Tijaraak 28.02.2022
Pershendejte kam nje problem qe 1 vjet behem shum nervoz me njerezit pereth kur zihen me mua dhe me bejne presion te vazhdueshem, kur ndodhin kto diskutime te ashpra kafshoj veten ose perplas gjerat derisa nuk kam me fuqi dridhem bertas godas veten dhe kur ndodhin perleshje me fjal jo me mua po ne prezencen time un qaj dhe smund ta kontrolloj veten pasi qe ndodhin kto un humb total fuqin ne trup dhe jam shum e shqetsuar nuk e di a jan sulme te ankthit por spo mund ti ndal as me qetsues
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
E kuptoj që gjendesh në një situatë të vështirë, që nuk mund ta përmbash veten kur ndihesh e acaruar dhe nën presion nga të tjerët. E marr me mend sa të nevojshme mund ta kesh të ndalesh e ta marrësh qetë, por se nuk mundesh në atë moment, pasi emocionet bëhen të forta dhe truri reagon automatikisht. Ky reagim i fortë ndodh kur truri është në alarm dhe ndihet i frikësuar/ i kërcënuar (arsyen nuk mund ta dimë pse, por në një mënyrë ose në një tjetër, lidhet me gjëra të caktuara që kanë ndodhur më parë).
Në fillim të letrës ke shkruar që e ke këtë problem prej një viti: A mban mend të ketë ndodhur diçka që mund të të ketë mërzitur apo tronditur, që mund të ketë shkaktuar apo nxitur problemin që ke sot? Zakonisht, simptomat kanë një fillim të qartë dhe koha kur ato kanë filluar na thotë për ngjarjen apo situatën që mund ta ketë shkaktuar problemin. Mirëpo, ka edhe raste kur simptomat mund të fillojnë më herët në jetë, në një moshë të vogël, në mjedise ku nuk plotësohen nevoja të caktuara, por tepër të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin. Përpiqu të reflektosh dhe të mendosh mbi fillesën – dhe sa më herët që të kenë filluar, aq më e madhe do të jetë nevoja për ndihmë aktualisht.
Nga përshkrimi i simptomave përgjatë letrës, kuptoj që ke nevojë për ndihmë psikologjike. Të sugjeroj që sa më shpejt të bësh një konsultë për të përcaktuar një trajtim të nevojshëm. Ndonjëherë, këto gjendje mund të kenë nevojë për mjekim, për të ulur nivelin e agjitimit/ tensionit apo edhe ankthit (thua që ke marrë qetësues, mund të jetë nevoja për barna me rekomandim mjeku e nëse ato nuk bëjnë efekt, do duhet një rikonsultë).
Uroj ta ndihmosh veten, të gjesh kurajon për ta bërë këtë gjë, pasi do të ndihesh shumë më mirë më vonë.
Gjithashtu, ndërkohë të sugjeroj të gjesh mënyra e forma të ndryshme për ta qetësuar veten, për t’u kujdesur për veten, për ta dashur veten, që pavarësisht se ndodhet në një periudhë të vështirë, ka shumë nevojë për mirëkuptim, dashamirësi, tolerancë dhe dashuri. Folu edhe njerëzve përreth për nevojat e tua, nëse mundesh, të paktën atyre që ke më afër.
Uroj të të kem ndihmuar sadopak, por më shumë uroj ta ndihmosh ti veten duke folur me një profesionit.
Përzemërsisht,
Lediona Braho
Psikologe