07.06.2018
Pershendetje stafit, urime per kete nisme te re.
Jam nje nene dhe jetoj jashtetit . Kam nje vit qe kam kaluar nje shqetesim nga dikush nje parazit qe dhe sot spo m lene te jetoj.Eshte dikush qe vazhdimisht shqeteson familjen time . Me eshte bere ankth dhe gjithe problemin e ka tek une kerkon me patjeter te me bej keq duke shpifur lloj lloj gjerash nga me te ndryshmet . Theksoj qe burrit ja kam treguar gjithe keto peripeci tani kohen e fundit ngaqe po behej perdite dhe me e padurueshme. Ndihem shume keq kam vetem ankth me dalin ata persona vetem n ender nuk mundem dot te fle. Kam mar qetesues me pika po me sillnin shume gjume dhe nuk I piva me . Ju lutem me ndihmoni se kam dhe rahje te shpeshta te zemres. Nje pergjigje pres ju lutem pasi nuk kam me ke flas .
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Faleminderit për letrën tënde dhe që ndave me ne shqetësimet e mendimet që ke.
Me sa duket, situatat që ke kaluar me personin apo personat që ti i cilëson si “parazit” të kanë shqetësuar, mërzitur si dhe ndërhyrë kaq shumë në mendimet, ndjesitë e tua sa duket që kanë afektuar jetën tënde por edhe rehatinë që ti do të kesh.
Nga ana tjetër, vështirësia për tu marr me këtë gjë, i kanë krijuar trurit e trupit, kanalizim të gjithë kësaj në shenja fizike, pagjumësi, rrahje zemre etj.
Në radhë të parë unë mendoj që ti ke me kë të flasësh. Ti ke folur me bashkëshortin tënd, ndoshta ke persona të afërm përreth që mund të shprehesh dhe të gjesh mbështetje dhe sigurisht që ke edhe NE nëpërmjet kësaj platforme dhe mundësie.
Për mua nga ana tjetër, me informacionin që ke paraqitur në letër, është pak e vështirë të kuptoj gjithë situatën, por ti përmend se këta persona shpifin, por nuk përmend asnjë gjë lidhur me sa realisht e kanë prekur e cënuar integritetin tënd apo të familjes tënde. Në rast se është kështu (ashtu sic unë uroj), kjo do të thotë që ke një lloj kontrolli dhe kufijsh që këta persona s’mund të ndërhyjnë dhe si rrjedhojë mendoj që kjo duhet të sjell qetësi dhe vlerësim ndaj faktit që ti po ja del në këtë situatë.
Mund tu drejtohesh këtyre personave me racionalitet dhe vendosmëri që mos të ndërhyjnë më? A mundet të funksionojë indiferenca me ta? Ka një Jo që mund tu thuhet apo tu transmetohet atyre në mënyrën e duhur apo nëpërmjet personave të tjerë?
Cfarë i motivon ata të vazhdojnë të interferojnë në jetën tënde?
E në rast se nuk mund të kontrollojmë veprimet e dikujt tjetër, mënyra më e mirë është të kontrollojmë reagimet tona lidhur me të dhe rimarrjen e kontrollit mbi situatën nëpërmjet mendimeve dhe ndjesive.
Si bëhet kjo?
Prandaj kërkohet që ti të mendosh racionalisht se ku fillojnë e mbarojnë interferencat e tyre dhe ku fillojnë e mbarojnë sa këto interferenca të tyre ti po i bën pjesë të vetes dhe mendimeve dhe ndjesive të tua, duke rritur nivelin e ankthit dhe rënien pre e një cikli vicioz, ku mendime negative sjellin ndjenja e ndjesi negative e këto si një cikël shkak-pasojë vetëm tentojnë të rriten.
Është e nevojshme që ti të identifikosh me racionalitet mendimet që ke, ti peshosh ato ku janë faktike, ku janë supozime, ku janë emocionale dhe subjektive, të përpiqesh ti bësh stop kontrollit negativ që ato mund të marrin te ty, të kuptosh se cfarë gjërash janë të forta te ty, të vlerësosh cfarë janë kufinjtë e familjes tënde dhe veten tënde në mënyrën sic po i ruan, të mundohesh me mjetet dhe strategjitë që ke, tu thuash “Jo” këtyre personave.
Është e nevojshme të ndryshosh strategjinë e të menduarit dhe sa hapësirë po u lejon këtyre personave në sferën tënde të mendimeve dhe emocioneve të tua. Kjo është një nga të fortat që ti duhet të zhvillosh.
Unë e kuptoj dhe ndjej me të drejtë shqëtësimin që ke, po lipset të marrësh situatën në kontroll nëpërmjet një përqasje më pozitive mendimi.
Mbase ky ndryshim nuk do të vij menjëherë dhe do kërkoj kohë. Të këshilloj të vazhdosh ti kërkosh mbështetje bashkëshortit në këtë situatë dhe personave të afërt për ty.
Kaq nga ana ime, pasi unë nuk kam gjithë informacionin për cfarë po ndodh po uroj që përgjigja të ndihmoj për të reflektuar ndryshe për këtë situatë.
Të uroj gjithë të mirat më tej,
Me respekt,
Almandina