07.11.2017
pershendetje! Kam nevoje per disa keshilla ne lidhje me nje problem qe me shqetson ose edhe fixim nese mund ta quaje keshtu. Jam 18 vjec, maturant edhe me duhet ta pranoj qe “po” kam ren ne dashuri me nje vajze qe ne fakt eshte edhe shoqja ime e ngushte. Mendoj se eshte e kuptueshme qe me jan shfaqur disa shenja xhelozie ne lidhje me te. Jam bere disi i fiksuar pas saj. Kam ber nje veprim te gabuar. Jam futur ne fb e shokut timin me te cilin ajo bisedon edhe lexoj msg. Disa here i fshij msg e bisedes se tyre vetem per vetem qe ata mos te vazhdojn me. Besoj se me kuptoni
kerkoj nje zgjidhje ju lutem
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje
Faleminderit që na ke shkruar për mendimet e ndjenjat e tua të kohëve të fundit dhe uroj që të mbërrij te ty me përgjigjen time.
E kuptoj që je në një periudhë ndjesish që s’po ta bëjnë të lehtë këtë moment. Ndjenjat lindin, janë të komplikuara ndonjëherë, por edhe të bukura në rast se ndodhin brenda një miqësie.
Me cfarë kuptoj nga letra jote, tingëllon sikur je akoma në një fazë konfuzioni e qartësimi për ndjenjat që ke, që ndoshta turbullohen edhe nga fakti që jeni shokë bashkë, mostregimi i të njëjtit interes nga shoqja jote, komunikimi që ajo ka, por edhe që ti mendon që ndoshta është më tepër një fiksim prej afërsisë që keni.
Nga ana tjetër, ti edhe vetë cilëson si dicka të gabuar ndërhyrjen në një komunikim personal midis dy personave dhe për më tepër të penguarit e këtij komunikimi nëpërmjet fshehjes së informacionit. Besoj se edhe fakti që na ke shkruar vjen pikërisht nga një lloj vetëdijësimi nga ana jote që s’duhet të jetë kështu sic është.
E kuptoj që ndonjëherë ndjenjat dhe dëshirat që kemi për dikë, na bëjnë të mendojmë për mënyrat se si mund ta orientojmë atë person drejt nesh, por më duhet të të them që kjo që ke zgjedhur është në fakt intruzive dhe do rezultojë lënduese e shumë tradhëtare për shoqërinë që ke me të dy.
Kështu që mendoj që ndjenjat që ke ndaj shoqes tënde të ngushtë, do ishin mirë të mbaheshin në nivele pozitive e respektuese për jetën e saj, vecanërisht në rast se mund të kesh “rënë në dashuri” me të.
.
Unë mendoj që është mirë të marrësh kohën tënde për të qartësuar ndjenjat që ke, të kuptosh interesin e shoqes tënde ndaj teje dhe të zgjedhësh një rrugë tjetër në rast se do të afrohesh në mënyrë romantike me të.
Në rast se kjo do të jetë e pamundur, është pjesë e rritjes sonë të pranojmë atë që s’mund të kemi dot, të marrim kohën tonë apo shkëputjet e nevojshme që mos të lëndojmë veten. Kjo është më interesantja e marrëdhënieve në fakt, që ato janë në thelb një rrugëtim drejt vetes sonë.
Je gjithmonë i mirëpritur të na shkruash dhe uroj që kjo përgjigje të të ketë qartësuar.
Gjithë të mirat më tej,
Almandina
Përshendetje .
Kam një kolege në pune , prej 3 muajsh .
Më ka tërhequr pamja e saj fizike .
Asnjëher nuk kam komunikuar me ate , madje as për ta përshëndetur .
Që kur e kam pare , me kan ngelur syte dhe mendja vetëm te ajo . Femrat tjera më duken kot .
Kam kuptuar që un ndjej brenda vetes time për të , por nuk kam preferuar të hedh ndonjë hap sepse nuk jam i sigurt nëse edhe ajo ndjen njësoj si un.
Kur jam duke folur me njerëz të tjer futet në bised dhe bëhet pjes e komunikimit , kur më sheh i vjen për të qeshur , kur flas un ndonje gjë sidomos për botën e femrave vdes së qeshuri , kur jemi pran njëri tjetrit fizikisht afër , nuk më sheh dot në sy .
Desha një shpjegim ju lutem , cfar është e gjitha kjo ?
Një tërheqje apo një dashuri e fsheht?
Pershendetje dhe faleminderit qe na keni shkruar. Per te marre nje pergjigje nga nje prej eksperteve tane ju ftojme ta ndani shqetesimin tuaj me ne duke krijuar nje pyetje te re dhe jo si koment pasi vetem ashtu mund te merrni pergjigje prej eksperteve te faqes.
Gjithe te mirat,
Stafi i nukjevetem