24.10.2016
Pershendetje, kisha deshte ne fillim me ju falenderu per mundesine e dhene.. Jam nje vajze qe jetoje ne nje fshat te “prapambetur” do e quaja une, dhe mendoje se jam homoseksuale, ne shkolle dhe askund tjeter nuk kam tregu sepse edhe po ta beje ndonjehere me tregojne se eshte thjeshte “faze,, dhe une e urrej kete gje.. I urrej djemt ne nje menyre jam duke u munduar ta qese ne pah kete qe sa kohe tash kam mbushur 14vite edhe me te vertete e kam te veshtire.. Kam vendosur nje flamur te LGBT-community ne dhome edhe e ema se priti edhe aq mire vetem se kisha vendosur flamurin e lereme ti tregoja qe ka mundesi te jem pjese e asaj.. jam ne nje faze ku gjithqka po me shkon keq mendimet, spo mundem ti ndaloj… Kur bie fjala ne shkolle per homoseksualet ose dic te tille une menjehere kundershtoje mendimet e tyre aspak me vend.. Jam ne hall, biseksuale do ishte me se mire ti thoja vetes, sepse me pelqejne djemt e bukur por nuk me terheqin ne nje menyre se di si ta spjegoje.. Do ju falenderoja te me jepnit mendimet e sakta ose qe do te me ndihmoni spo e di se ku e kam koken!! FALEMNDERIT JUVE!
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Faleminderit ty për letrën dhe që na besove mendimet, ndjesitë e konfuzionin që ke kohët e fundit.
Përmes letrës tënde e kuptoj që kjo është një periudhë e rëndësishme për ty, por edhe sfiduese drejt njohjes së vetes, cfarë të pëlqen, të kuptuarit e emocioneve të ndryshme, por edhe të marrurit me realitetin përreth që duket nuk e favorizon diversitetin dhe e ka të vështirë ta pranoj “të ndryshmen”.
Me sa kuptoj nga letra jote, ti shpresh shumë konfuzion, emocione të kundërta, duke përmendur se mendon se je homoseksuale, por ndërkohë që ke edhe tërheqje për meshkujt e bukur dhe në gjykimin tim kjo është një rrugëtim që ti po ndjek për të zbuluar veten, pavarësisht që është kaotik, dhe aq më tepër e predispozuar nga mosha në të cilën ti je, ku qëndrore është eksplorimi i vetes, i relacioneve me të tjerët në kuptimin emocional e fizik, dhe aspektet e zhvillimit hormonal kanë goxha peshë.
Me këtë dua të të them që është shumë ok e normale që po përjeton konfuzion apo kaos, pasi kjo do të thotë që nevojitet të kuptojmë e të njohim më mirë veten, kështu që të këshilloj ta perceptosh e mendosh si një rrugë që duhet të përshkruash.
Do dëshiroja të na tregoje më shumë për marrëdhëniet e tua me vajzat e djemtë.
Si janë ato? Cilat janë raportet më të mira që ke? Cfarë të tërheq më shumë? Cilët janë më të rëndësishëm për ty? Cfarë të pelqën fizikisht? Nga cfarë tërhiqesh më shumë, etj?
Dhe një pyetje e rëndësishme, pse i urren djemtë, lidhet me ndonjë gjë specifike apo situata të kaluara? Duket sikur këtu ka dicka për të cilën nuk jepet informacion i plotë në letër.
Kur flasim për seksualitetin, nënkuptojmë disa aspekte të tij:
Sensualiteti lidhet me ndjesitë që ti ke për trupin tënd dhe trupin e të tjerëve. Sensualiteti përkthehet nëpërmjet ndjesive atraktive për personin tjetër, nevojën për tu prekur (dhe jo vetëm seksualisht), imazhin për trupin, fantazinë.
Intimiteti seksual është të qëndruarit pranë fizikisht me dikë dhe të pranosh të njëjtën gjë prej tij/saj. Kjo përmbledh të provuarit e vulnerabilitetit, rrezikun e e emocioneve e pëlqyeshmërine apo dashurinë e provuar për personin tjetër.
E momenti tjetër është pikërisht identiteti seksual, kur ne formësojmë se cfarë duam e cfarë na tërheq në të vërtet.
Kështu që lidhur me cdo gjë që është përmendur më lart, nuk mund të dish se cfarë do apo kërkon në rast se nuk i jep shanse vetes të ndërtosh marrëdhënie. Dil, njih, kupto cfarë do, përpiqu të njohësh veten tënde, nga cfarë shmangesh, cfarë të drejton.
Do të këshilloja që më shumë se të vendosësh veten në kërkim (apo zgjedhje) të preferences seksuale, të vendosësh veten në kërkim të personit e shpirtërores që do të bëj të ndihesh mirë, pa i bërë presion as vetes dhe as tjetrit.
Gjithashtu, me cfarë kuptoj në letrën tënde, ti qenke goxha luftarake për të drejtat e personave (pavarësisht fazës në të cilën je dhe që po eksploron më shumë për veten). Ky aspekt i joti është në fakt për tu përgëzuar sepse përbën një hap për të hapur mendjet e njerëzve në përgjithësi. Kështu që të përgëzoj për kontributin tënd për të ndryshuar dicka në ambjentin përreth që edhe të tjerët ta pranojnë diversitetin seksual.
Shpresoj që përgjigja të të ketë kthjelluar në mendimet e ndjenjat e tua dhe të uroj gjithë të mirat në eksplorimin drejt njohjes së vetes,
Je e mirëpritur të na shkruash sa herë që dëshiron,
Me respekt,
Almandina Guma
Pershendetje prap, dhe falemnderit juve per kthimin letres, neve vajzat jemi shume te paprekshme, ne aspektin kur them e paprekshme mendoj per cdo gje eshte shume e veshtire dhe e jo ok per trurin tim qe ne krah te kem nje djal nuk e di sa mundem te sqarohem per cdo gje.. sa i perket raporteve te mija, me djemte dhe vajzat eshte histori e gjate dhe jo vetm e gjate por e stergjate.. Djemt nuk eshte se i urrej ne raport me mua por thjeshte mendoj se jam sepse me terheqin vajzat e bukura, nje dashuri qe percjellin, shpresoj se do t’ia arrij ta sqaroj krejte qka po mundohem.. Gjithashtu, gjjthashtu skuqem me vie turp dhe emocionohem ne nje menyre, kur flas me nje djal ose dic te tille, ndersa sa vetvetja jam dhe sa ok ndihem kur flas me nje vajze ne raport me trupin tim me ndjenjat e mija me mendimet e mija dhe ne rrugen qe po mundohem te ece… Mezi pres te dal dhe te njoh sic po thoni ju edhe ta kem te qarte mese te pqarte kete gje… Falemnderit prap ☺
Përshëndetje ty sërish e shumë faleminderit për përgjigjen e rikomunikimin
Mendoj se e kuptoj drejt atë që thua lidhur me faktin se vajzat janë ta paprekshme.
Besoj se ndërtojmë shumë barriera sociale e personale, në kontekstin e shoqërisë, kohës e kulturës ku jetojmë që na e bën mbase shumë të vështirë, të eksplorojmë, të njohim e të kuptojmë drejt e në mënyrë të kthjelluar. Fakti është që këto barriera përjetohen më fuqishëm kur vjen momenti që duam të stabilizojmë marrëdhënie më të thella e intime me dikë që mund të na pëlqejë dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për intimitet fizik.
Unë besoj që në jetë, ne e eksplorojmë veten nëpërmjet të dy gjinive, prandaj kemi nevojë për raporte sociale, të mira, të shëndetshme (por edhe me sfida e problematika ndonjëherë) edhe me femrat, por edhe me meshkujt.
Të dyja gjinitë na mësojnë aftësi të rëndësishme për te funksionuar midis nesh. Prandaj kemi nevojë për miq meshkuj e mikesha femra në jetën tonë sociale.
Prandaj unë do ta ritheksoj të dalësh, të investosh në raportet sociale me të dyja gjinitë dhe mendoj që edhe këto ndjesitë që ke të turpit, tërheqjes fiziologjike ti mirëpresesh, por as ti idealizosh shumë.
Jepi kohë vetes. Fillo bëj miq e mikesha, përpiqu të ndërtosh raporte të mira sociale, shoqërie, deri në momentin që do kuptosh më qartë cfarë dëshiron në aspektin e identitetit seksual.
Të siguroj që rrugëtimet e të njohurit të vetes edhe pse sfiduese janë në thelb shumë të bukura e dinamike dhe janë një investim për veten tënde.
Faleminderit dhe je gjithmonë e mirëpritur të na rishkruash!