Këshilla/Blog

Lexues 11.12.2023

Unë jam diplomuar para pak muajsh. Mbarova masterin dhe durim po tregoj. Duhet të punoj, se kështu e ndiej veten më mirë. Me ato punë që kam gjetur nuk më ka ecur se nuk ishin për mua.
Mirëpo jam në presione. Kam vetëm dy vjet me një person që njihem, jemi të dashur por nuk mund të jem akoma e sigurtë për bashkëjetesë pasi ai nuk jeton në Shqipëri, nuk ka ende stabilitet, as dokumente. Mesa kam parë nga jeta e tij, nuk përpuqem me mēnyrën si jeton.
Familjes i duket jetesa jashtë si një mrekulli.
Po kërkoj kohë për t’ u menduar.
Mirëpo edhe në Shqipëri, ndërsa mësoj gjuhën nuk jam e qetë se puna nuk po gjendet. Puna nuk ndikon aspak për mirë për shëndetin nëse aty ka gjëra që stresojnë deri në pikën e papërballueshme.
Partneri nuk e kupton sesa kam vuajtur nga ankthi, depresioni. Nuk e kupton se dua më të mirën për veten. Nuk jam e sigurtë se po më mbështet. Jam e lodhur duke marrë shumë
mendime dhe ndjehem sikur as në qiell e as në tokë. Nuk kanë pritshmëri për mua, por nuk më lejon njeri as për veten të kem pritshmëri.

  1. Aida Yzeiri says:

    Përshëndetje e dashur. Së pari të uroj për diplomimin dhe që ke arritur të përfundosh me sukses një fazë të rëndësishmë të jetës siç është përfundimi i shkollimit.
    Përmbyllja e një faze megjithatë nënkupton se një tjetër fillon. Dhe përgjithësisht nga familja, shoqëria dhe në shumë prej nesh është e ngulitur ideja se faza tjetër, siç është puna apo krijimi i jetës familjare, duhet të fillojë në mënyrë të menjëhershme. Kështu krijohet presioni, që shkakton jo pak stres apo ankth nxitur nga ideja se gjithcka duhet sistemuar menjëherë.
    Nga sa kuptoj nga përshkrimi yt, duket sikur je në një udhëkryq, ku nga njëra anë është nxitja për të filluar bashkëjetesën dhe një jetë të re jashtë Shqipërisë dhe nga ana tjetër dëshira e brendshme për të pasur një punë apo marrëdhënie me partnerin, ku të ndihesh mirë me veten dhe po ashtu e pranuar.
    Zgjedhjet si për marrëdhëniet, por edhe për punët janë zgjedhje jetësore dhe që te jesh më e sigurt, është mirë mos të kushtëzohesh nga ky presion, për të marr këto vendime që të takojnë vetëm ty. Këtë mund t’jua komunikosh edhe familjarëve të tu duke i treguar më qartë ndjenjat e tua apo edhe përshtypjen, që ke se mënyra juaj e jetesës nuk pëputhet dhe të marrësh më shumë kohë për të vendosur në lidhje me marrëdhënien tuaj.
    Në letrën tënde përmend edhe që ke vuajtur nga ankthi dhe depresioni. Ndonjëherë këto janë pikërisht shenja të lidhura me presionin që ndjejmë së brendshmi apo nga të tjerët për të realizuar diçka. Prandaj gjëja më e mirë është, që të kuptosh më tepër veten dhe raportin që ke me partnerin, ndoshta edhe me mbështetjen e një psikologu këshillues për të lehtësuar procesin.
    Gjithashtu në këto momente me ngarkesa emocionale mund të të ndihmojë: të kujdesesh më tepër për veten, të bësh gjëra apo aktivitete që të pëlqejnë dhe të mbash po ashtu ti vetë e para një qëndrim më pranues dhe dashamirës ndaj vetes.
    Të uroj më të mirat!
    Aida

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.