Këshilla/Blog

22.02.2017

Pershendetje,

Po e ndaj me ju kete shqetesim timin pasi nuk po gjej rrugezgjidhje e vetme. Kam mbaruar studimet per psikologji dhe master profesional/ psikologji keshillimi. Per momentin, Jam kordinatore projekti dha kam pergjegjesi ne shkolla/kopesht /cerdhe ne qytet dhe ne fshat. Fokusi i punes time eshte puna me prinderit. Por duke qene se punoj per nje organizte ne syte e mesuesve shikohet buxheti tek une dhe jo puna qe po bej per te realizuar cdo aktivitet sipas kritereve qe kerkon Shkolla Qender Komunitare.
Kam diskutuar me shefen per kete problem qe po has dhe ajo ke drejton te komunikoj vetem ke drejtorin dhe mos te merrem me mesueset. Por gjithsesi ato do e gjejne menyren te me provokojne qe nuk na keni sjelle asgje nga organizata, te shikojne tere zili. Jam edhe ne vitin e pare te punes dhe komuniteti me te cilin po perballem eshte shume i veshtire. Nuk e di sesi ta menaxhoj kete inat qe me kap me veten,,, kete ndrojtje qe me mundon,,,kete frike duke mos u perballur me mesueset.
Me dhemb shume koka pasi pervecse kam nje dite te ngarkuar fizikisht, e kuptoj qe e ngarkoj veten emocionalisht. Kjo heshtje brenda vetes po me mbyt.
Si te veproj ne nje situate te tille?
Do doja nje mendim nga profesoreshe Anila Sulstarova.

  1. Stafi Nuk Je Vetem says:

    Pershendetje e dashur,

    Pyetja jote i eshte derguar nje prej eksperteve tane, ne mungese te dr. Sulstaroves, sepse eshte shkeputur.

    Te falenderojme per besimin dhe ju urojme gjithe te mirat,
    Stafi i Nuk Je Vetem

  2. Dr. Blerta Bodinaku says:

    Pershendetje,

    Situata që po kalon është shumë e njohur edhe për kolegë të tjerë që punojnë në organizata të shoqërisë civile. Në përgjithësi psikologët përballen me situata të ngjashme paragjykuese ose refuzuese kudo që u duhet të përballen me administratë, ose institucione të tjera publike si shkollat dhe kopshtet.

    Nëse punon në organizata, mendimi i përgjithshëm është se ‘bën nami në para, pa bërë ndonjë punë të madhe’. Nëse punon psikologe në ndonjë institucion publik, varësisht nga institucioni, keqperceptimet janë të ndryshme. Mund të jesh ‘spiunia e drejtorit’, ‘një person që rri kot dhe merret vetëm me letra’, mund të pretendohet që ‘të dëgjosh hallet familjare të gjithë stafit dhe të kesh një buton magjik për ti zgjidhur’, e të tjera nga më të ndryshmet.

    Nga eksperienca ime dhe e kolegëve të mi që janë përballur me këto situata, mund të them me bindje se nuk ka në fakt një mënyrë më të mirë për të bindur të tjerët përreth nesh për të kundërtën e mendimeve të tyre, apo për rëndësinë e punës që bëjmë, se sa vetë puna që bëjmë. Mundemi të shpenzojmë kohë për të argumentuar, për të gjetur mënyrën për tu kthyer një përgjigje inteligjente apo për t’u konfrontuar, por thjesht rrezikojmë të përforcojmë besimet e tyre e të hyjmë në një rreth vicioz.

    Në këto kushte unë do të sugjeroja të vazhdosh punën tënde, e fokusuar tek arritjet dhe rezultatet konkrete të saj. Nëse është e mundur, bëj një prezantim, apo përmbledhje të punës tënde, rezultateve dhe ndikimit të saj dhe mos u përpiq të ndryshosh mendimin e askujt. Nuk është e nevojshme të konfrontohesh me askënd, nëse nuk të vjen natyrshëm dhe spontanisht. Përpiqu të mos shkosh në punë me mendimin për t’u mbrojtur, shpjeguar, apo konfrontuar. Në vend të kësaj, përpiqu të shkosh në punë me qëllimin për të arritur atë që synon me punën tënde. Herë pas here, kujtohu që mendimet e të tjerëve dhe keqperceptimet e tyre, nuk janë problem yt, por i tyre dhe ti nuk je prgjegjëse për ti ndryshuar ato. Me kalimin e kohës, puna jote dhe indiferenca ndaj sulmeve apo komeneteve do t’i zhvlerësojë ato. Kjo gjë do kërkojë kohën e vet; ndërkohë ti do të dalësh më e rritur profesionalisht dhe personalisht nga kjo eksperiencë.

    Të uroj gjithë të mirat,
    Blerta

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV