Këshilla/Blog

ÇFARE ËSHTË SEKSUALITETI?

Nëse mendoni që seksualiteti është vetëm prania e një aparati seksual, gaboheni. Seksualiteti nuk është vetëm zotërimi i një organi, por është karakteristika e përgjithshme dhe thelbësore e personit. Në vend që të themi “kemi një seks femëror dhe mashkullor” do duhej të themi “jemi të ndarë seksualisht”. Kjo na çon ne perfundime të tilla që të qënurit qënie seksuale nuk ka të bëjë vetëm me faktin që seksualiteti konsiston në njohjen e aspekteve të anatomisë ose të fiziologjisë, por me pranimin e identitetit seksual individual. Gjithashtu seksualiteti mund të shihet edhe si instikt.

Ai përbën një instikt bazë por që ndryshon nga instiktet e tjera, sidomos ne objekt. Kështu kur një person ndjen uri, atij i vjen dëshira për një ushqim të caktuar, kurse atraksioni seksual lidhet me një tërheqje të ndërsjelltë, jo vetëm në një anë. Në rastin e urisë, ushqimi nuk ndjen asnjë tërheqje për personin që e dëshiron. Dhe meqë lidhet me një marrëdhënie ndërpersonale, mund të themi që instikti seksual ndryshon nga instiktet e tjera bazë, sepse ai është më tëpër një instikt social.

Seksualiteti është karakteristika themelore e personit. Seksualiteti përfshin të gjithë komponentët e njerëzve. Cdo njeri ka një pjesë instiktive, një pjesë emotive dhe një pjesë racionale. Kështuqë do të kemi një seksualitet instiktiv (të ndjesh automatikisht tërheqje për seksin tjetër), një seksualitet emotiv (të kultivosh ndjenjën e tërheqjes) dhe një seksualitet racional (të jetosh tërheqjen sipas një projekti dashuror).

Një raport burrë – grua ëhtë serioz kur janë prezentë të tre elementët: mendja, zemra, trupi. Pra seksualiteti është një dhuratë për të dashuruar. Psikologë të ndryshëm e shikojnë shumë të lidhura seksualitetin dhe dashurinë, dhe këtë të fundit e shikojnë si esenciale për të ekzistuar, për t’u rritur e për t’u trashëguar në mënyrë njerëzore. Kështuqë të krijosh një marrëdhënie të mirë dhe të shëndoshë me një person tjetër është një qëllim i rëndësishëm në jetë.

SEKSUALITETI BRENDA VETES

Seksi brenda vetës është një dukuri interesante që shoqëron sidomos adoleshencën e hershme; ndjesitë e reja që lindin në këtë periudhë kërkohet të orientohen fillimisht brenda vetes; të gjendet shkaku i tyre, por dhe të vihen në provë më parë te vetja. Gjatë pubertetit djemtë ejakulojnë për herë të parë dhe vajzat fillojnë të menstruojnë. Kështu që nis një interesim për seksualitetin që në këtë periudhë, i cili zakonisht drejtohet te vetja, ndërkohë që familjarët e prindërit i kushtojnë rëndësi sjelljeve dhe emocioneve të fëmijës që po rritet. Kështu shumica e djemve e provojnë ejakulacionin e parë gjatë masturbimit. Sipas psikologëve, ejakulacioni i parë zakonisht ndodh midis moshës 11 deri në 15 vjeç, por në raste të veçanta mund të provohet edhe 8 ose 21 vjeç. Një veçori tjetër e moshës lidhet edhe me faktin e spontanitetit të ejakulacionit. Disa djem kanë ejakulacion spontan, të rastësishëm. Kjo mund të ndodhë si pasojë e aktivitetit fizik joseksual, ose e ndikimeve psikologjike, psh kur shikon fotografi pornografike apo duke admiruar një femër tërheqëse. Duhet të theksohet që ndjesia seksuale lidhet ngushtë me pjekurinë sociale.

Vajzat gjatë hyrjes në adoleshencë shfaqin më pak aktivitet seksual, ndjenjat e tyre seksuale janë më pak intensive se tek djemtë. Ky dallim me djemtë ka disa arsye, por më kryesoret janë ndryshimet e brendshme fizike e fiziologjike, si dhe presioni i kulturës, stereotipet që ofron opinion shoqëror. Prandaj edhe vajzat orientohen më pak se djemtë në seks. Me zhvillimin e adoleshencës, madje gjatë 10 ose 20 vjetëve të ardhshme, vajzat e shtojnë veprimtarinë seksuale, gradualisht i rrisin detyrimet e tyre seksuale, fillojnë të përshtaten më tepër. Gjithashtu disa prej tyre, madje edhe disa gra, fitojnë aftësinë e orgazmës spontane, pa stimulim fizik. Kjo ndodh zakonisht kur shikojnë material seksuale ose kur mendojnë për seksin. (Për më gjatë lexo: Edmond Dragoti, Adoleshenti, Albdesign, Tiranë 2005)

Një nga përvojat karakteristike të adoleshencës, që në këtë moshë arrin kulmin e zhvillimit të vet, janë fantazitë dhe ëndrrat erotike. Është mosha kur trupi piqet fizikisht, lindin ndjesitë e reja seksuale, por edhe ndjenjat sociale janë në zhvillim e sipër. Këto krijojnë një sfond të domosdoshëm mbi bazën e të cilit projektohen ënddrat për seksin. Adoleshenti fantazon marrëdhënie dashurie që kanë në vetvete edhe aktivitet seksual me një person të caktuar, ose ëndërron një praktikë të tërë të marrëdhënieve seksuale pa e përcaktuar partnerin.

Fantazitë gjithmonë e shoqërojnë masturbimin, ato janë kaq të dukshme sa e shtojnë kënaqësinë e tij. Madje masturbimi pa fantazitë erotike bëhet një praktikë e rrallë dhe jo e preferuar. Në masën e fantazive të provara, adoleshenti aplikon ndonjëherë edhe fantazi me sjellje seksuale që aii quan “jo të natyrshme”, “të dëmshme”, “jo normale” dhe shpesh këto shkaktojnë ndjenjën e turpit tek ai. Sidoqoftë, vlera e fantazive në përgjithësi është e dobishme. Nëpërmjet tyre adoleshenti jo vetëm provon kënaqësi, por mëson dhe praktikat seksuale, njihet me preferencat e tij seksuale, planifikon partnerët dhe raportet seksuale të mevonshme. Pikërisht ndjesitë e reja që shfaqen gjatë zhvillimit të ndjenjave seksuale, gjatë orgazmës dhe fantazive erotike, janë një hap i rëndësishëm në jetë për të mësuar se si të jesh seksual.

MASTURBIMI

Seksi me veten quhet ndryshe masturbim, ose manipulim me organin e vet seksual, mund të sjellë orgazmën dhe ejakulacionin e kërkuar. Është një nga format më të aplikuara të veprimtarisë seksuale në adoleshencë. Shumë djem dhe vajza nëpërmjet masturbimit mësojnë reagimet dhe ndjesitë seksuale të trupit të tyre. Masturbimi është një temë e vazhdueshme në bisedat e meshkujve, megjithëse ato përpiqen t’i japin natyrën e shakasë. Ndërsa vajzat diskutojnë më pak, ato e kanë tabu masturbimin, madje në gjuhën e tyre nuk ka as terma specifikë për përcaktimin e kësaj sjellje seksuale.

Statistikat dëshmojnë se masturbimi është i pranishëm në të gjitha moshat, por gjithashtu në çdo moshë ai është më i zakonshëm tek meshkujt sesa te femrat. Sipas Kinsey, në moshën 15 vjeç masturbojnë 82% e djemve dhe 20% e vajzave. Nga mosha 20 vjeç rritet aktiviteti i masturbimit në 92% të meshkujve dhe 33% të femrave. Në mosha më të rritura statistikat tregojnë nivele më të larta. Ende nuk është e qartë pse vihen re diferenca midis sekseve dhe a është ky rezultat i dallimeve të brendshme psikologjike, apo i qëndrimeve të mësuara nga morali seksual i shoqërisë së rritur. Sidoqoftë, një praktikë e tillë seksuale, që më parë dënohej, ose quhej mëkat, tashmë është një dukuri e natyrshme, dhe madje në aspektin e mësimit të sjelljeve seksuale, është dukuri e nevojshme.
Studiuesit e vlerësojnë masturbimin si një dukuri normale dhe të shëndetshme. Sipas tyre kjo sjellje shkarkon tensionin e akumuluar seksual, pajis adoleshentët me njohuri të vlefshme për seksin e vet, i ndihmon të shmangin shtatzaninë e padëshiruar dhe i mbron nga sëmundjet seksuale.

NJV