Nga Sokol Kosta, Psikoterapist
Mund të thuhet, pa qenë e nevojshme të ceken të gjitha simptomat e traumës, se kjo pandemi, dhe pasojat që i kemi përjetuar të gjithë, ka qenë një lloj traume që mund të përkufizohet si globale dhe individuale, e sidomos më e theksuar për ata që janë prekur drejtpërdrejt prej saj (infektimi dhe kalimi i sëmundjes, humbja e të afërmeve, frikërat) etj.
Kjo pikënisje, na e lehtëson shpjegimin lidhur me funksionin dhe rëndësinë që ka pasur këshillimi online i platformës nukjevetem në këtë periudhë. Kjo sepse pandemia dhe izolimi shumë muajsh na kanë ofruar perspektivën e nevojshme, për të kuptuar disa nga pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj traume te përdoruesit, të cilët kanë kërkuar ndihmë psikologjike në platformën nukjevetem.
Vlerësimi i dytë bazohet në faktin jo pak domethënës, se bëhet fjalë për një traumë të zgjatur, pasojat e së cilës janë akumuluar çdo ditë, gjë që ka kërkuar nga gjithsecili prej nesh energji të vazhdueshme në dispozicion, dhe në kushtet e ezaurimit, ofrimin e ndihmës psikologjike një numri të rritur të kërkesave për mbështetje psikologjike, në dallim nga tërmeti që ishte një përvojë shokuese, por jetëshkurtër në terma realë.
Së treti, kjo traumë në impaktin e vet mund të vlerësohet si kolektive dhe gjithëpërfshirëse (të paktën potencialisht), pra askush nuk është i përjashtuar prej efekteve të saj (pavarësisht narcisizmit të tij). Platforma nukjevetem është gjendur afër përdoruesve te saj që nga dita e parë e kësaj sage stërmundimi, në të cilën janë vërejtur përjetime dhe reagime prej atyre relativisht normale, ku nuk mungon një lloj shqetësimi i shëndetshëm, i cili zakonisht ka për qëllim adaptimin me rrethanat e reja të realitetit, të imponuara shumë fuqishëm nga kjo pandemi, deri te përkeqësimi i problematikave ekzistuese më parë me dimensione patologjike, qofshin në nivel grupi apo individi, ku vërehen fenomene tipike të sjella në vëmendje nga psikologët në situata të ngjashme: si çrregullimet postraumatike, depresive, antisociale, paranoide, obsesive, fobike dhe kundërfobike, regresive etj.
Nga ana tjetër çdo lloj ngjarje madhore që merr përmasa traumatike shoqërohet nga një proces zinxhir karakteristik, sa fiziologjik dhe psikologjik – sigurisht i sjellë këtu i thjeshtuar – që në vetvete mishëron një kundërpërgjigje evolutive të organizmit ndaj faktorëve stresues të jashtëm dhe nevojave për tu përshtatur ndaj tyre. I parashtruar rishtazi nga Seyle (GAS, General Adaption Syndrome phases; Hans Seyle), ky proces zinxhir përbëhet nga alarmi, mbrojtja, ezaurimi. Do të doja që nisur nga këto dy rrafshe, njëri përmbajtësor dhe tjetri formal, të theksoja rëndësinë e një shërbimi të tillë online si ai i platformës nukjevetem, të shtrirë tashmë në Kosovë dhe Shqipëri.
Efektet e karantinës: kufizimi lëvizjes, si distancimi fizik (izolimi social), mbajtja e maskës, kanë qenë jo vetëm të drejtpërdrejta por edhe të tërthorta. Nukjevetem ka shërbyer më së pari si një mundësi që përdoruesi të ketë qasje të një shërbimi online, pa u rrezikuar nga infektimi, për të verbalizuar një kuptim emocional të këtyre efekteve, në kushtet ku mirëqenia dhe siguria e tij janë vënë në pikëpyetje dhe ku kundërpërgjigja e parë evolutive, alarmi, ka reduktuar efikasitetin e mendimit dhe ka shtuar simptomat vegjetative.
Grupet e përdoruesve me shqetësime psikiatrike, në këtë reagim të parë të alarmit ndaj kufizimeve të karantinës dhe kërcënimit të virusit, sollën në chatin e nukjevetem, shqetësime imediate si në planin psikologjik dhe atë praktik, pasi shumëkush prej tyre kishte ndërprerë terapinë medikamentoze dhe si pasojë ishte rrezik si për veten dhe familjarët e vet. Ndihma në chat ka qenë praktike në kuptimin që ka pasur udhëzime konkrete nga ekspertët e faqes. Për këtë grup përdoruesish ndihma ka ardhur gjithashtu në kuptimin e një rregullatori të panikut asgjësues që i karakterizon këta përdorues.
Më tej, një grup tjetër përdoruesish, që karakterizohen nga vështirësitë në menaxhimin e emocioneve, sidomos, tolerimin e frustrimit dhe tensionit, në kontekstin e pandemisë ku kishte ndryshime të menjëhershme që kërkonin një përshtatje më tërësore, nukjevetëm ka ndihmuar si një pritëse/mbajtëse e ankthit të tyre masiv dhe një interpretuese e mekanizmave mbrojtës të papërshtatshëm si mohimi (i rrezikut), sjelljet kundërfobike, qasjet antisociale ndaj nevojave të tjetrit, kalimi direkt në veprim pa provën e mendimit etj. Impulsiviteti te këta përdorues ka qenë një temë e përhershme në chat dhe nukjevetem, prej fillimit, e ka mundësuar këtë “provë” mendimi në një ambient neutral si dhoma e chatit, ku ekspertët përpos një pranie njerëzore kaq të dashur për ta, kanë sjellë një “mendësi” më pak paranoide dhe realiste, sidomos në marrëdhëniet personale të këtyre përdoruesve.
Në këtë grup, konfliktet e shtuara ndërpersonale, nisur edhe nga kontakti i vazhdueshëm me persona të rëndësishëm të jetës së tyre (familjarët), ndikonin negativisht duke e përshpejtuar arritjen në ezaurim (rraskapitje/dorëheqje psikologjike). Në këtë pergjigje të tretë evolutive, nukjevetem përballej me një regresion temporal te theksuar, ku pasiviteti dhe çrregullimet e ankthit ndërkëmbeheshin. Rikthimi i funksionit sinjal të ankthit, i çrregulluar në këto raste, ka qenë një synim i vazhdueshëm në dhomat e chatit prej ekspertëve të faqes.
Një fenomen interesant që eshtë vërejtur në chat dhe ndaj të cilit ekspertët kanë ofruar një alternativë ka qenë mendimi obsesiv ku këmbëngulej për një zgjidhje fikse ose nga ana tjetër remineshencat prustiane kur përdoruesi humbej në kujtime pa dashur asgjë konkretisht. Ndikimet e ardhura nga “bombardimi” i vazhdueshëm i mediave vetëm me fakte të thata shkencore ku njerëzorja reduktohej gjithmonë e më shumë e shtonin mundësinë për tu identifikuar më këtë pikëpamje dhe gjuhë depersonalizuese. nukjevetem ka pasur një qasje sa aktive aq edhe ekploruese e këshilluese ndaj gjendjeve depresive të këtyre përdoruesve, që jo rrallë vinin në formë të thekshme, gati suicidale.
Efektet e pandemisë kanë qenë të shumta. Nuk është e nevojshme të thuhet që “radikaliteti” që imponoi ajo pasqyrohet në një nevojë edhe më të madhe për të “takuar” dikë dhe për të krijuar sërish dialektikën që e ndërpreu, për mirë apo për keq, kjo pandemi. Dhe nukjevetem e ka ofruar vërtet këtë “takim”, në chat, në gjithë trevën shqipfolëse. Ky është një takim i rëndësishém prandaj edhe nukjevetem ka pasur një rëndësi tepër të veçantë këtë vit. Ka qenë pikërisht ky misioni i parë i nukjevetem, që dikush në këtë gjendje shpirtërore, në këto kontekste traumatike, të mund të kishte një përgjigje, jo evolutive, por kulturore dhe njerëzore (falas) dhe sigurisht profesionale ndaj shqetësimeve të tij.
—
Shënim: Përgjatë vitit 2020, nukjevetem.al i është gjendur pranë me këshillim online falas më shumë se 5000 të rinjve. Një ekip psikologësh ka ofruar mesatarisht rreth 20 orë/në javë këshillim të drejtpërdrejtë psikologjik. Përveç këshillimit të drejtpërdrejtë, ekipi i ekspertëve të nukjevetem.al i përbërë nga psikologë dhe mjekë, i është përgjigjur pyetjeve të dërguara në faqen tonë nga vizitorët e shumtë. Që prej muajit Mars e në vazhdim përgjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, kërkesat dhe nevojat për mbështetje kanë qenë gjithmonë e në rritje.
—
Ky artikull realizohet në kuadër të projektit “Ndërhyrje emergjente për përballimin e pasojave në shëndetin mendor si pasojë e izolimit nga pandemia e Covid-19” mbështetur nga Leviz Albania, një projekt i Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC