Sad 11.02.2022
Pershendetje shpresoj ta lexoni dhe te me jepni mendimin tuaj rreth problemit qe do tregoj. Tani jam 21 vjeqe por gjithqka filloj disa vite me par ne gjimnaz ku ne shkoll u perhap nje foto qe shoket dhe shoqet supozonin se Isha une pasi qe ajo ngjante disi me mua zot sa keq ndihem vetem kur e mendoj fotoja nuk eshte nje foto normale dhe prek moralin Tim pastaj filluan te me shkruanin me account fake dhe te ma dergonin foton jetoj ne nje vend te vogel ku perhapen shpejt thashethemet dhe gjeja me keqe eshte se nuk gjej dot paqe dhe pse e di vetveten sa e pastert jam me mundojn fjalet e te tjerve ftyrat e verteta te personave mbas accountave fake nuk po muj me I dit kush Jan dhe disa her mkan ba mu menu se si do tjetoj nese thashethemet besohen dhe sndalen ndihem shum keq dhe mu ka bo si traum
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
zemer mos u shqeteso cdo gje do kaloje avash avash jepi kohe kohes????????????
Përshëndetje,
Uroj që kjo përgjigje të të gjej mirë. Ti thua se problem yt ka disa vite që ka ndodhur. E marr me mend se sa e vështirë është për ty që të mbash një peshë të tillë dhe mbi të gjitha të presësh nga momenti në moment me frikën se mos thashethemet përhapen akoma më shumë. Ndoshta të frikëson më shumë nëse këto thashetheme merren vesh nga të afërmit e tu dhe ata e besojnë. Por ajo që ka ndodhur nuk besoj se e ke më në dorë që të zhbëhet. E di që do të doje që gjërat të ishin ndryshe dhe nuk e meriton që të trajtohesh në këtë lloj forme. Edhe po të ishe ti në atë foto, askush nuk ka të drejtë të përdorë një foto për thashetheme apo shantazhe. Mund të ndjesh inat dhe zemërim për personat që të bëjnë këtë, por cfarë do të fitoje edhe nëse kupton kush qëndron pas kësaj? A i ke nën kontroll fjalët e të tjerëve? Ti shkruan se nuk e di se si do të mundesh të jetosh nëse thashethemet besohen. Cfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve? Mund të ketë persona që e kanë besuar dhe të tjerë që nuk e kanë besuar. Si ka ndikuar kjo në jetën tënde? Nuk e di, nëse studion apo aktualisht je e punësuar diku.
A mendon se këto thashetheme kanë ndikuar në vazhdimin e studimeve të tua apo në gjetjen e një pune? Në cilën sferë të jetës mendon se mund të ndikojnë këto thashetheme? Cfarë të frikëson më shumë? Më lejo të të them që njerëzit zgjedhin të besojnë atë që ata duan në bazë edhe të nivelit të tyre të edukimit. Por ky, nuk është problemi yt. Fokusohu më shumë në atë që është në dorën tënde. Pikërisht vetja jote. Qëndro larg rrjeteve sociale dhe investo në mirëqenien dhe mirë-edukimin tënd.
Nuk mund të ngecësh në të shkuarën dhe të biesh pre e thashethemeve apo moralit të të tjerëve. Jeto në të tashmen dhe bëj më të mirën tënde, për veten tënde, TANI. Të ardhmen nuk e parashikojmë dot, por ekziston një mundësi që mund të jetë më e mirë sec ne e mendojmë. Unë uroj shumë që ti të arrish ta nxjerrësh veten tënde nga kjo situatë dhe të shohësh përtej asaj që të tjerët thonë.
Nëse kjo gjë vazhdon dhe të shqetëson duke ndikuar në përditshmërinë tënde, të sugjeroj të kërkosh ndihmën e një psikoterapisti dhe/ ose t’i drejtohesh chatit të faqes sonë.
Uroj që përgjigjia ime të të ketë ndihmuar.
Gjithë të mirat!
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike