Elbasan 24.01.2021
Pershendetje,
Kam vajzen pothuajse 3 vjeç por ka sjellje problematike. Sa i prishet pak ‘terezia’ qe ndodh pjesen me te madhe te kohes fillon qan me te madhe dhe perplas dhe hedh cdo gje pavaresisht se cfare eshte dhe pavaresisht se ku ndodhet. Dhe me e keqja se qellon dhe prinderit e saj.
Ne mundohemi ta qetesojme, i flasim shume qe ta bindim madje kemi arrit dhe te ngreme dhe zerin po praktikisht asgje ska fundionuar. Dua te theksoj qe ne nuk jemi prinder te dhunshem, nuk i bertasim dhe ne menyre absolute nuk ngreme dore mbi femijen tone. Nuk jemi familje e zhurmshme, nuk debatojme me bashketoshortin dhe sjellja e femijes po na shqeteson jashte mase. Ju lutem nje mendim tuajin nese femije yne ka nevoje per konsulte apo qofte edhe per ndonje terapi per te permiresuar sjelljen.
Faleminderit dhe pune te mbare ne vijim!
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Te njejtin problem kam dhe une me djalin 5 vjec. Eshte ne parashkoll dhe ka filluar ne janar pas pushimeve dimerore, qe paraqet sjellje problematike nese “e merzit” dicka. Ju lutem me ndih,ni se si tuhet te menaxhojme kete sjellje, se jam vertet ne hall. falemidnerit
Përshëndetje,
Nga letra juaj kuptoj që shqetësimi juaj kryesor lidhet me qetësimin e vajzës në momentet kur ajo bëhet nervoze dhe shpërthen në të qara. Fëmijët e kësaj moshe mund të kenë “shpërthime nervash” dhe “shpërthime të qarash” të shpeshta, për arsye të ndryshme. Një nga arsyet kryesore është vetë mosha: pasja e nevojave dhe dëshirave, të cilat kërkojnë t’u realizohen menjëherë, pa pritur dhe toleruar vonesa. Nëse nuk i realizojnë dot në çast, frustrohen dhe mërziten deri në shpërthime emocionale. Ju si të rritur duhet të jeni aty për ta qetësuar dhe për t’i mësuar gradualisht, ditë pas dite, që t’i menaxhojë më mirë emocionet e veta. Tipikisht, duke reaguar me qetësi dhe pa i kushtuar vëmendje të tepruar kur ajo qan me të madhe, mund t’i jepni mesazhin përmes heshtjes dhe qetësisë suaj se “kjo nuk është një sjellje e mirë”. Ka teknika të ndryshme që mund të provoni në këtë rast. P.sh., në momentin që fëmija fillon të qajë me të madhe, ju e lini për pak të vazhdojë të qarën pa bërë asnjë reagim, pa i kushtuar shumë vëmendje dhe pa u përpjekur shumë në atë moment që ta qetësoni me fjalë apo gjeste.
Duke pritur pak minuta që të qetësohet vetë dhe kur intensiteti i të qarës së saj të jetë ulur, atëherë afrohuni dhe përqafojeni, flitini me butësi, duke e parë në sy dhe duke e përgëzuar: “Sa mirë që u qetësove vetë!”.
Në ato momente gjatë ditës që vajza është e qetë, uluni dhe bisedoni me të për sjelljet e mira dhe sjelljet jo të mira, në mënyrë që ajo të njihet me gjërat e pranueshme dhe gjërat e papranueshme. Flitini për pasojat që ka një sjellje jo e mirë; p.sh., nëse bërtet me të madhe, unë nuk do të të dëgjoj; dhe prezantojini alternativat e përshtatshme: “…por nëse flet me zë të ulët, unë do të të dëgjoj dhe do të përpiqem të ta realizoj dëshirën”.
Shpesh mund të funksionojë teknika e “pushimit”. Krijoni një vend të posaçëm në dhomë, të cilin mund ta quani “vendi i qetë”, në të cilin ajo do të duhet të shkojë sa herë që qan dhe bën sjellje jo të mirë. Pasi e keni njohur me atë vend (një karrige, një jastëk i vendosur diku në qoshe të dhomës), ju duhet ta çoni aty dhe ta lini për 3 minuta në momentin kur ajo fillon të qarat dhe shpërthimet. Nëse proteston dhe nuk do të shkojë aty, ndihmojeni të rrijë aty duke e mbajtur, p.sh. duke i mbajtur duart, që të mos ju godasë dot, por pa u tensionuar dhe pa bërë reagime emocionale me fytyrën tuaj (e mira është që të jeni plotësisht neutralë në fytyrë gjatë kohës që fëmija bën sjelljen e padëshiruar). Kur t’ia keni dalë që ta mbani deri në 3 minuta aty, idealisht fëmija do të qetësohet dhe ju do ta merrni e do ta përqafoni.
Fëmijët 3-vjeçarë kanë emocione të forta që mund të mos dinë si t’i shprehin në mënyrë të përshtatshme dhe shpesh “pushtohen” nga ato. Prandaj, bëni mirë të flisni për emocionet dhe ta edukoni për to, që të mësojë të shprehë me fjalë gjendjet e veta emocionale. Hapi i parë është që ju vetë t’i përdorni termat që përshkruajnë emocionet “Ti po qan sepse je e mërzitur; ti po bërtet sepse je e zemëruar” dhe në vazhdimësi, t’i tregoni dhe t’i demonstroni mënyra alternative dhe të përshtatshme për shprehjen e tyre: “Kur jemi të zemëruar, na vjen të përplasim lodrat, por kjo është një sjellje e gabuar sepse lodrat thyhen. Kur jemi të zemëruar, ne mund të qetësohemi duke marrë frymë thellë 5 herë – dhe demonstrojani këtë gjë; Ose mund të gjuajmë me grushta 10 herë një jastëk të madh”. Edukimi i fëmijëve për shprehjen dhe kanalizimin e emocioneve është një proces që mësohet gradualisht përmes vëzhgimit të mënyrave sesi ju si prindër i menaxhoni emocionet dhe përmes ndërveprimit direkt me fëmijën tuaj.
Normalisht, këto janë vetëm teknika dhe duhen përdorur me kujdes, butësi por nga ana tjetër, me rregullsi dhe vendosmëri. Gjithashtu, teknikat janë më efektive nëse ju si familje bini dakord për t’i përdorur ato në të njëjtën mënyrë, pra të reagoni njësoj dhe jo të bëni reagime të ndryshme ndaj sjelljeve të papërshtatshme, pasi kjo do ta çorodisë dhe do ta bëjë konfuze. Fëmijët e kësaj moshe kanë nevojë për qëndrueshmëri dhe disiplinë, si dhe të dinë se çfarë të presin pasi bëjnë një sjellje (psh. Nëse një fëmijë merr vëmendje duke bërtitur, ai do të vazhdojë të bërtasë sa herë të ketë nevojë për diçka, sepse kështu është mësuar në vazhdimësi).
Nëse ndjeni se keni nevojë të konsultoheni me një psikolog/e fëmijësh për të bërë një bisedë më të detajuar për këtë çështje, ju inkurajoj që ta bëni këtë gjë. Përmes një konsulte të fokusuar dhe me ndihmën e psikologut/es do të merrni ndihmën e nevojshme që do t’ju fuqizojë dhe do t’ju mbështesë për t’u ndjerë më të sigurt emocionalisht si prindër, në menaxhimin e emocioneve dhe sjelljeve të vajzës suaj.
Përzemërsisht,
Lediona Braho
Psikologe