Tina 27.03.2023
Ndihem shume keq … po kaloj periudhen me te keqe te jetes time … ska dy jave qe kam lindur nje bebe te shendetshme ( me lumturon ) nje muaj me pare marr vesh qe bashkshorti im eshte perfshire ne pune jo te ligjshme jashte shqiperis dhe eshte ne burg … kaloj vetem cdo gje lindjen kujdesi per femijen tjeter 3 vjec e gjysem … probleme ekonomike dhe shto ketu gjendjen time postpartum…. Nje ferr i vertet … po cmendem
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Tina,
Sa më përshkruan është vërtetë një gjendje e vështirë dhe kërkon shumë kurajo për ta kaluar.
Më vjen shumë keq, që në vend të shijosh ardhjen në jetë të fëmijës tënd të dytë, të duhet të përballesh me të tjera situata të papritura.
Mund të jesh duke përjetuar zhgënjim nga partneri yt apo dhe mërzi se pse ta mbajti të fshehtë një fakt të tillë. Ke të drejtë të ndihesh kështu por mendo që kjo situatë është e përkohshme dhe aspak e përhershme.
Të sugjeroj, të fokusohesh më shumë në gjërat që janë nën kontrollin tënd. Cfarë mund të bësh ti në këto kushte? Si mund ta ndihmosh veten? Cilat janë prioritetet e tua? Për çfarë ke nevojë? Përpiqu të marrësh kohë dhe të gjesh përgjigje këto pyetje. Fokusohu te kujdesi ndaj vetes dhe kujdesi për fëmijët. Merr aq përgjegjësi sa ti mundesh. Të sugjeroj në një ditar të shkruash për mendimet e tua, ashtu siç të vijnë dhe ndërkohë mund të përdorësh teknika relaksuese që i gjen lehtësisht në internet (medito, bëj sa më shumë ecje, një aktivitet që të pëlqen). Kërko ndihmë te familjarët apo personat që të qëndrojnë pranë. Ti shkruan se fëmija të lumturon, pra përveç shqetësimeve ke dhe disa gjëra të tjera që mund të gjesh kënaqësi.
Nëse vëren se kjo situatë po zgjat në kohë dhe po bëhet e papërballueshme kërko ndihmën e specialistëve të shendëtit mendor, psikiatër apo psikolog. Uroj që të të kem ndihmuar sado pak.
Gjithë të mirat!
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike