Ndjekse 19.01.2024
Ndihme kerkoj! Kam frike se po rikthehet ankthi mbrapsht.
Puna ime eshte strapacim, si ta marr veten? Ca mund te bej tjeter?
Aty nuk ka organizim hic, nuk merren vesh detyrat qe kemi. Shume gjera shtes do i bejm por kur ka rremuje, nuk merret vesh si do bejm. Ju lutem shume me jepni nje keshille.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
LERE PUNEN,LER CDO GJE QE NUK TE BEN TE NDIHESH MIRE,E VETMJA MENYRE PER TE QEN I QETE
Përshëndetje e dashur dhe e vlerësoj që na ke shkruar për shqetësimin tënd! Është e kuptueshme
që po përjetoni një periudhë sfiduese në vendin e punës.
Kur puna ofron një mjedis konfuz dhe nuk ka një organizim të qartë, mund të prodhojë ndjesi
ankthi dhe stresi tek një individ. Gjithashtu, kjo mungesë e kuptimit rreth detyrave dhe
përgjegjësive mund të shkaktojë dhe ndjenjën e pakontrollueshmërisë dhe vetëmenaxhimit në
raport me punën dhe më tej. Duke qenë se puna zë një pjesë të mirë të kohës sonë, edhe efekti që
ajo ka tek ne është i konsiderueshëm, ndaj duhet ta vlerësojmë dhe të punojmë për ta përmirësuar
atë. Për këtë, është e rëndësishme të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor dhe të identifikoni
burimet e tensionit.
Ajo që unë do ju sugjeroja si fillim do të ishte të përpiqeni të komunikoni hapur me kolegët dhe
menaxherët tuaj, pasi mund të ndihmojë të shprehni shqetësimet dhe të kërkoni qartësi në lidhje
me detyrat dhe objektivat.
Gjithashtu, mundohuni të organizoheni personalisht. Përdorni një axhendë ose një aplikacion për
menaxhimin e kohës për të plotësuar detyrat dhe për të përmirësuar produktivitetin tuaj.
Përpiquni të komunikoni hapur me miqtë, familjen apo kolegët për të ndarë ndjenjat tuaja.
Përkrahja sociale mund të jetë shumë e rëndësishme në situata të vështira.
Mësoni teknika të relaksimit si meditimi, frymëmarrje e thellë ose yoga. Këto teknika mund të
ndihmojnë në zvogëlimin e tensionit dhe ankthit.
Sigurohuni që të keni një rutinë të rregullt ushqimore, të flini mjaftueshëm dhe të bëni aktivitet
fizik. Kujdesi për trupin tuaj ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien mendore.
Vendosni qëllime të vogla dhe realiste, të realizueshme për veten. Kur arrini këto qëllime, do të
ndiheni më të suksesshëm dhe të motivuar për të vazhduar përpara.
Përcaktoni momentet pozitive në jetën tuaj dhe shënojini ato. Mund të përdorni një ditar për të
regjistruar çdo ditë gjërat pozitive që ndodhin dhe herë pas here i lexoni. Do ju ndihmojë ta
shihni jetën tuaj në një prizëm tjetër.
Sigurohuni që të keni kohë për veten tuaj, duke bërë aktivitete që ju sjellin kënaqësi. Kjo mund
të jetë leximi, të ecurit apo cfarëdo tjetër që ju relakson. Përpiquni të kaloni më shumë kohë
jashtë, në natyrë. Natura ka një ndikim pozitiv në shëndetin mendor dhe mund të ndihmojë në
relaksimin e trupit dhe të trurit.
Do ju sugjeroja fort të përpiqeni ti shikoni situatat nga një perspektivë tjetër. Mund të ndihmojë
të identifikoni mendimet negative dhe të punoni në zëvendësimin e tyre me mendime më
pozitive.
Shumë e rëndësishme është të punuarit me veten edhe për të harruar perfeksionin. Nuk është e
mundur të bëni gjithçka njëkohësisht. Pranoni se nuk mund të jeni perfekt dhe lejoni vetes t’i
bëni gabimet dhe të mësoni nga to. Ashtu si ju, edhe të tjerët.
Nëse ndjeni se ankthi dhe stresi vazhdojnë të rriten, mund të konsideroni edhe këshillën e një
specialisti për të adresuar shqetësimet tuaja ose mund të konsideroni alternativa profesionale
gjithashtu. Nëse situata në punë nuk përmirësohet dhe gjendja juaj vazhdon prezente, mund të
konsideroni kërkimin e një alternative profesionale. Mund të shikoni oferta të tjera pune që mund
t'ju ofrojnë një mjedis më të përshtatshëm dhe të organizuar.
Në përgjithësi, është e rëndësishme të punoni në drejtim të një situate më të qetë dhe më të
organizuar në vendin e punës. Komunikimi i hapur dhe gjetja e mënyrave për të menaxhuar
stresin mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve në punë dhe shëndetit tuaj mendor.
Kujdesi për veten dhe marrja e hapave të duhur për menaxhimin e ankthit është një proces
gradual. Ju ftoj të aplikoni këto këshilla për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm dhe për të
forcuar aftësitë tuaja për të menaxhuar sfidat emocionale.
Unë ju falenderoj dhe ju ftoj të na shkruani sërish,
Uarda