ajoo 17.09.2021
pershendetje.. jam 26 vjeqe ,vuaj nga ankthi qe 4 vite mirpo kam qen mire,por tani qe nje vit nuk jam mir fare,kam problem me koken,ndjej shum trullim dhe mmaramendje thuajse tere kohen edhe shtrir kur jam,kam shtrengim ne koke dhe me pulson koka,eshte shum e rend koka,dua vetem shtrir te rri,me jep shum presion ,edhe ne kemb smund trri se me luhatet trupi sikur me shtyen dikush nga mbrapa ,te pjesa ballit kam shum presion te madh.. a ka dikush pulsim ne koke pa nderpre,kur e vendoj koken ne jastek me ngrihet koka nga pulsi si zemra kur rrah. Ju lutem ndani eksperiencat e juaja se jam shum ne stres.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Të jetosh me një ankth kronik është e vështirë, pavarësisht se të gjithë kemi nevojë për njëfarë stresi dhe ankthi (të tolerueshëm) për të funksionuar në jetën e përditshme.
Thua se vitin e fundit nuk ndihesh mirë dhe se të janë përkeqësuar simptomat trupore. Këto që ke listuar: dhimbja/ shtrëngimi i kokës, pulsimi në kokë, rëndesa, marrjemendja, turbullimi, luhatja e trupit etj. – duken si simptoma trupore të një gjendjeje të zgjatur ankthi, e cila gradualisht ka filluar të shkarkohet në trup. Nëse i ke bërë ekzaminimet dhe analizat të kanë rezultuar mirë, të sugjeroj që sa më shpejt të bësh një konsultë me një psikolog dhe me një mjek psikiatër për të trajtuar gjendjen e ankthit.
Në kushte shtëpie, të sugjeroj të gjesh disa teknika të thjeshta fryëmarrjeje dhe meditimi, të cilat do të të ndihmojnë të qetësosh sistemin nervor i cili, kur shqetësohet, shpie edhe në dhimbje apo siklete të ndryshme fizike. Trupi yt po “bërtet” duke të thënë që të merresh me të, ta qetësosh, ta duash, ta pranosh që ke nevojë për kujdes për veten dhe nga të tjerët rreth teje. Kur ankthi arrin nivele të larta, ky është një sinjal që duhet filluar të merresh me veten dhe t’i kushtosh vëmendjen sinjaleve të trupit tënd. Gjej forma edhe vetë për ta qetësuar trupin – siç sugjerova ushtrimet më lart, por edhe masazhe, kërcim dhe lëvizje të tjera që ndihmojnë në shkarkimin e ndjenjave të bllokuara (që janë bërë simptoma).
Megjithatë, mos harro pjesën e konsultës, sepse kemi të bëjmë me një gjendje e cila po zgjat prej kohësh. Një mjekim mbështetës dhe disa seanca në terapi do të të ndihmojnë të rimëkëmbesh më shpejt.
Uroj t’i gjesh me vlerë këto fjalë dhe të ngrihesh më e fortë pas kësaj përvoje!
Të përshëndes,
Lediona Braho
Psikologe