Këshilla/Blog

05.05.2019

Pershendetje! Uroj te me ktheni nje pergjigje.
Frika ime me e madhe eshte mos humb ndonje nga pjestaret e familjes time, gjat gjith kohes dua te rri vetem me prinderit e mi, sa kam nje dite pushime vi me vrap ne shtepi edhe pse jam ne nje vend me origjin larg tiranes. Ndonjeher edhe qaj vetem e puth dhe e perqafoj mamin sdua ti ndahem 1 sekond ideja qe nje dit mund mos ti kem nuk e perballoj dot!
Faleminderit.

  1. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje e dashur
    Shumë faleminderit që na ke shkruar dhe ke drejtuar te ne ndjesitë që ke aktualisht, por edhe ndjesitë e mbifrikës, merakut dhe ankthit lidhur me atë që mendon.
    E kuptoj që prindërit dhe familja janë shumë të rëndësishme për ty dhe besoj se ndihesh shumë e lidhur me ta. Kjo situatë në një lloj forme, krijon edhe më tepër shkëmbim dashurie, komunikimi midis jush, por nga ana tjetër nuk duhet të vij si rezultat i frikës mbi të ardhmen dhe cfarë mund të ndodh. Besoj se edhe fakti që ti na ke shkruar është se kjo po del jashtë kontrollit dhe po të shqetëson dhe ty, por ndoshta edhe të afërmit.

    Në letrën tënde, mungon informacioni në rast se ka ndonjë fakt racional pse mendon kështu? Ka ndodhur dicka në familjen tuaj që ndoshta të ka përballur me këtë frikë? A lidhet me ndonjë situatë specifike? A janë të gjithë të shëndetshëm?
    Cfarë mendimesh ke në këto momente dhe cfarë bën ti për ta qetësuar veten, për të peshuar cfarë mendon dhe për të bindur veten për të qenë në momentin “prezent”, në të tashmen domethënë?
    Për këto pyetje pres përgjigje nga ty.

    Sërish edhe pse informacioni mungon, ti thua që jeton larg prej tyre dhe ma merr mendja se kjo është një eksperiencë e kohëve të fundit në jetën tënde. Këto perceptime dhe ndjesi që ke mund të lidhen edhe me veten tënde, frikën për tu larguar, për tu shkëputur, për tu pavarësuar. Këtu i referohem më shumë pjesës psikologjike kur ndodh ajo ikja nga foleja e shtëpisë dhe dinamika e ndjesive e mendimeve që mund të kemi, vulnerabilitetit që provojmë, mund të përkthehen dhe projektohen në forma të ndryshme. Kjo për të të bërë të reflektosh ty në këtë drejtim dhe do të këshilloja të mendoje për veten, vulnerabilitetin që mund të kesh ose ndjesh.

    Tjetra është që unë e kuptoj që për ty bëhet e vështirë, mbytëse kur ke ndjesi të tilla, por mendoj që duhet të mendosh më shumë në të tashmen dhe të jesh prezente në të tashmen, duke patur siguritë e nevojshme nëpërmjet kontaktit me ta dhe duke e qetësuar veten kur cdo gjë është ok.
    Është mirë të balancosh mendimet e tua me fakte racionale. Përpiqu ta bësh si një ushtrim mendor të vazhdueshëm. Mund tu kërkosh edhe të afërmve të tu të jenë suportiv jo gjithmonë duke ju përgjigjur “varësisë” tënde për ta, por duke të siguruar një formë të shëndetshme dhe duke të lënë që disa ditë pushimi ti ti bësh ndryshe dhe aktive në forma të tjera.
    Mendoj që do të ndihmonte të ndërtoje edhe rutina të tjera në jetën tënde, të fokusohesh te vetja, të gjeturit e dimensioneve të tjera.
    Mendoj se ky është një moment kyc që mund të ndihmojë ty të ndërtosh disa dimensione shumë të rëndësishme te vetja jote, edhe të përballurit me frikërave, ndërtimin e pavarësisë etj.

    Gjithsesi, ashtu sic edhe ti e di, cikli i jetës është i ndërtuar në mënyrë të tillë që megjithë jetën e gjatë dhe të shëndetshme, ne nuk do i kemi njerëzit përgjithmonë. Kjo jo për të të shtuar sikletin e frikën, por për të thënë që është në fakt është proces që lejon rritjen tonë si individë me mekanizmat tona të brendshme, por edhe e bën që të jetojmë më kuptimplotë cdo gjë.

    Për ta mbyllur, unë mendoj që kjo është një zile e vogël për ty për tu marr pak më shumë me veten, për të vendosur disa rregulla ndryshe dhe besoj se do jetë shumë ok për ty e gjitha.

    Shpresoj të të kem ndihmuar me përgjigjen time por je e mirëpritur kurdoherë,
    Gjithë të mirat,
    Almandina

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV