Kone 30.09.2019
Pershendetje!!
Un jam nje vajz 19 vjece
Ne vitin e fundit t gjimnazit jam njohur m nje djal dmth kur isha 17 vjece ….ai ishte pak m i madh se un dmth 32
Nga ajo koh kan nfodhur sh gjera
Por e vetmja gje qe nuk kuptoj esht se su nje njeri mund t ndryshoj kaq sh
Kur jemi njohur ai linte koken mbas meje
Ndersa tn mbas 1 viti e gjys ai sillet komplet ndryshe
Njeher sillet mir …pastaj ben sikur nuk i intereson …nga njera ane nuk i vej edhe faj sepse n jeten e tij ka pasur sh prb edhe un nuk e kam mbeshtetur ashtu si duhej
Tn jemi ndar por po m cmend fakti se nuk e heq dot nga mendjaaa
Te lutem me thuaj cfar te beh
( kam ngelur edhe njeher shtatzen por e kam hequr femijen sepse nuk e mvanim dot pasi ai me zor mban veten e tij ….por e vuaj sh kete pjes ) flm nqs me ndihmon ????
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Zemer jeta ka gjera me te bukura pertej atyre qe shohim ne,po ta thote dikush qe pret nje engjell te cilin babai i tij e ka mohuar qe ne bark,kapu fort pas jetes,flit me dike ku mund te shprehesh lirshem,dil me shoqerine,bej dicka qe te pelqen,nese do ja vlente ai do ishte aty per ty ,nje dite do vije njeriu i duhur e do qeshesh me veten kur te kujtosh qe merziteshe per dicka te tille
Përshëndetje e dashur
Faleminderit që na je drejtuar e ke shkruar për të ndarë me ne lëndimin që ke dhe periudhën e vështirë
që po kalon.
Duket se marrëdhënia juaj ka patur momente goxha të pasigurta për një vijueshmëri dhe ti përmend në letrën tënde që tashmë jeni ndarë, edhe pse në letër ti flet për të në veten e tashme, që tregon se ende nuk ke pranuar ndarjen. Duket se ti ke shumë pyetje lidhur me marrëdhënien tuaj dhe si është zhvilluar ajo.
Duhet kuptuar se ne nuk jemi statikë gjatë lidhjeve, të dy personat ndryshojnë sjelljet dhe adaptimet në
lidhje por jane edhe dy individë të ndarë, në moshat përkatëse që ndjekin edhe zhvillimin e tyre personal
dhe janë në kërkim të identitetit apo qëllimeve të tyre.
Sigurisht unë nuk e di se sa keni komunikuar ju gjatë kësaj kohe për cfarë donit nga njëri tjetrit apo cfarë vijueshmërie do të kishte marrëdhënia, por me kaq sa ti përshkruan, më duket se më shumë je ndjerë e pasigurtë dhe e paplotë dhe këto nuk janë ndjesi të shëndetshme në një lidhje. Jam e sigurtë që keni patur gjëra të mira dhe ke investuar, por në rast se unë do të bëja pyetjen në vijim si do të përgjigjesh: A është kjo është marrëdhënia që do për veten tënde?
Tani ti shkruan që jeni ndarë. Unë e kuptoj që ndarjet dhembin shumë, pasi nxjerrin në pah gjithë vulnerabilitetin dhe emocionet tona.
Edhe në rast se lidhjet nuk kanë qenë shumë të mira, gjithsesi koha e përkushtuar, investimi që kemi bërë dhemb. Dhe duhet pranuar që do jetë e vështirë dhe do lëndohemi shpesh, do ketë momente që do jemi ok dhe jo ok. Por më e rëndësishmja nga e gjitha kjo është që kjo është një sprovë për të menduar ndryshe, për të marr situatën në kontroll dhe për të bërë gjëra të vlefshme për veten.
Ne kemi nevojë të vuajmë dhe të nxjerrim së jashtmi atë që na dhemb. Prandaj besoj se ti duhet të kesh rrethin e shoqeve apo njerëzve të dashur që mund të dëgjojnë në këto momente. Ka gjithashtu këngë e filma ku ne zhytemi për tu identifikuar dhe një formë mënyrë për të cliruar veten tonë. Kjo është për të të thënë, që mbase është e nevojshme të pranosh që do dhemb apo mund të vazhdoj të dhemb dhe do
kesh momente të tilla. Ndoshta, mendimet që ke aktualisht nënkuptojnë që ti nuk e ke mbyllur këtë lidhje për një arsye apo
shumë arsye. Kush janë mendimet e tua? Si i balancon ato me mendime të tjera më racionale, edhe duke mos e mbivlerësuar personin tjetër, karakteristikat e tij etj, por duke e vlerësuar racionalisht situatën?
Dhe mbi të gjitha, a mund të gjesh ti angazhime apo gjëra të tjera në jetën tënde që mund të bëjnë të përqëndrohesh te to dhe të ndihesh mirë? Jam e sigurtë që ka gjëra që të pëlqejnë ti bësh. Fillo të bësh përpjekjet e duhura për këtë dhe për të ndryshuar rutinën dhe angazhimet e tua. Mund ta shikosh në prespektivën e një kohe të dobishme për të investuar për veten.
Unë e kuptoj që nuk është e lehtë, por besoj se është forma për tu rrit nga e gjitha kjo, për të ndihmuar të kuptosh se cfarë dëshiron ti në lidhjet e ardhshme, për të rritur besimin në vete.
Në rast se fokusohesh te këto, del më e fortë nga e gjitha kjo në krahasim me cfarë ke humb. Shpresoj që përgjigja ime të të ketë ndihmuar sadopak dhe uroj vërtet që nga e gjitha kjo ti të dalësh me më shumë përqëndrim te vetja jote dhe me konfidencë.
Jemi gjithmonë këtu për ty, në rast se do të na rishkruash dhe të flasësh sërish
Me respekt,
Almandina