Këshilla/Blog

Nina 28.06.2021

Pershendetje! Ndodhem ne nje situate te veshtire bashke me partnerin tim. Problemi jone eshte qe te dy e duam shume njeri tjetrin, por per shkak te disa gjerave qe kane ndodhur ne te kaluaren dhe qe i kane sjelle mosbesim partenrit tim, ai nuk mund te krijoi nje te ardhme me mua. Thote qe jane gjera qe nuk i largon dot nga mendja. Ne fakt shumica e gjerave qe ai mendon nuk kane ndodhur ashtu si mendon ai por ai i ka te fiksuara ne koke ndryshe dhe kjo gje po na ben shume keq te dyve. Theksoj qe duhemi shume dhe askush nuk e merr guximin te ndahet, por sipas tij nuk mund te krijoi as te ardhme. Jemi me zemer te thyer te dy dhe ndjejme se jeta po mbaron ketu. Ju lutem me ndihmoni, ku mund te drejtohem, me ke mund te flasim dhe si mund ta zgjidhim kete problem pasi vet e kam shume te veshtire.

  1. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje e dashur
    Faleminderit që na ke shkruar dhe drejtuar mendimet dhe ndjesitë e tua lidhur me raportin tënd.
    Me sa kuptoj, duket se raporti juaj është në një moment delikat midis asaj se cfarë ka ndodh dhe fakti që është prek besimi midis jush për të zhvilluar marrëdhënien apo për ta cuar në një nivel tjetër.
    Duket se ti e përjeton si një këputje këtë moment dhe supozoj se te ty ka shumë ndjesi mikse lidhur me këtë situatë, ndjesi zhgënjimi, pamundesie po besoj se mund të ketë edhe ndjesi faji për cfarë ka ndodhur dhe si mund ti rregullosh apo ti rregulloni gjërat midis jush.
    Nga ana tjetër, duket se partneri yt është në një fazë procesimi të ngjarjeve dhe ka zhvilluar frikëra në veten e tij lidhur me këtë raport, ose ndjen pasigurira lidhur me ty, ndoshta edhe veten ose ju në përgjithësi. Më duket se edhe prespektiva e tij ka shumë nevojë për mirëkuptimin në këtë moment, ashtu si edhe ti.
    Duke qenë se letra jote është e kufizuar, unë nuk e kam shumë të qartë se sa kohë ka kjo marrëdhënie, cfarë ka ndodhur konkretisht, si keni komunikuar ju të dy lidhur me këtë gjë, si janë ridimensionuar pritshmërite për këtë marrëdhënie pasi kanë ndodhur këto gjëra, sa keni qenë të përgatitur që këto ngjarje me shumë mundësi do ndikonin te ju dhe do sillnin një periudhë të brishtë, por edhe cfarë po ndodh me ju personalisht dhe si e përkufizoni këtë marrëdhënie tani.

    Besoj se në një marrëdhënie është e vështirë nga njëra anë të bësh udhëtimin tënd me cfarë ka ndodh, të kuptosh prespektivën e tjetrit, të dëgjosh. Ndonjëherë këto situata, pavarësisht ndjenjave që mund të ekzistojnë bëhen burim i bisedave dhe zënkave që nuk ndihmojnë shumë përvecse krijojnë një cikël ventilimi të frustrimeve që mund të ndihet ndaj njëri tjetrit, ose vendosja në cepa si për tu mbrojtur nga gjithë pasiguritë dhe cfarë mund të komunikohet.

    Më vjen mirë që ti po kërkon ndihmë për raportin tuaj. Duke qenë se letra jote ka pak informacion, do të ftoja në radhë të parë të përdorje opsionin e chatit për të folur pak më shumë rreth shqetësimit tënd.
    Gjithsesi shpresoj se përgjigja ime të bëri të reflektosh pak më mirë për situatën tënde
    Mbetemi në kontakt,
    Gjithë të mirat,
    Almandina

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.