M 16.11.2022
Pershendetje. Nuk di nga ti ja filloj problemit tim qe ka 3/4 vite qe po me shqeteson. Fillimisht, kam nevoj te madhe te gjumit, dhe ne mengjes zgjohem me nje ndjenje qe skam vullnet as mu ngrit prej shtratit.Pastaj pjesen tjeter te dites kam mendime te teprta, nuk deshiroj me pa njerez du me nejt vet, ndina nsiklet kur jam me njerez perveq familjes time, qdo plan e shtyj skam vullnet tfilloj as tperfundoj pothuajse as nje pune. Qaj shpejt dhe pa arsyje ndonjeher, me duket sikur jam e pa vler sikur nuk jam e mjaftueshme. Qdo mendim per jeten e kam negativ, brengosem qe nuk kam me mund me ja dal jetes me arrit vet me forca tmija se nuk kam mendime pozitive!
Kjo eshte gjendja ime ne pergjithesi kto 3-4 vitet e fundit, dhe kisha dasht me dit a eshte depresion apo qfare eshte?
Faleminderit paraprakisht
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Më vjen mirë që ke marrë guximin dhe na ke shkruajtur. Kjo tregon një dëshirë tënden për t’u larguar nga kjo gjendje. Pyetja jote në fund të letrës mund të marr përgjigje vetëm nga një psikiatër i cili ka të drejtën për të dhënë një diagnozë. Ndaj nëse e ke të nevojshme të diagnostikohesh mund të drejtohesh tek një psikiatër.
Por, unë do të thoja që më shumë rëndësi se vetë diagnoza kanë simptomat e tua. Jo pak të rinj vuajnë nga simptoma të tilla. Ajo që vlen të theksohet është se nëse punon me simptomat e tua, kupton burimin e tyre, arrihet përmirësimi i gjendjes tënde psiko-emocionale. Ti thua se ke 3 apo 4 vite në këtë gjendje. Cfarë mund të ketë ndodhur në atë kohë? Të kujtohet ndonjë ngjarje në jetën tënde gjatë kësaj periudhe që mund të ketë çuar në aktivizimin e simptomave që ti përshkruan?
Në letrën tënde unë vë re motivim të ulët dhe pashpresshmëri. Do të doja të dija cilat janë këto mendime negative që ti ke për jetën? Gjithashtu, ti thua se ndihesh e pa vlerë, e pa mjaftueshme, dhe nuk mund t’ia dalësh me forcat e tua. E pa vlerë dhe e pa mjaftueshme, në lidhje me çfarë aspekti të jetës? Nëse ti ke mendime negative, nuk të bën më pak të fortë. Përkundrazi, ti ke 3 vite minimumi në këtë gjendje dhe ia ke dalë me forcat e tua. Mendimet negative janë aty të të tregojnë se ti tani duhet të punosh me veten dhe ngjarjet e së shkuarës mund të ndikojnë në mënyrën se si mendon dhe si ndihesh në të tashmen. Unë do të ftoja të më shkruaje më shumë për veten. Nuk e di nëse je në shkollë dhe/ ose në punë.
Do të doja të dija më shumë për gjërat që ti do të bësh dhe cilat janë këto plane që po shtyn. Cfarë të bën t’i shtysh? Sa i dëshiron ti këto plane? Për çfarë ke nevojë ti tani? Do të sugjeroja të përdorje të gjithë burimet e tua për të ndihmuar veten.
Së pari kërko mbështetjen e familjarëve, të afërmve apo këdo që e sheh ndihmues dhe të besueshëm për veten. Përpiqu të flasësh me ta për atë që mendon dhe ndjen. Nga ana tjetër, sugjeroj të kërkosh ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor, psikolog klinik, psikoterapist dhe/ose psikiatër. Gjithashtu, mund të drejtohesh chatit të faqes nukjevetem.al dhe mund të më rishkruash përsëri për çdo shqetësimin tëndin.
Gjithe të mirat,
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike