Këshilla/Blog

Kaltrina 23.01.2022

Jam shume e shqetsur per femin tim . Esht 7 vjet dhe esht ne klas 2t ka pasur edhe disa probleme ne sholl ne shtepi nuk me degjon aspak ben shume gabime vazhdmish ben zhurem asniher nuk perqendrohet nuk di cfar te bej me te ..
Po kam dhe problem me familjar shkaku i femis

  1. Fatjona Ahmetli says:

    Përshëndetje Kaltrina!
    Faleminderit që ju drejtove faqes tonë!
    Në rastin tuaj është e rëndësishme që të kuptojmë se çfarë vështirësish fëmija mund të shfaqë.

    Vështirësitë që ka fëmija për t’u përqëndruar mund të shoqërohen me sjellje agresive ose të papërshtatshme dhe rezultate jo të mira në shkollë. Megjithatë është e rëndësishme të kuptohet se në cilat momente fëmija juaj shfaq sjelljen e papërshtatshme, sa zgjat ajo, çfarë e shtyn atë drejt kësaj sjellje, çfarë e qetëson fëmijën.

    Disa fëmijë e kanë të vështirë që të përqëndrohen në një detyrë apo aktivitet të dhënë. Për t’i ardhur në ndihmë është e nevojshme që të kuptohet nëse fëmija ka vështirësi me përqëndrimin vetëm në shkollë apo dhe në shtëpi. Mungesa e përqëndrimit ndodh vetëm kur duhet të bëjë detyrat apo dhe në aktivitete të tjera? Do të ishte e rëndësishme që të vëzhgohet sjellja e fëmijës dhe të mbahet shënim se për sa minuta qëndron fëmija në detyrë, çfarë e shpërqëndron atë, si reagon fëmija kur shpërqëndrohet dhe sa kohë i duhet për t’u rikthyer sërish në detyrë. Hartoni së bashku me fëmijën një plan ditor me të gjitha aktivitetet që fëmija duhet të bëj gjatë ditës. Mund t’i ngjisni ato tek dera e frigoriferit ose në një vend tjetër të dukshëm. Vendosni një tiket ose symbol tjetër për aktivitetet ose detyrat që fëmija i ka realizuar.

    Përveç hartimit të një plani ditor, largimi i stimujve ose objekteve që i shkaktojnë shpërqëndrim fëmijës është ndihmues shpërbleje fëmijën kur sillet mirë. Shpërblimet gjithashtu mund të përdoren për të rritur kohën që fëmija qëndron në detyrë. Shpërblimi duhet të jetë diçka shumë e pëlqyer për fëmijën, që t’a motivojë atë të qëndrojë për sa kohë ju i keni përcaktuar në një detyrë. Koha që ju i vendosni nuk duhet të jetë shumë larg kohës që fëmija mund të qëndroj zakonisht në një detyrë. Përshembull nëse fëmija qëndron në detyrë për 5 minuta, mund t’i kërkoni që të kryejë një aktivitet për 7 minuta, dhe nëse gjatë kësaj kohe nuk bën asgjë tjetër përveç detyrës, do të shpërblehet me një copë të vogël çokollatë (ky është një shembull, përdorni gjërat që fëmija pëlqen).
    Në klasë fëmija sugjerohet të ulet në bankë të parë, për të qënë më afër vëmendjes së mësuesit si edhe për të reduktuar ndikimin e stimujve shpërqëndrues. Zvogëlimi i detyrave në gjatësi, duke e ndarë detyrën në pjesë më të vogla dhe duke dhënë udhëzime të qarta për zgjidhjen e saj, e ndihmojnë gjithashtu, fëmijën.
    Shpresoj që të mund të të kem ndihmuar sadopak! Mund të na shkruash për çdo gjë që mund të kesh nevojë! Për çdo pyetje ose paqartësi jemi këtu!
    Më të mirat,
    Fatjona

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.