Këshilla/Blog

31.01.2017

Me duket sikur do vdes. Kam 6vjet qe e vuaj kete gje. Ju lutem me thoni ku mund te kurohem ose ka ndonje zgjidhje tjeter sepse tani kam 2muaj qe vetem kte gje kam ne mendje sikur do vdes. Flm

  1. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje i/e dashur
    Faleminderit që na ke shkruar dhe drejtuar shqetësimin tënd dhe me c’po kuptoj nga kohëzgjatja e këtij shqetësimi duket që është dicka e vështirë për ty dhe e nevojshme në fakt për tu trajtuar profesionalisht.
    Në radhë të parë më duhet të them që informacioni në letrën që na ke dërguar është shumë i limituar për të kuptuar historikun nga vjen e gjithë kjo frikë e amplifikuar tashmë qoftë emocionalisht dhe irracionalisht.
    Kështu që në kuadër të mungesës së informacionit, do të përmbledh një përgjigje me informacion dhe supozime rreth shqetësimit që ke, por me sugjerimin që është mirë që të kesh konsulta ballë për ballë me një psikolog apo profesionitë të fushave të tilla.

    Frika nga vdekja është një nga frikat më ekzistencale që ka njeriu dhe që deri diku konsiderohet edhe e nevojshme edhe e dobishme, pasi na bën të mendojmë më shumë për jetën, na vendos në një gjendje aktive e dinamike, por që sigurisht në momentin që kjo interferon në jetën personale duke na bllokuar në mendime dhe emocione, në gjërat tona të përditshme, atëherë bëhet penguese dhe kërkon vëmendje.
    I gjithë obsesioni (le ta quajmë kështu) apo frika ndaj vdekjes është një nga frikat më të mëdha pasi lidhet me idenë e asgjësimit, zhdukjes së qënies por vjen edhe nga frika ndaj dhimbjes dhe ndodhisë traumatike.
    Unë mendoj që kjo frikë që ti paraqet mund të vijë si rezultat i disa arsyeve kryesore
    Të menduarit kaq fuqishëm për vdekjen mund të vijë prej ankthit që mund të kesh në jetën tënde apo situata të caktuara, vecanërisht kur gjendjet ankthioze janë evidente dhe bashkëshoqëruese në jetën tënde të përditshme.
    Ankthi mund të shkaktojë një varg frikërash e një prej tyre është edhe frika ndaj vdekjes.
    Kur ne përjetojmë ankth të madh në jetën tonë të përditshme, mendojmë negativisht, mund të provojmë situata me simptoma fizike të forta (frymarrje, rrahje zemre) ndaj një rreziku të caktuar, jo detyrimisht real, kemi frikë nga shumë gjëra ose situata në përgjithësi.

    Tjetra është që mbase ke përjetuar një humbje/vdekje të një personi dhe mbase kjo eksperiencë nuk ka kaluar aq mirë në sensin e pranimit apo përballjes së shëndetshme emocionale.

    Dhe për mua në këtë pikë një pyetje e rëndësishme për ty është:
    Cfarë ka ndodhur këto dy muaj që është shtuar frika? Cfarë ngjarjesh apo situata e kanë shkaktuar atë? Kur pakësohet frika ndaj vdekjes, në cilat situate e raste? Ca situatash të relaksojnë?

    Hamendësimi i tretë është që ndoshta frika që ti ke ndaj vdekjes mund të jetë kthyer tashmë në një fobi.
    Fobia përkufizohet si një frikë irracionale dhe e tëpërt, ekstreme, e zgjatur në kohë që na bën tu shmangemi situatave ku elementi ngacmues është present.
    Në këtë rast nuk e di sa realisht ti psh shmang situata potenciale rreziku, izolohesh, largohesh.
    Dmth në rastin e fobisë, kemi shmangie të situatave të mundshme sociale, që do të thotë jo vetëm mendime, por edhe sjellje konkrete shmangëse.

    Këto janë disa fusha për tu eksploruar për të kuptuar më qartë. Unë nuk e di ku e identifikon ti veten dhe paraprakisht je e mirëpritur të më rishkruash më gjatë në rast se e gjen veten në një prej shpjegimeve. Në këtë mënyrë do më bëje edhe mua të kuptoja më mirë dhe të të përgjigjesha më qartë.

    Gjithsesi, në të tre rastet është e nevojshme diskutimi dhe trajtimi më i gjatë.
    Në rastin e ankthit, frika ndaj vdekjes është më shumë një simptomë dhe ajo që duhet kuptuar është gjendja që e ka shkaktuar, cfarë e shkakton ankthin, kush janë mendimet negative dhe iracionale. Gjithashtu edhe në rast se lidhet me një humbje traumatike në jetën tënde, është e nevojshme të flitet për të, në rast se trauma, emocioni i dhimbjes është shtypur. Është gjihashtu e nevojshme të kuptohen mendimet mbi vdekjen.

    Në rast se është një fobi, kërkon gjithashtu të marrurit me teknika relaksimi, desensibilizimi ndaj mendimeve e emocioneve dhe kjo kërkon një trajtim më të gjatë, jo thjesht nëpërmjet këshillimit online.

    Nga ana ime një këshillë paraprake është që ndonjëherë nevoja për mos të menduar, për ta harruar, na bën të mendojmë më fort për të (në këtë rast për vdekjen).
    Mbase ty kur të vijnë këto mendime, përpiqesh ti shmangësh dhe në vend që të bësh këtë, mbase mund të mendosh për vdekjen në momente relaksi, si një koncept e ngjarje që na përket të gjithëve, që na bën ta barazpeshojmë edhe jetën që duam të bëjmë. Kjo për të të thënë që kërkohet të stërvisësh pak trurin e mendimet e tua për të menduar ndryshe për vdekjen.

    Shpresoj realisht që përgjigja të të ketë orientuar drejt sadopak.
    Je gjithmonë e mirëpritur dhe realisht të uroj më të mirat,
    Me respekt,
    Almandina Guma

  2. Lato says:

    Mendoj se eshte pukerisht ajo qe sapo thate ju. Prejardhja e gjendjes ankthioze nga frika per vdekjen.
    Edhe une kam pothuajse te njejtat simptoma si personi ne fjale.

  3. Anonymous says:

    Pershendetje kam disa dit qe me duket sikur do te vdes, e kujtoj zotin me duket qe se shpejti do e takoj sepse do vdes, me vjen per te qar sepse me duket nje bot shume e keqe nje bot qe se shpejti so shkaterohet. Edhe kam frik shume sepse me duket qe do vdes kur shikoj qiellin me vjen merzi sepse me duket qe se shpejti do vdes e do shkoj ne qiell. Te lutem shume me ndihmone per kete gje sepse nganjeher me duket sikur kjo gje qe po mendoj eshte e vertet. Me ndihmoni ju lutem.

    1. admin says:

      Pershendetje dhe faliminderit qe ke nda me ne ate qe je duke perjetuar. Te lutem qe pyetjen ta beshe te rubrika beje Pyeyjen tende https://nukjevetem.al/pyetje/
      pasi ke komentuar te nje pyetje tjeter. Vetem keshtu do mund te te pergjigjen eksperete e faqes.
      Ne nderkohe te ftojme te futesh ne chat per te folur diretk me nje nga psikologet e faqes.

      Video udhezuese per te nisur nje chat ne nukjevetem.al
      https://youtu.be/ZjcLbXs-QxM

      Oraret se kur ka psikolog online i postojme rregullisht tek Instagrami dhe Facebook – @nukjevetem.al
      Gjithe te mirat,
      Stafi Nukjevetem

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.