Këshilla/Blog

Lexuese 27.12.2023

Unë jam diplomuar para pak muajsh. M’u kthye vetëbesimi me kalimin e kohës. Nuk besoja as se do punoja, as se do rritesha në karrierë, as se do diplomohesha. Pra, tani e kuptoj se me mua nuk ka lidhje invaliditeti. Megjithatë puna që kam mundur të gjej, sado e mirë, është part time dhe paguan nën rrogën minimale. Nuk mund të bëj plane afatgjata me të. Pavarësiaht mirëqenies në familjen time, jam e shtyrë më shumë se ç’ duhet që të punoj. Nganjëherë nuk mendojnë as se duhet të flas për këshillim me psikologun tim. Mandej, nga presionet duhet tê ruhem se ndryshe zgjidhja ime e vetme sipas tyre është të merrem me mjek psikiatër(i panevojshëm për vendimet e mia) Puna bën mirë për shëndetin, por jo aq sa të ketë toksicitet. Jetesa është e shtrenjtë dhe unë nuk mund të përfundoj në borxhe kur nuk jam gati të jem e pavarur. Sado që mikeshat e mia më thonë “Askush nuk të dëbon dot nga shtëpia, por mund të ikësh kur tê ndihesh gati” përsëri nuk i duroj dot debatet, presionet. Nuk janë të kënaqur me çka kam bërë unë asnjëherë.

  1. Aida Yzeiri says:

    Përshëndetje e dashur!
    Të falenderoj, që i je drejtuar faqes së Nuk Je Vetëm.

    Mes rreshtave, që ke shkruar mund të kuptoj lëndimin, që mund të vij nga ndjesia e pakënaqësisë e përcjellë nga prindërit dhe nga ana tjetër presionin për të bërë e për të arritur më shumë.

    Së pari do të thoja që të merrje kohë të qëndroje pak në qetësi me veten dhe të kuptosh nëse “zërat e tyre” apo “mënyra se si të shohin” ata, kanë arritur që të bëhen edhe zëri yt i brendshëm apo mënyra se si ti e sheh veten?
    Pavarësisht se si na shohin të tjerët apo prindërit, është e rëndësishme që të ruajmë të palëkundur vetë-vlerësimin dhe vetëbesimin, pavarësisht rrethanave të jetës (të cilat nuk i kemi edhe aq në dorë) apo arritjeve të synimeve personale, të cilat jo gjithmonë ecin fjollë.
    Rikujto po ashtu gjithë arritjet e tua, siç ke përmendur: diplomimin dhe punën, të cilat kërkojnë angazhim dhe dedikim të madh, prandaj përgëzime për këtë.

    Dinamikat në familje janë komplekse dhe do ishte e nevojshme një konsultë për këtë. Në letër përmend, që ndjek këshillim psikologjik. Mendoj se edhe trajtimi i këtyre temave, duke folur më me detaje për marrëdhëniet dhe tensionin, që mund të ndjesh nga familjarët, me psikologun tënd do të ndihmonte për të gjetur mënyra përballimi apo/dhe komunikimi me familjarët, me synim që të ndihesh më e qetë dhe më e kuptuar nga ta. Kjo do të jepte më tej një mbështetje më të mirë edhe emocionale, që nëse e vlerëson të arsyeshme më tej të kërkosh për një punë më të mirë që plotëson pritshmëritë e tua si financiare, por edhe për ambjentin më pozitiv të punës.

    Të uroj më të mirat!
    Aida

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV