10.11.2017
Pershendetje.Une jam 19 vjecare qe vuaj nga fobia sociale,crregullim ky qe po ma ben jeten te veshtire sidomos ne shkolle. Skuqem me cfaredo qe flas. Me duket sikur shoqeria tallet me mua. Nuk e di pse e kam kete mendim. Ne fakt askush nuk qendron me mua. Edhe sikur une te dua ti afrohem atyre,ne fakt nuk mundem per shkak fobise sime sociale e cila po me lodh shume cdo dite. Vetbesimi im eshte teper I ulet,te tjeret mendojne se jam e paafte te flas ose sikur kam turp te flas. Klasa qe kam nuk me pelqen fare. Nuk e di si do ti duroj 3 vjet ne universitet. Mua me duhet nje ndihme. Nese ju keni mundesi,me ndihmoni. Dua qe dikush te me jape kurajo,shprese cdo dite sepse une jam e rrethuar me njerez shume te merzitshem;kritikues,paragjykues qe me shume ta zhvillojne kete crregullimin tim sesa ta permirsojne ate. Ju lutem me ktheni nje pergjigje.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje letërshkruese,
Fobia sociale është një shqetësim serioz, i cili shkakton probleme dhe kufizime reale në jetët e njerëzve që e përjetojnë. Duket absurde që vetëm frika nga skuqja përpara të tjerëve, mundet të shkaktojë kaq shumë ankth nga të folurit, por në fakt ndodh. Në të vërtetë, përtej frikës nga skuqja, njerëzit me fobi sociale shqetësohen për gjykimin e të tjerëve dhe mënyrën se si ata do të mendojnë për to. Kjo i bën njerëzit që të shmangen nga kontakti me të tjerët, punët e përbashkëta, prezantimet etj. Rrjedhimisht ata fillojnë të izolohen dhe shkëputen nga jeta sociale dhe profesionale. Problemi më i madh i fobisë sociale qëndron tek fakti që pas do shmangieje nga kontakti me të tjerët, apo performance në grup, ankthi qetësohet provizorisht, por e bën kontaktin pasardhës edhe më të vështirë dhe anksioz. Kjo gjë krijo një cikël vicioz që është i vështirë të ndërpritet nëse nuk përpiqesh që pak nga pak dhe me hapa të vogla të fillosh të krijosh mundësi për përballje të vogla me të tjerët, duke e toleruar deri në fund ndërveprimin dhe skuqjen dhe pa u përpjekur ta fshehësh atë, apo të largohesh. Fundja shumica e njerëzve, kur përballen me situata sociale përjetojnë në një shkallë të caktuar presion psikologjik dhe reagime fiziologjike, si skuqje, djerësitje, dridhje të trupit, apo zërit. Dhe fundja cila gjëja më e keqe që mund të mendojnë njerëzit për ty nëse të shohin që skuqesh? E ke menduar ndonjë herë?
Megjithatë, unë jam e vetëdijshme që këto përballje nuk janë aq të thjeshta dhe për këtë arsye besoj se është e nevojshme të kërkosh ndihmë psikologjike. Për fat të mirë terapi të caktuara si ajo kognitiv-biheviorale (CBT) kanë efekte shumë pozitive në trajtimin e fobisë sociale. Njëkohësisht në terapi, varësisht nga qasja e terapistit, mundesh të punosh edhe me eksperienca më të hershme të cilat mund të kenë ndikuar në zhvillimin e fobisë sociale tek ti. Shpesh, fobia sociale lidhet me eksperienca konstante gjykuese gjatë fëmijërisë ose adoleshencës, madje edhe me eksperienca bullizmi gjatë viteve të shkollës. Këto eksperienca lënë gjurmë të thella në mënyrën se si ne e perceptojmë veten dhe mënyrën se si besojmë se të tjerët na perceptojnë.
E dashur letërshkruese, fobia sociale përbën një shqetësim serioz përsa i përket kufizimit dhe izolimit që krijon në jetën personale dhe profesionale, por njëkohësht është plotësisht e mundur të punohet me të dhe të kapërcehet. Informohu për terapistë të mundshëm që munden të të ndihmojnë dhe kërko ndihmë. Jam e sigurt që shpejt, do të fillosh të rimarrësh jetën dhe marrëdhëniet e tua në dore.
Të uroj gjithë të mirat,
Blerta