20.12.2017
Mund te me sugjeroni disa keshilla se si mund te kalohet ky crregullim(fobia sociale) pa ndihmen e psikologut. Eshte shume e veshtire te jetosh me te. Te pengon ne cdo fushe dhe drejtim. Nuk dua te flas me shume rreth problemit tim sepse ju kam shkruajtur nje here tjeter. Cdo person qe vuan nga ky crregullim ka te njejtat shqetesime. Do te flas vetem pak per veten time. Jam vajze e turpshme,shume e ngurte. Te tjeret me shohin si e cuditshme. Nuk krijoj shoqeri. Me duket vetja e shemtuar,e paafte te flas,te komunikoj me cilindo,edhe me familjaret e mi. Studioj te fakulteti I shkencave sociale,viti pare dhe nuk kam aftesie te perfshihem ne debate,diskutime apo te jap ndonje mendim timin. Edhe kur di pergjigjen, ngurroj ta them . Sipas meje,nuk mund te jesh studente e mire nese nuk flet dhe prezanton sic duhet. Skuqem jashtezakonisht shume kur te tjeret me drejtojne pyetje. Jetoj gjithmone nen kete presion te frikes se skuqjes. Ia kam shpjeguar edhe nje te afermes time ne lidhje me kete problem,por nuk e kupton. Askush ne fakt nuk me kupton. Problemi im me I madh eshte se si duhet te prezantoj detyrat e kursit. Une kam ankth dhe tharje goje,fyti. Me duket sikur te gjithe po me shikojne dhe ne fakt keshtu eshte. Te gjithe I kane syte tek une. Une ndihem nen nje sikltet shume te madh. Pervec kesaj, dhimbja me e madhe eshte kur nuk te vleresohet detyra,per te cilen punon shume dhe e ke te sigurte se e ke bere shume mire. Mirupafshim. Pres nje sugjerim nga ju.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje e dashur,
Nderkohe qe je ne pritje te pergjigjes nga eksperti yne, te ftoj te ndjekesh nje video te pergatitur nga psikologia Elisa Berdica lidhur me Ankthin.
Linku: https://youtu.be/F4UhvKLu8GU
Gjithe te mirat,
Stafi i Nuk Je Vetem
E dashur letërshkruese,
Fobia sociale është një çrregullim i cili krijon shumë vështirësi dhe kufizime në jetën e personit që e ka atë. Është një çrregullim i cili përtej simptomave fizike (rrahjet e zemrës, djerësitje, skuqje, etj) dhe shmangies së situatave sociale, karakterizohet nga një sërë mendimesh dhe besimesh të keqpërshtatura dhe irracionale, të cilat përcaktojnë mënyrën se si ndihemi në lidhje me veten dhe të tjerët përreth. Këto besime dhe mendime janë aq të integruara me funksionimin tonë sa që është shumë e vështirë ti dallojmë sa herë që aktivizohen, se si e drejtojnë sjelljen tonë, apo qoftë edhe ti dallojmë që janë irracionale. Evidentimi dhe ndryshimi i tyre është shumë i rëndësishëm për trajtimin e fobisë sociale dhe për mirëfunksionimin e përgjithshëm të individit. Megjithatë, ndryshimi i besimeve irracionale kërkon një punë sistematike dhe të strukturuar, të mbështetur dhe të udhëhequr nga një profesionist i cili është i trajnuar për këtë process.
Unë nuk i di arsyet pse ti refuzon të punosh me një psikoterapist, por unë të siguroj që në Shqipëri ka profesionistë të kualifikuar, të cilët respektojnë parimet etike të tilla si konfidencialiteti, apo që ushtrojnë tarifa të diferencuara për studentët.
Nëse do të vendosësh të drejtohesh tek një profesionist, të rekomandoj të kërkosh një psikoterapist kognitiv-bihevioral. Studimet kanë dëshmuar që është një modalitet terapie shumë e përshtatshme për fobinë sociale. Mundesh ndërkohë të kërkosh në internet dhe të informohesh për këtë modalitet (Cognitive Behavioral Therapy, ose CBT) dhe të kuptosh se si funksinon dhe çfarë të presësh prej saj. Leximi mbi CBT mundet gjithashtu të të ofrojë edhe ide se si mundesh të ndihmosh veten tënde për të tejkaluar fobinë tënde.
Të uroj gjithë të mirat,
Blerta