Këshilla/Blog

14.11.2016

U ndava me bashkehortin pasi me keqtrajtonte dhe me ofendonte gjat 3 viteve martes.kemi kater muj te ndar dhe aj ka me ka kerkuar qdo dit dhe thot qe aj j esht i penduar dhe e ka kuptu se qa mka ba dhe mthot qe tash qe esht von se ti ike un kom kuptu apet qka huma . mendoni se nje njeri i dhunshem mbi mua per tre mujndryshon kur kupton se qfar ka ber apo kur kupton qe tash me humbi ?? ju lutem mu pergjigjnii
Theksoj qe ajj ka qen i dhunshem qe ne fejmire e deri tashme familjen e vet

  1. M.Xh says:

    Pershendetje,
    Pergezime qe keni shkruajtur.
    Pergjigjen me te mire mund tja jepni ju vetes duke marre kohe per ta menduar dhe reflektuar mbi cdo gje qe keni kaluar dhe vendimin qe do te merrni per te ardhmen tuaj. Une do ju keshilloja, qe te perpiqeni te flsini edhe me bashkeshortin tuaj duke i shprehur atij qarte qendrimin tuaj ne lidhje me sjelljen e tij ndaj teje dhe gjithcka keni kaluar nga kjo mardfhenie 3-vjecare. Gjithashtu do ju keshilloja qe ju ti paraqisnit prere qendrimet tuaja nese lidhja juaj do te rivazhdonte. Trajtojeni veten me respekt, kini besim ne veten tuaj, dhe mos u frikesoni por qendrojini deri ne fund atyre cka ju doni nga jeta juaj. Mos u ndjeni pergjegjese per jeten e veshtire qe ka kaluar bashkeshorti juaj per te justifikuar sjelljen e tij te dhunshme, por ndjehuni pergjegjese per veten tuaj per lumturine tuaj.
    Te uroj gjithe te mirat.

  2. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje e dashur,
    Faleminderit që na drejtove shqetësimin tënd.
    Me sa kuptoj e ndjej nga letra jote, paske kaluar një situatë e gjendje shumë të vështirë emocionale e fizike gjatë këtyre viteve, nga ato që të dhembin shpirtërisht, por prekin edhe konfidencën, vlerësimin, besimin te tjetri, ashtu sic edhe aktivizojnë mekanizma të ndryshëm (të shëndetshëm e të pashëndetshëm) për tu vetmbrojtur, për të pranuar, kuptuar apo bashkëjetuar me këto situata.

    Të jetosh 3 vjet në situata të tilla, duke patur parasysh këtu që mbase ke patur edhe besim që gjatë këtyre viteve partneri do të ndryshonte, nuk është aspak e lehtë, kështu që në radhë të parë, mendoj që duhet të jesh krenare për vendimin që ke marr për tu shkëputur nga situata lënduese, fizikisht dhe emocionalisht. Ma merr mendja edhe që s’ka qënë një vendim i lehtë për ty.

    Në fakt, dhuna në thelb nuk tregon forcë, por dobësi dhe një pamundësi të personit për të ndërtuar një raport të shëndetshëm e të bazuar në komunikim dhe respekt ndaj tjetrit dhe dinjitetit të tij. Sigurisht që edhe personi që “dhunon” ka probleme të vetat dhe ka vulnerabilitet brenda vetes së vet e sjellje të papërshtatshme. Gjithsesi, vetja fizike dhe emocionale është e shenjtë dhe nuk i duhet cënuar askujt, pavarësisht arsyeve e shkaqeve.
    Nga ana tjetër, personat që ekspozohen ndaj keqtrajtimit, fillojnë të durojnë e ta pranojnë atë për arsye të ndryshme dhe kjo nuk është e lehtë, pasi ngatërrohen shumë dinamika emocionale, dashurie, urrejtje, pranimi, mospranimi, shprese për ndryshim, të marrurit me opinionin përreth etj.

    Tani duke ju referuar më drejtpërdrejtë arsyes së letrës tënde, mos ndoshta fakti që na ke shkruar, do të thotë që nuk je e bindur akoma në ato që ai thotë?
    Mos ndoshta kjo ka ndodh edhe në të kaluarën, që ai ka premtuar që do të ndryshojë dhe nuk ka ndodhur?
    Sa duhet ta dëgjosh këtë zë të brendshëm, e të vogël që po të flet tani, e për të cilin na u drejtove edhe neve?
    Unë besoj se përgjigjet e këtyre pyetjeve i ke ti brenda vetes dhe mendoj që është e rëndësishme ti dëgjosh ato me sinqeritet e vërtetësi.

    Në mendimin tim, dhe me kaq sa ti përshkruan në letër, fakti që ti je në një gjendje “frike” për të bërë një lëvizje është një tregues që nuk je gati për të besuar dhe nuk është e shëndetshme ti bëjmë presione vetes kur nuk jemi gati.

    Të kujtoj e dashur që ndjenjat që mund të kemi për dikë (dashuri, emocion etj), janë tonat e na përkasin neve, ndërsa veprimet që bëjmë për tjetrin, janë të rëndësishme pasi i tregojnë tjetrit më shumë. Kështu që në këtë rast, unë do të këshilloja të përqëndroheshe duke parë veprimet e personit të cilat mund të të japin besim dhe jo vetëm ndjenjat e tij (sado të rëndësishme e të forta të jenë ato)
    Në gjykimin tim, përpiqu të ruash hapësirën personale, zhvillo veten tënde, mendo për gjërat që do të bësh, rindërto veten tënde, me mundësitë që ke. Besoj se koha, qetësia, mundësia që i japim vetes sonë, na ndryshon, na hap prespektiva të menduari e kuptuari.

    Do të thotë që në radhë të parë merr kohën e duhur për të reflektuar. Në rast se (ish) partneri yt është i rëndësishëm për ty, komuniko me të, por ndërkohë ruaj hapësirën personale, vendos kufij të nevojshëm, shiko dhe vëzhgo ndërkohë sjelljet e tij.

    Je gjithmonë e mirëpritur të na shkruash dhe ndërkohë të uroj gjithë të mirat dhe të gjesh shumë qetësi, komunikim e dashuri dhe shumë kujdes ndaj vetes tënde.

    Me respekt,
    Almandina Guma

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV