonë, ku ne supozohet të ndërmarrim hapa të rëndësishme drejt të ardhmes. Drejtimi dhe zgjedhjet që ne do ndjekim janë të reja dhe të ndryshme nga ato të mëparshmet. Si çdo risi, përfundimi i gjimnazit dhe hapat që do ndiqen pas saj janë arsye që na nxisin emocione të forta, si ankthi dhe presioni brenda nesh.
Megjithëse ankthi në vetvete shërben si një alarm që na provokon për të vepruar dhe për të zgjidhur situatat e vështira; përjetimi i saj në një nivel të lartë mund të ndikoj dhe të na paralizoj mbi mënyrën se si ne e shfaqim dhe e prezantojmë veten. Edhe pse ekspozimi i vetes shërben si një mjet që na nxit të ndërveprojmë dhe të krijojmë lidhje me të tjerët; kjo mund të kthehet në një burim presioni kur i trembemi mundësisë se përshtypjet, vlerësimet dhe reagimet e të tjerëve ndaj nesh mund të jenë të papëlqyeshme ose kritikuese. Frikëra të tilla mund të na provokoj që ne të kontrollojmë dhe të vëzhgojmë veten në praninë e të tjerëve. Vëmendja e vazhdueshme ndaj mënyrës si flasim mund të na pengoj të flasim rrjedhshëm, edhe si pasoj sa më shumë të kontrollojmë veten aq më shumë mund të na merret goja. Secili prej nesh mund të ndodh që të belbëzojmë nëse vetmonitorohemi dhe kontrollojmë çdo fjalë që na del nga goja sa herë që duhet të flasim. Sa më shumë të na përsëritet përvoja e belbëzimit, aq më shumë ne mund të ndiejmë presion dhe frikë se mos do belbëzojmë sërish.
Nga letra jote duket se përveç ambientit shkollor edhe ne shtëpi vetmonitorohesh, ku si pasoj belbëzon. Padyshim që kalimi nga një fazë të rëndësishme shkollore mund të ndikoj që të ndiejmë parehati në rrethana të ndryshme. Megjithate, shtëpia dhe familja supozohet të jetë vendi ku ne supozohet të ndiejmë më shumë siguri dhe mbështetje. Kur ne nuk arrijmë të qetësohemi dhe të ndihemi të sigurtë në familje, kjo tregon se ndoshta familja është një ndër arsyet që ne ndihemi në presion dhe stres.
E dashur letërshkruese, konsultimi me një psikoterapist\e rreth belbëzimit dhe përjetimeve tua, në rrethana të ndryshme familjare dhe shkollore, mund të ndihmoj më tepër për të kuptuar arsyet që nxisin ankthin dhe belbëzimin tek ti. Psikoterapia me një ekspert mund të ndihmoj për të zgjidhur belbëzimin dhe për tu ndier me e qetë dhe e lirshme.
Të uroj gjithë të mirat!
Ana