Lene 25.01.2022
Pershendetje jam nje nene e kam nje djale 8 vite i zhvillura normal, ka kapcitet per mesim mirepo kohen e fundit nuk e ka koncentrimin gjate orese se mesimit keshtu me thot mesuesja ka filluar te me shqetsoj shume kjo gjendje e tij, cfare duhet te veproj
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Lene!
Është e rëndësishme që të kuptojmë se çfarë vështirësish fëmija mund të shfaqë. Ajo që është më e rëndësishme është që prindërit të mund t’i pranojnë ato dhe të drejtohen për ndihmë!
Disa fëmijë e kanë të vështirë që të përqëndrohen në një detyrë apo aktivitet të dhënë. Mund të flisni me mësuesen ose psikologen e shkollës për të kuptuar se cilat lëndë ose aktivitete fëmija i ka të vështira për t’i realizuar. Për t’i ardhur në ndihmë është e nevojshme që të kuptohet nëse mungesa e përqëndrimit ndodh vetëm kur duhet të bëjë detyrat apo dhe në aktivitete të tjera? Do të ishte e rëndësishme që të vëzhgohej sjellja e fëmijës dhe të mbahet shënim se për sa minuta qëndron fëmija në detyrë, çfarë e shpërqëndron atë, si reagon fëmija kur shpërqëndrohet dhe sa kohë i duhet për t’u rikthyer sërish në detyrë.
Ju mund ta ndihmoni fëmijën duke hartuar së bashku me të një plan ditor me të gjitha aktivitetet që fëmija duhet të bëj gjatë ditës. Mund t’i ngjisni ato tek dera e frigoriferit ose në një vend tjetër të dukshëm. Vendosni një tiket ose symbol tjetër për aktivitetet ose detyrat që fëmija i ka realizuar.
Përveç hartimit të një plani ditor, largimi i stimujve ose objekteve që i shkaktojnë shpërqëndrim fëmijës është ndihmues. Shpërble fëmijën kur sillet mirë. Shpërblimet gjithashtu mund të përdoren për të rritur kohën që fëmija qëndron në detyrë. Shpërblimi duhet të jetë diçka shumë e pëlqyer për fëmijën, që t’a motivojë atë të qëndrojë për sa kohë ju i keni përcaktuar në një detyrë. Koha që ju i vendosni nuk duhet të jetë shumë larg kohës që fëmija mund të qëndroj zakonisht në një detyrë. Përshembull nëse fëmija qëndron në detyrë për 5 minuta, mund t’i kërkoni që të kryejë një aktivitet për 7 minuta, dhe nëse gjatë kësaj kohe nuk bën asgjë tjetër përveç detyrës, do të shpërblehet me një copë të vogël çokollatë (ky është një shembull, përdorni gjërat që fëmija pëlqen).
Shpresoj që të mund të të kem ndihmuar sadopak! Mund të më shkruash për çdo gjë që mund të kesh nevojë!
Fatjona