20.02.2017
Ju kam shkruar edhe me heret por po marr guximin qe tju shkruaj ndoshta thelbin e problemit tim qe nganjeher ngurroj edhe ta mendoje qe osht problem imi.Flas shum me veten,paramendoj njerez dhe kur jam vet thjesht flas ndihem shum mire se di pse ndoshta gjerat qe nuk i bej ne te vertet(realitet)i bej thuajse jam me te tjeret.Ndoshta osht e rensishme te ju tregoj qe zakonisht e ve veten ne qender,bej diqka qe me ben te jem me e mire se dikush mendoj qe jam ee suksesshme etj.Po kam probleme ne mesime jo per kete sepse e kam bere edhe ma heret po sdi osht ndoshta edhe nje prej arsyeve sepse nvend qe te kapi librat po flas me veten ne rastin e pare qe jam vetem
Gjithashtu nuk e pranoj fort realitetin,familjaret nuk me kuptojn nuk e di une nuk shprehem por a nuk eshte familja ajo qe duhet me kuptu dike me se miri.Po ndihem jashtezakonisht keq ,dua ta largoj kete shprehi sa ma shpejt.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
A ndjen ti qe te tjeret te shohin si te mire, te suksesshme ne bisedat me njerezit reale? & sa marredhenie ke me njerezit? a ke shoke/shoqe te ngushte? Si ndihesh kur je me ta?
Ndonjehere kur nuk ndihemi te vleresuar, te pranuar ne jeten reale, krijojme nje bote tonen, e cila na ploteson nevojen tone per vleresim dhe vetevleresim, duke u zhytur ne fantazi.
Përshëndetje e dashur
Në radhë të parë të falenderoj që na je ridrejtuar por kësaj radhe duke artikuluar problemin tënd real. Mendoj se kjo është e rëndësishme për ty pasi ke evidentuar dicka që nuk shkon mirë me ty e dicka që po të pengon në marrëdhënie me të tjerët. Në fakt në jetën tonë ne kemi nevojë për të tjerët sepse nëpërmjet marrëdhënieve sociale njohim veten, zhvillojmë aftësitë sociale, shkathtësojmë cilësitë e intuitën për të kuptuar dhe relatuar.
Gjithashtu janë normale edhe momentet dhe nevoja për të folur me veten, pasi duke eksternalizuar mendime e ndjenjat që mund të kemi, ballafaqohemi më kollaj me to.
Mendoj se ballafaqime të tilla me veten janë të rëndësishme, por deri në pikën që nuk krijojnë një shmangie e carje me persona të tjerë të rëndësishëm në jetën tonë sociale, pasi krijojnë një bllokim dhe me të drejtë ti duket se e ke identifikuar këtë gjë.
Nuk mendoj se e kuptoj shumë qartë atë që thua që vendos veten në qendër, por mendoj se kjo mënyra e jotja e të folurit me veten, është në fakt një dëshirë për tu kuptuar e mirëkuptuar nga të tjerët dhe për të stabilizuar marrëdhënie e në pamundësi për ta realizuar sukseshëm këtë gjë, ke zhvilluar në vend të kësaj një botë fantazioze.
Deri diku ky mund të jetë edhe tregues i personave të cilët janë të ndjeshëm ndaj feedbackut e mendimeve të të tjerëve.
Në fakt unë dua të të bëj disa pyetje për të reflektuar dhe menduar.
A ka persona në jetën tënde me të cilin ke deri diku raport të mirë dhe me të cilët mund të komunikosh për gjërat për të cilat tani preferon ti adresosh me “veten”?
Cfarë gjërash konkrete të realitetit nuk pranon? Pse janë ato të vështira për tu pranuar? A është dikush në rrethin tënd familjar apo shoqëror me të cilin mund të flasësh për vështirësinë e realitetit e gjërave që të shqetësojnë?
Besoj se në rrethin tënd mundet të kesh persona të tillë, që të dëgjojnë, janë pozitivë dhe me të cilët ja vlen të shprehesh për gjërat e tua, të flaësh për sukseset e tua por edhe të dëgjosh prespektikën e tyre.
Ndërkohë ti përmend që do ta kufizosh këtë shprehi që ke aktualisht dhe unë mendoj që kjo realizohet duke e zëvendësuar me shprehi të tjera sociale, duke e thyer këtë cikël e duke u përpjekur të identifikosh një person të afërt, të dashur e mbështetës për ty me të cilin është më e lehtë për momentin të zhvillosh një komunikim të thellë.
Nga ana tjetër mendoj se nevoja jote për të folur si dhe fantazia jote tregojnë për një person që ka një artikulim të mirë dhe mund të jetë interesant për të tjerët kështu që të ftoj gjithashtu të mendosh për gjithë cilësitë pozitive të tuat që do ishin interesante për t’ua ofruar të tjerëve në komunikim social.
Jam e sigurt që do të zbulosh shumë për të tjerët dhe për veten, nëpërmjet raporteve që do të zhvillosh.
Sigurisht që je gjithmonë e mirëpritur të na rishkruash sërish e do jemi këtu për ty,
Të uroj gjithë të mirat,
Me respekt,
Almandina Guma