12.06.2017
i,e nderuar
Problemi im eshte ankthi i cili nuk po me le te hap syte.
Jam nene e tre djemve (mosha 13,11,5)
Jam diplomuar per mesuese te gjuhes angleze por aktualisht punoj pune administrative ne nje kompani te madhe publike ne Kosove.
Burri punon ne Banke.
Jam keshilluar me nje psikiater i cili me diagnostifikoi me diagnozen “depresion dhe ankth” me ka dhene te perdor escitalopram, fillimisht 5mg, me vone 10 mg, ndersa tani ka 3 jave qe jam duke marre 20 mg escitalopram ne mengjes dhe Bedoksine-vitamine B6 ne mengjes dhe mbremje.
Kam biseduar me bashkeshortin per kete problem por ai eshte natyre tjeter nga une dhe nuk arrin ta kuptoje gjendjen time, mendimi i tij eshte qe une nuk kam nevoje per terapi sepse sipas tij une nuk kam asgje, nuk jam e semure dhe mund ta kaloj kete gjendje dhe pa terapi.Tani une nuk po mundem te shpehem as me te sepse po shqetesohet shume nga gjendja ime dhe si rezultat une po mundohem te shtirem se jam mire (kjo edhe per hatrin e femijeve). Familjare me te cilet mund te bisedoj nuk kam, ne pune nuk dua ta marrin vesh sepse kam frike nga pasojat.
Ju lutem me ndihmoni si ta perballoj kete situate, jam ne nje gjendje te pa shprese. Si natyre nuk jam shume tip i shoqerueshem mirepo kjo gjendje me ka penalizuar edhe me shume.
jam duke u keshilluar dhe menje psikologe e cila me inkurajon “mos e vrit mendjen se jeta eshte e shkurter, ti je nje grua e forte” etj
Por jeta ne kete gjendje qenka shume e gjate. Shpresoj ne nje keshille nga ju, apo nje inkurajim se si te dale nga kjo gjendje.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Faleminderit që na je drejtuar për mendimet e shqetësimet e tua.
E kuptoj dhe e ndjej që ajo që po kalon aktualisht nuk është një periudhë e lehtë për ty, aq më tepër kur është e shoqëruar prej nevojës për të qenë më e mirëkuptuar nga bashkëshorti si dhe nga presioni për ta kaluar këtë situatë me burimet e tua të brendshme, pa mundësinë e krijuar për të folur me familjarë apo rrethin shoqëror.
Mendoj që ti ke bërë hapat e duhur duke u konsultuar me specialistët përkatës si psikiatër si dhe me psikolog dhe mendoj që trajtimi i nevojshëm nëpërmjet seancava këshilluese me psikolog duhet të jetë e vazhdueshme për të identifikuar të gjitha mendimet e ndjesitë e tua negative që krijojnë ankth në situata të caktuara. Në rast se medikamentet që aktualisht merr kanë ndikim pozitiv te ty, hapi tjetër është që të punosh në drejtim të identifikimit të burimit apo ngacmuesve mendorë që sjellin apo predispozojnë këto gjendje si dhe të mësuarit e kontrollit të tyre apo nëpërmjet teknikave të relaksimit.
Gjendjet e ankthit apo depresionit shkaktohen nga shumë arsye dhe nuk kanë të bëjnë me faktin në rast se jemi të fortë apo jo. Ato sjellin në vetvete gjendje emocionale,sensibilitet e vulnerabilitet dhe kërkojnë vëmendjen dhe mirëkuptimin e duhur edhe nga personat përreth. Ndoshta për personat e afërt është e vështirë të kuptojnë apo të pranojnë gjendjen tënde (ndoshta shoqërohen edhe me gjykim e paragjykim), por mendoj që është e nevojshme dhe ndihmuese për ty në rast se i bën të kuptosh që ke nevojë për suportin e tyre në këtë moment.
Mendoj se do ishte mirë të flisje me bashkëshortin tënd për gjendjen tënde por duke i kërkuar edhe ndihmë konkrete, për shembull se cfarë pret nga ai në këtë moment, cfarë do të bënte ty të ishe mirë. Gjithashtu mund të lexoni edhe bashkë rreth gjendjeve të ankthit dhe cfarë i krijojnë ato. Mendoj që një komunikim pozitiv do të ndihmonte shumë në këtë rast. Ashtu si për ty, edhe për bashkëshortin tënd është e rëndsishme që ti të jesh mirë me veten tënde.
A ka gjithashtu persona të tjerë në rrethin tënd që mund të jenë të afërt e dëgjues të mirë? Pavarësisht se ti përmend që e ke të vështirë, ndoshta ka persona me të cilët mund të hapesh e të flasësh për gjendjen tënde?
Do të këshilloja që të mendoje se kush mund të jetë mbështetës për ty në këtë moment. Mbase po këta persona mund të kenë kaluar gjithashtu vështirësi të ngjashme.
Për ta përmbledhur përgjigjen time, mendoj se ti ke nevojë të kesh një rreth mbështetës përreth dhe mendoj se ti mund të gjesh mënyrat e duhura për ti afruar dhe për ti mobilizuar rreth ndihmës e suportit që ke nevojë si dhe vazhdueshmëria e një këshillimi psikologjik por që synon identifikimin e mendimeve dhe të folurit rreth gjendjeve të tua dhe si sjelljeve të reja që mund të adaptosh.
Të uroj gjithë të mirat më tej dhe shpresoj se kam mbërrit te ty me përgjigjen time.
Me respekt,
Almandina Guma