Këshilla/Blog

lora 10.10.2019

Pershendetje , une jam 19 vjeqare dhe sa kam filluar studimet . Kam shum pak vetbesim dhe me duket qe nuk jam e afte ne asgje .Duke u nisur nga shoqet e mia njera eshte teper e bukur dhe bukuria per te ka hapur shum dyer , te tjerat kane talente si vizatimi , shkrimi qe din ne qka te orientohen kurse un nuk jam e afte ne asgje . Ndihem shume e vetmuar dhe sa her qe kam biseduar rreth ksaj teme jam perqeshur

  1. Dorina Kapaj says:

    Përshëndetje Lora,
    Të falenderoj që na ke kontaktuar. Me sa ke përshkruar kuptoj që je duke kaluar një përiudhë të vështirë. Këto besime që ke për veten me sa po kuptoj ndikohen çdo ditë nga krahasimi që i bën vetes me mikeshat e tua. Besoj se je duke u treguar disi e padrejtë me veten pasi je duke i idealizuar mikeshat e tua ndërsa veten me sa po kuptoj je duke e vlerësuar me standarte të tjera. Të gjithë jemi ndryshe nga njëri – tjetri. Disa i kanë talentet më të dukshme ndërsa disa të tjerë duhet të punojnë pak më fortë për të patur sukses. Shumica e njerëzve nuk kanë talente specifike që mund të spikasin menjëherë apo bukuri të
    spikatur që u hap dyert ngado që shkojnë, edhe pse dyshoj që ato dyer qëndrojnë hapur nëse dikush ka vetëm bukuri për të ofruar.
    Mund të të tingëlloi diçka e stërthënë dhe pa shije, por mënyra për t’i arritur gjërat është nëpërmjet punës sistematike dhe përkushtimit. Nëse ke një pasion mos u demoralizo duke e gjykuar veten si pa talent, por fillo puno për qëllimin që i vendos vetes. Ke për ta parë që dhe ty do fillojnë të të hapen dyert në momentin që do i përkushtohesh qëllimeve të tua dhe kjo ka për të sjell rritje të vetëvlerësimit.
    E di që mund të jetë e vështirë, por në momentin që e gjen veten duke u krahasuar me mikeshat e tua fillo dhe listo gjithë avantazhet që ti ke kundrejt tyre. Jam e bindur që mund të gjesh një listë me karakteristika që të bëjnë po aq të aftë dhe unike sa mikeshat e tua. Ajo që mund të kuptoj me kaq sa ke përshkruar për veten mund të them se ndoshta ti ke më shumë ndjshmëri se mikeshat e tua. Kjo të bën të ndihesh ndoshta në disavantazh kundrejt tyre, por nuk është kështu. Njerëzit më të ndjeshëm kanë kapacitet për më shumë empati dhe thellësi përjetimesh. Kjo të jep mundësinë të kuptosh më shumë mbi atë cka ndodh përreth teje.
    Nëse janë mikeshat e tua ato që të përqeshin për këto përjetime që ke atëhere ndoshta duhet të marrësh në konsideratë që nuk e kanë aftësinë për të të kuptuar dhe janë ato që në njëfarë mënyre ta induktojnë këtë mënyrë të ndjeri. Uroj t’i krijosh vetes mundësinë të reflektosh më tej mbi këto ndjesi dhe e mirëpres një përgjigje nëse do ndihesh nevojën për të diskutuar më tej.

    Të uroj gjithë të mirat,
    Dorina

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV